Nikki Haley ambasadore deri në fund të vitit | Bota | DW | 10.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nikki Haley ambasadore deri në fund të vitit

Nikki Haley largohet nga posti i Ambasadores së SHBA në OKB. Përfaqësuesja e Kosovës në Nju Jork, lëshoi në mediat sociale një video, ku Haley thotë se gjyshi i bashkëshortit të saj, ka ardhur nga Shqipëria në Amerikë.

Nikki Haley bëri të martën të ditur se do të largohet nga posti i Ambasadores së SHBA në Kombet e Bashkuara. Në një konferencë të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump njoftoi se Nikki Haley do të qëndrojë në post deri në fund të vitit.

"Nikki do largohet në fund të vitit, por unë e di që ajo do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me ne,” tha Presidenti Trump, i cili ka pranuar kërkesën e saj për të hequr dorë nga posti i Ambasadores në KB, një post që në SHBA ka vlerën e një anëtari kabineti. Nuk është e qartë cila është arsyeja e lëvizjes, por mediat filluan të bëjnë bilancin e punës së saj, një grua me profil të lartë në kabinetin e presidentit Trump.

Dorëheqja e saj po ndodh vetëm pak ditë pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të KB ku liderët e botës u mblodhën në Nju Jork. Një pjesë e tyre treguan qëndrime të ndryshme nga ato të SHBA në çështje si ajo e klimës, Lindjes së Mesme, Koresë, Iranit dhe multilaterizmit. Nikki Haley ka përfaqësuar me energji politikën e vendit të saj, në të cilën ka pasur edhe ndikimin e saj.

Në postin e saj si ambasadore e KB Nikki Haley u kthye në figurën kryesore të politikës së jashtme amerikane. Ajo mbështeti dërgimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem, sanksione të ashpra kundër Rusisë, për rolin në Siri. Ajo ndali financimet e agjencisë në ndihmë të palestinezëve, UNRWA. Po ashtu ajo ashpërsoi qëndrimin ndaj Iranit. Ajo kritikoi ashpër agjenci të ndryshme KB për qëndrimin e tyre antiizraelit, dhe preu financimet.

Duke bërë bilancin e punës së saj, Nikki Haley tha "shihni çfarë ka ndodhur me SHBA në këto dy vjet në politikën e jashtme. Tani SHBA respektohet. Vendeve mund të mos u pëlqejë çfarë bëjmë ne, por ato e respektojnë atë që bëjmë ne.”

Haley ka punuar dy vitet si ambasadore për reformimin e Kombeve të Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres shprehu sot "vlerësim të madh” për punën e saj. Zëdhënësi Stephane Dujarric, tha sot para gazetarëve se pavarësisht nga diferencat midis SHBA dhe KB, Nikki Haley ka ruajtur "dialogun dhe angazhimin”. "Ambasadore Haley ka përfaqësuar pozicionin e vendit të saj, por ata kanë pasur marrëdhënie të mira pune”, tha Dujarric. 

Përfaqësuesja e Kosovës në Nju Jork, lëshoi në mediat sociale një video të regjistruar muaj më parë, ku Nikki Haley thotë se gjyshi i bashkëshortit të saj, ka ardhur nga Shqipëria në Amerikë.

Haley është konservatore dhe besnike e Partisë Republikane, por ajo ka qenë zë i moderuar në parti. Më parë Haley, fëmi prindërish që kanë imigruar në SHBA nga India, ka qenë guvernatore e Karolinës së Jugut. Bashkë me dhënien e dorëheqjes Nikki Haley, tha se ajo nuk do të kandidojë më 2020 për presidente. Më parë u pat folur se ajo shihet si kandidate potenciale e partisë së saj.

Mediat kanë filluar spekullimet për pasardhësin e saj. Vetë Haley largohet duke vlerësuar shumë dhëndrrin e presidentit Trump, Jared Kushner.