1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga Kosova në Kabul

Shayee Hoobanoff29 Dhjetor 2005

Politikani gjerman Tom Kënigs emërohet i Dërguar i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin

https://p.dw.com/p/Ar1t
Tom Kënigs
Tom KënigsFotografi: dpa

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan ka emëruar Tom Kënigs përfaqësuesin e tij special për Afganistanin dhe kryetar të Misionit të Asistencës. Politikani i gjelbër gjerman do të zëvendësojë Zhan Arno i cili ka qenë në këtë detyrë që nga fillimi i vitit 2004. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer e ka përshëndetur emërimin dhe e ka cilësuar atë vlerësim të Kofi Ananit për përpjekjet e Gjermanisë në ruajtjen e paqes rindërtimin në Afganistan.


Eksperienca politike dhe humanitare e Tom Kënigs është mbresëlënëse. Që prej janarit të këtij viti ai është në detyrën e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare pranë Ministrisë së Jashtme gjermane.
Afganistani nuk do të jetë misioni i parë i Kënigs për llogari të Kombeve të Bashkuara. Ai ka kryesuar Misionin e Verifikimit në Guatemalë si përfaqësues i veçantë i Sekretarit të Përgjithshëm. Qëllimi i atij misioni ishte monitorimi i marrëveshjes së paqes të nënshkruar në vitin 1996 mes palëve kundërshtare në luftën civile.

61 vjeçari Kënigs ka luajtuar gjithashtu një rol kyç për Kombet e Bashkuara në Kosovë në periudhën mes viteve 1999 deri 2002, në drejtimin e administratës civile. Por çfarë e shtyn Tom Kënings tani në Afganistan? "Në rradhë të parë Kombet e Bashkuara. Unë kam punuar me shumë dëshirë për OKB-në, në Kosovë, në Guatemala dhe pas përfundimit të periudhës elektorale këtu dëshiroja të punoja përsëri për këtë organizatë. Së dyti: angazhimi i Gjermanisë dhe në përgjithësi i bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan është shumë interesant, shumë i rëndësishëm dhe një detyrë thellësisht politike e padyshim e komplikuar."

Tom Kënigs zëvendëson në detyrë diplomatin francez Zhan Arno i cili është në Afganistan që prej shkurtit 2004. Që prej konferencës për Afganistanin të mbajtur në Bon nën kujdesin e OKB-së katër vjet më parë në vënd kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rëndësishme. Janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe një parlament i ri. Por Arno thotë se ka ende shumë për të bërë: "Proçesi i Bonit ka ecur përpara mjaft mirë. Ndryshime politike ka patur vërtet por fakti që këto nuk janë shoqëruar nga reduktimi i dhunës ngre disa pyetje. Të gjithë ne, qeveria afgane dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ulemi dhe t'i shqyrtojmë me vëmendje këto çështje."

Këtu hyn në lojë Tom Kënings. Ai e merr detyrën në muajin shkurt në një periudhë kritike për Afganistanin. Qeveria po ecën me hap të sigurtë në rrugën e saj por vendi është i dërrmuar nga paqëndrueshmëria dhe sulmet e shpeshta të militantë talibanë të rrëzuar nga pushteti. Tregtia e opiumit vazhdon të lulëzojë megjithë përpjekjet ndërkombëtare dhe presionet për zhdukjen e fushave me bimë narkotike. Edhe Kënigs pranon se vërtet ka shumë për të bërë: "Pas përfundimit të proçesit të Bonit do të jetë e rëndësishme të ruajmë angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në nivel të lartë pasi ai nuk mund të jetë afatshkurtër. Afganistani do të ketë nejovë për bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare për një kohë të gjatë. Kjo duhet organizuar dhe për këtë duhet bërë lobing. Puna duhet koorduniar dhe shoqëruar politikisht. Egziston një marrëdhënie e Afganistanit me bashkësinë ndërkombëtare por duhet të ketë dhe një raport intensiv të kësaj bashkësie me Afganistanin. Problemet e rajonit dhe të vendit natyrisht që nuk zgjidhen brenda një ose dy vjetësh me një ose dy milionë ndihmë për zhvillim. Për këtë është i nevojshëm një shoqërim afatgjatë."

Atdheu i Kënigs, Gjermania, ka luajtur një rol parësor në sigurimin e stabilitetit në Afganistan. 2,500 nga 9,000 ushtarët e trupës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Afganistan janë gjermanë.

Megjithë nevojën e vazhdueshme për paqeruajtës, zgjedhjet e suksesshme dhe paqësore parlamentare në shtator u kanë dhënë shpresë vëzhguesve ndërkombëtarë se vendi po ecën në rrugën drejt stabilitetit.