Ngushëllim në çastet e shtangies - Meshë ekumenike në Berlin për viktimat e katastrofës së përmbytjeve në Azi | Gjermania | DW | 09.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ngushëllim në çastet e shtangies - Meshë ekumenike në Berlin për viktimat e katastrofës së përmbytjeve në Azi

Kishat e mëdha në Gjermani të djelën pasdite bënë ftesë për një meshë përkujtimore në Berlin në nderim të viktimave të përmbytjeve në Azinë jugore dhe juglindore. Krahas politikanëve drejtues dhe përfaqësuesve të jetës publike në shërbesë merrnin pjesë të ftuar si dhe njerëz që dëshironin të ishin të pranishëm. Duke u nisur nga numri i madh i njerëzve që ende konsiderohen të humbur, me vetëdije mesha nuk ishte e përmortshme, ajo ishte një meshë përkujtimore në nderim të të gjithëve, pavarësisht nga besimi dhe kufijtë fetar.

Kardinali Lehman dhe Peshkopi Huber Mesha në katedralen e Berlinit

Kardinali Lehman dhe Peshkopi Huber Mesha në katedralen e Berlinit

"Nga e keqja e madhe unë të thërras ty, i madhi Zot, dëgjoi klithmat e mia" - qysh prej mëse 500 vjetësh këto vargje të reformatorit Martin Luter ngushëllojnë njerëzit në çaste të vështira. Njëkohësisht këto vargje formulojnë gjendjen aktuale të të mbledhurve në shërbesën përkujtimore në katedralen e Berlinit. Edhe pse kanë kaluar dy javë qysh prej baticave vdekjeprurëse fytyrat e njerëzve janë të prekura. Presidenti i Republikës, kancelari, politikanë të të gjitha partive të përfaqësuara në Bundestag, personalistete të jetës publike, njerëz nga të katër anët e Gjermanisë dhe miq ndërkombëtar të ftuar u mblodhën në nderim të viktimave. Edhe përpara katedrales së tejmbushur ishin mbledhur disa qindra të tjerë.

"Përshëndes të mbijetuarit e tërmetit nënujor në oqeanin Indian, në jetën e të cilëve janë regjistruar tashmë pamjet e tmerrit. Në këto çaste ne jemi pranë dhe u përkushtojmë vëmendje të veçantë të gjithë atyre që kanë humbur të afërmit e tyre, qofshin këtu midis nesh, apo edhe atyre që e ndjekin së largu meshën." Me plot ndjenjë e drejton meshën ekumenike kryetari i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani dhe peshkopi i Berlinit, Volfgang Huber. Mesha u organizua nga të dyja kishat e mëdha me iniciativën e presidentit Horst Këler.

Peshkopi i Berlinit Huber shpreh mirënjohje për valën masive të gatishmërisë për ndihmë që kanë treguar njerëzit pas dallgës së vdekjes. Në këtë kontekst ai ndalet edhe tek një tjetër valë e madhe: "Eshtë pjesë edhe e së vërtetës së besimit të krishterë, që të tilla fatkeqësi të llahtarshme të nxjerrin në pah dyshimin ndaj Zotit dhe mirësisë së tij. Askush nuk mund t´na i ndalojë pyetjen përse."

Përgjigja ndaj kësaj "përseje" nuk është e thjeshtë as për teologët, la të kuptohej kardinali Karl Lehman, kryetari i Konferencës së Peshkopëve Katolikë të Gjermanisë, në predikimin e tij: "Edhe njerëzit, për të cilët besimi nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në jetën e përditshme, shtrojnë pyetjen "përse e lejoi Zoti një gjë të tillë", e për këtë flasin sot të gjithë. Sidoqoftë kemi të bëjmë këtu me kontestimin dhe rrezikimin e thellë të besimit."

Për të argumentuar besimin në sfondin e fatkeqësisë së paperceptueshme kardinali Lehman pati kurajon t´i referohet vdekjes së Jezu Krishtit të kryqëzuar: "Në fund të fundit në thirrjen e pashpresë të Jezusit të kryqëzuar ne gjejmë pikën kulmore të së paimagjinueshmes: "Zoti im, përse më braktise?" ndaj unë nuk gjej asnjë përgjigje tjetër veçse t´i referohem kryqit. Vetë Zoti u bë njeri duke e përjetuar në trupin e vet çastin e vdekjes së tmerrshme të qenies sonë njerëzore. Ne e kemi të vështirë të besojmë, që vdekja dhe shkatërrimi nuk janë fundi. Por ne e dimë, se e gjithë krijesa deri në ditën e sotme psherëtin dhe vuan dhimbjet e lindjes. Ne jemi të shpëtuar vetëm nga shpresa."

Ashtu si peshkopi Huber edhe kardinali Lehman është i prekur nga gatishëmria e madhe për ndihmë që kanë treguar njerëzit në Gjermani dhe në mbarë botën. Në mbyllje të predikimit të tij ai theksoi: "Ne nuk mendojmë vetëm për ndihmën afatshkurtër në nevojë akute, por edhe për ndihmën e vazhdueshme për rindërtimin dhe punën për zhvillimin. Edhe organizatat fetare me partnerët e tyre të besuar marrin pjesë në ketë detyrë të përbashkët. Kjo ndihmë, pavarësisht nga lutja, është e vetmja mundësi për t´i shpëtuar dëshpërimit. Njerëzimi po bahskohet edhe më shumë."

Me një këngë tradicionale e ditëve të pritjes së lindjes së krishtit, këngë kjo që bën thirrje për ndihmën e ngushëllimin e Zotit, iu dha fund njërës prej meshave më emociononuese, e cila shënon ndoshta një fillim shpresëdhënës pas tmerrit të baticës.

  • Data 09.01.2005
  • Autor Klaus Kremer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4z
  • Data 09.01.2005
  • Autor Klaus Kremer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4z