Ngrihet grupi këshillues i BE-së për klimën | Evropa | DW | 07.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ngrihet grupi këshillues i BE-së për klimën

Barroso mbështet Merkel-in në objektivat për mbrojtjen e klimës

default

Në grindjen për objektivat e mbrojtjes së klimës presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso po mbështet kryetaren e radhës në Bashkimin Evropian, kancelaren gjermane Angela Merkel. Këto objektiva duhet të kenë karakter detyrues, vetëm kështu arrihet besueshmëria, tha Barroso në Bruksel dy ditë përpara takimit të nivelit të lartë të krerëve të shteteve dhe qeverive. Pres që 'pjesa më e madhe' e propozimeve të Komisionit të miratohen, u shpreh Barroso. Komisioni Evropian kërkon që deri në 2020-ën emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serë të pakësohen me një të pestën.

Prej javësh presidenti i Komisionit Evropian, Barroso po përpiqet fuqishëm për avancimin e politikës së mbrojtjes së klimës. Diskutimi i zjarrtë i këtyre ditëve është nxitur pjesërisht edhe nga një propozim strategjie i publikuar më 10 janar. Dhe Barroso e di që në samitin e afërm të Bashkimit Evropian atij do t'i duhet të grindet me shtete të veçanta anëtare në mënyrë që të arrihen së paku në njëfarë mase objektiva të caktuara.

Tani Barroso po krenohet me një trupë konsulence shkencore, i cili do ta këshillojë Komisionin në çështjet e mbrojtjes së klimës. Ajo përbëhet prej 11 shkencëtarësh të rangut të lartë, të gjithë ekspertë në mbrojtjen e klimës apo në sigurinë për furnizimin energjetik - si për shembull Nicolas Stern.

Me një raport paralajmërues pak muaj më parë, Stern, këshilltari i qeverisë britanike, ka demonstruar katastrofat dhe pasojat e tyre të shkaktuara prej ndryshimit të klimës. Në këtë organ bëjnë pjesë edhe fizikanti italian, Carlo Rubbia, i nderuar në 1984-ën me çmimin Nobel, kryetari i bordit drejtues të British Petroleum, Peter Sutherland si dhe eksperti gjerman i klimës, Joachim Schellnhuber i Institutit të Potsdam-it.

Schellnhuber është njëri prej atyre që prej vitesh kërkojnë më kot më shumë më shumë politikë për mbrojtjen e klimës. Papritur të gjithë flasin për të dhe politika përpiqet të tërheqë këshillat e shkencës.

"Nuk ndjehem i shfrytëzuar, por i kërkuar tepër vonë. Ne kemi humbur në fakt pothuajse një dekadë në debatin e përgjithshëm se a është real ndryshimi i klimës dhe a është fajtor për këtë njeriu? Tani duhet të vihemi në lëvizje shumë shpejt."

Schellnhuber thotë se samiti i Bashkimit Evropian në fundjavë mund të marrë vendime nga më të rëndësishmet e shekullit.

"Shumë të rëndësishme janë objektivat me karakter detyrues për energjitë e ripërtëritshme. Për këtë po diskutohet shumë aktualisht në prapaskenë. Shpresoj që Evropa të arrijë një rezultat të rëndësishëm."

Puna e këtij grupi do të shqyrtohet edhe në këshillimet e samitit të G-8-ës në fillim të verës në Heiligendamm. Atëherë kancelarja Merkel nuk do të ketë për vizitë vetëm partnerë evropianë por edhe SHBA dhe Rusinë. Evropa mund të japë këtu shtytje të rëndësishme edhe për pjesët e tjera të botës; i këtij mendimi është edhe Schellnhuber.

Në grupin e ri këshilldhënës të Barrosos bën pjesë edhe Claudia Kempfert, eksperte në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike. Ajo paralajmëron nga optimizmi i tepruar. Sepse edhe sikur në samitin e Bashkimit Evropian të arrihen marrëveshje për objektivat e përbashkëta, këto synime duhen zbatuar politikisht.

"Fillimisht në çdo vend evropian duhet hartuar një plan konkret energjetik, një plan për mbrojtjen e klimës me zotime konkrete - çfarë do të thotë kjo, si mund ta kryej një vend vërtet reduktimin e dioksidit të karbonit deri në një afat të caktuar, dhe vendosjen e sanksioneve."

Deri këtu nuk do të mbërrijë samiti i Bashkimit Evropian me planveprimin e presidencës gjermane. Por shkencëtarët kanë tani mundësinë që t'ia përcjellin kërkesat e tyre edhe politikës. Barroso lavdëroi faktin që shkencëtarët nuk mbyllen më në kullën e fildishtë.

  • Data 07.03.2007
  • Autor Christopher Plass
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8d
  • Data 07.03.2007
  • Autor Christopher Plass
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8d