1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ngërç politik - Kosova në prag të mbledhjes konstituuese të parlamentit

Bekim Shehu10 Korrik 2014

PDK-se, thotë se ajo e ka grupin më të madh parlamentar dhe i takon ta propozojë dhe zgjedhë kryetarin e kuvendit. Blloku opozitar thotë se i takon atij zgjedhja e kryetarit, sepse ka tani grupin më të madh parlamentar.

https://p.dw.com/p/1CaCi
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Deputetët e tri subjekteve politike, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe të Nismës për Kosovën, u regjistruan në Kuvendin e Kosovës si një grup parlamentar. Me këtë veprim, deputetët e bllokut opozitar po synojnë që të jenë grupi më i madh parlamentar me 47 deputetë në kuvend, në mënyrë që ta marrin postin e kryetarit të kuvendit me mbështetjen edhe të lëvizjes Vetëvendosje, e cila përfaqësohet me 16 deputet.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se LDK, AAK dhe Nisma do të prezantohen në kuvend si një Grup dhe se ai vetë do të jetë kryetar i këtij grupi parlamentar. "Do të shkojmë në kuvend si grupi më i madh parlamentar. Këto procedura lejohen, sepse deputetët janë të lirë vetë të vendosin se cilit grup parlamentar do t'i takojnë".

Mirëpo, ish-shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Adem Grabovci, thotë se PDK që ka 37 deputetë, mbetet grupi më i madh parlamentar, sepse sipas tij, ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, nuk njohin koalicione paszgjedhore, siç është rasti me koalicionin pas zgjedhor të bllokut të partive opozitare LDK, AAK dhe Nisma. Sipas tij: "ligjet dhe Kushtetuta nuk njohin koalicione të tjera, përveç atyre parazgjedhore, me të cilat hyjmë në zgjedhje dhe e njeh atë rezultat të zgjedhjeve".

Sidoqoftë, më 17 korrik presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, caktoi seancën konstituuese të Parlamentit të Kosovës. Në këtë seancë pritet të vërtetohet grupi më i madh parlamentar, të cilit i takon edhe propozimi i parë për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit të Kosovës. Mirëpo, analistët e pavarur qysh në këtë seancë parashohin ngërçin e parë politik rreth të së drejtës për kryetar të kuvendit. Këto ditë në debate të shumta është përmendur edhe çështja e një qeverie teknike, si një nga idetë e shumta, për të evituar siç thuhet ngërçin politik. E gjithë kjo pas ndarjes së spektrit politik kosovar tashmë në dy blloqe. Imer Mushkolaj, analist i pavarur, i tha DW-së, se krijimi i një qeverie teknike është i mundshëm nëse nuk zgjidhet ngërçi politik. "Kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe, po qe se ekziston vullneti politik, qeveria do të krijohet pa pasur nevojë për zgjedhje të reja, të cilat nuk do t'i konvenonin askujt në këtë moment, përveç PDK-së. Sidoqoftë, çfarëdo qeverie që do të krijohet nuk do të mund ta çojë mandatin deri në fund. Zgjidhja për konstituimin e institucioneve duhet gjetur shpejt, përndryshe, kriza do të thellohet dhe qytetarët janë ata që do të pësojnë më se shumti", thotë Imer Mushkolaj.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve vazhdimisht e përsërisin se prania ndërkombëtare nuk përzihet në formimin e institucioneve. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, thotë se u takon partive politike, që pas zgjedhjeve të cilat ishin mirë të organizuara, t'i formojnë vet institucionet e reja. "Dua të them në fund se shpresoj që nuk do të ketë nevojë për një mision tjetër vëzhgues gjatë këtij viti në Kosovë", tha Samuell Zhbogar gjatë një ceremonie, që u zhvillua për dhurimin organizatave joqeveritare vendase e pajisjeve teknike të vëzhguesve të BE-së që monitoruan nga afër zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit.