Nga deputete në pastruese | Gjermania | DW | 28.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nga deputete në pastruese

Karriera e çuditshme e socialdemokrates gjermane Lilo Fridrih

Lilo Friedrich, ish deputete gjermane (SPD)

Lilo Friedrich, ish deputete gjermane (SPD)

600 deputetë ka Bundestagu gjerman. Ai politikan që arrin të bëhet deputet i ka punët në rregull. Kështu të paktën mendojnë njerëzit e thjeshtë. Socialdemokratja Lilo Fridrih nga Monhajmi, në afërsi të Dyseldorfit, ka bërë përvoja të tjera. Ish deputetja sot punon si pastruese. Me profesionin e saj të ri ajo po bëhet shumë më e njohur se në kohën kur merrej me politikë. Shtatë vjet me radhë ka qenë deputete në Bundestagun Gjerman. Në zgjedhjet e vitit të kaluar socialdemokratja nuk i fitioi votat e nevojshme për të përfaqësuar popullin në një legjislaturë të mëtejshme. "Në fillim më takuan shtatë muaj të ardhura provizore, kështu që kisha shtatë muaj kohë për të gjetur një punë të re. Unë jam nga ata deputetë që gjithmonë kanë thënë, kush kërkon, gjen. Por duhet ta pranoj, që nuk ishte aq e lehtë sa ç'mendoja. Kam bërë shumë aplikime në të gjithë zonën rreth e përqark. Reagimi ishte katastrofik. Ose dëgjoja: jeni tepër e kualifikuar ose jeni tepër e moshuar", rrëfen ajo. Ish politikanja 57-vjeçare nuk donte të rrinte kurrsesi në shtëpi. I shoqi ka dalë para kohe në pension, dy nga fëmijët janë ende duke mësuar profesionin, pensionin e saj në shumën prej 1600 Euro ajo mund ta marrë vetëm pas moshës 65 vjeçare. "Ishim ulur një natë në rrethin e familjes dhe po mendonim. Pastaj i thashë tim shoqi: se do të bëj atë që kam bërë edhe më parë kur isha në këshillin e Landit dhe zëdhënëse e qarkut për çështje sociale. Atëherë unë ngrita një projekt me emrin "Pastrim me rrota". Ai u ndihmonte të moshuarve në punët shtëpiake. Kështu mendova të hap një firmë me emrin "Shërbimi pranë shtëpisë". Sa për punë shtëpiake, Lilo Friedrih është mjeshtre. Ajo vetë ka gjashtë fëmijë dhe madje edhe kur ishte politikane merrej shumë me punët e shtëpisë, sa për hoby. Tani firma e saj ka kaq shumë punë, saqë po mendon të zgjerohet. Ishte një boshllëk tregu. "Besoj, se shumë njerëz të moshuar kanë mjaft nevojë për ndihmë por nuk e kërkojnë nga frika se dërgohen në azil. Shumë prej tyre nuk guxojnë të reagojnë ndaj ofertave nëpër gazeta. Sepse e dinë, është punë e zezë dhe e ndaluar. Për të mbushur formularët përkatës përsëri është shumë e ngatërruar për të moshuarit. Kurse tek unë ata janë klientë dhe nuk e vrasin mendjen për asgjë. Është një zgjidhje ideale," - konstaton ajo. Nga kolegët e saj të Bundestagut ish-deputeten nuk e ka vizituar askush. Por mediat janë shumë të interesuara për ish politikanen që është bërë pastruese. Ajo viziton spektakle televizive, intervistohet nëpër revista e gazeta. Fama e saj është më e madhe, se nga koha kur ishte deputete. "Kam marrë shumë letra nga gra, shumë telefonata, që më kanë thënë se po bëj diçka të mrekullueshme. Edhe ato kishin aplikuar dhe askush nuk i donte në punë. Pikërisht këtyre grave dua t'u jap kurajo. Ky është shkaku se përse dal nëpër media. për t'u thënë, mos rrini në shtëpi, si për të ardhur keq, por ka edhe gjëra të tjera në jetë."
  • Data 28.08.2006
  • Autor Klaus Ulrih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzd
  • Data 28.08.2006
  • Autor Klaus Ulrih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzd