1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Nga situata dilet me negociata politike'

10 Maj 2010

Intervistë me Alfred Kellermann, ekspert i BE për çështje ligjore, profesor në Universitetin e Asser-it në Holandë. lidhur me grevën e urisë, që deputetët socialistë dhe mbështets të tyre po zhvillojnë në Tiranë.

https://p.dw.com/p/NKiN
Pamje nga greva e urisë në Tiranë
Pamje nga greva e urisë në TiranëFotografi: AP

DW: Zoti Kellermann, në Tiranë një grevë urie përballë Kryeministrisë e 22 deputetëve të PS dhe rreth 180 mbështetësve të tyre, ka hyrë në javën e saj të dytë. Grevistët kanë deklaruar se nuk do të dalin prej saj nëse qeveria nuk plotëson kërkesën e tyre: hapjen e pjesshme të kutive të votimit nga zgjedhjet parlamentare të verës së kaluar dhe rinumërimin e votave, pasi opozita pretendon për parregullsi dhe manipulim. A e dëmton procesin e integrimit europian të Shqipërisë kjo situatë politike, në kuptimin e nivelit të pjekurisë që po dëshmojne politikanët?

Alfred Kellermann: Besoj që kjo situatë nuk është e mirë për progresin e integrimit europian të Shqipërisë. Mendoj se vetëm një proçes demokratik mund të rezultojë në zgjidhjen e kësaj situate të acaruar politike. Për të arritur këtë synim duhet të ndiqet rruga konstitucionale. Pra, të shihet se çfarë thotë Kushtetuta e Shqipërisë, çfarë thotë zbatimi i ligjit nga Gjykatat e Shqipërisë.

DW: Greva e urisë bën pjesë në arsenalin e mjeteve demokratike të reagimit politik dhe qytetar, që mund të përdoret apo jo?

Alfred Kellermann: Nuk e shoh grevën e urisë si pjesë të sistemit të demokracisë. Natyrisht mund të bëhet grevë urie. Por nuk është kjo rruga, mënyra për të arritur synimet. Ka mjete të tjera, mjete kushtetuese. Duhet respektuar ligji, duhet zbatuar ligji. Njerëzit që nuk zbatojnë ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përgjigjen para tij.

DW: Kjo nuk ka ndodhur, ZzKellerman. Kanë kaluar 10 muaj që nga zgjedhjet parlamentare. Por palët - qeveria dhe pozita - janë të vendosura në qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me hapjen e kutve. Si mund të dilet nga kjo situatë?

Alfred Kellermann: Përmes negociatave mes partive politike. Vetëm kështu mund të dilet.

DW: Në raste të mëparshme krizash politike në Shqipëri , faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol vendmtar në kapërcimin e tyre. Çfarë mund të bëjë p.sh. Brukseli, tani kur rreth 200 veta janë në grevë urie, prej 10 ditësh?

Alfrred Kellermann: Brukseli mund të ushtrojë presion duke thënë që palët të zgjidhin vetë problemet e tyre. Brukseli nuk është i interesuar të ketë më shumë probleme nga sa ka aktualisht. Tani ‘ top priority' ka zgjidhjen e krizës finanaciare në Greqi. Zgjidhja e krizës politike në Tiranë është një çështje që i takon Shqipërisë dhe nuk përbën një përparësi kryesore të Brukselit. Shkurt, Shqipëria duhet t' i zgjidhë vetë problemet e saj. Çdo negociatë është një lëvizje në drejtimin e duhur.

DW: Deri tani politikanët e Tiranës kanë dështuar të zgjidhin këtë krizë politike dhe të tilla mesazhe nga Brukseli duket se kanë rënë në vesh të shurdhër deri me tani.Çfarë do të sugjeronit kur situata politke sa shkon dhe acarohet, ndërkohë që lypset stabilitet politik?

Alfred Kellermann: Politikanët e Tiranës duhet të jenë të ndërgjegjshëm që duhet të njohin, të lexojnë mirë shumë dokumenta të publikuara nga BE lidhur me sistemin e demokracisë. Ata duhet të dinë që në këto dokumenta është mesazhi i përdorimit të rrugës konstitucionale. Greva e urisë nuk përmendet në kushtetutë. Më vjen keq, shumë keq që situata politike në Shqipëri është e tillë. Është e turpshme që palët nuk arrijnë të bëjnë negociata. Dhe duhet të negociojnë patjetër. Është e vetmja mënyrë për të bërë progres në një shoqëri demokratike.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Auron Dodi