1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nenad Andriq mbi bashkëjetesën në Kosovë

Bahri Cani10 Tetor 2013

Nenad Andriq, një prej themeluesve të organizatës joqeveritare GAIA është dhe bashkëpunëtor i organizatës Balkansunflowers. Ai beson në perspektivën e bashkëjetesës në Kosovë.

https://p.dw.com/p/19x03
Fotografi: DW/B. Cani

DW: Me cilat aktivitete merren organizatat joqeveritare, ku ju punoni?

Nenad Andriq: Organizata Balkansunflowers merret kryesisht me edukimin e minoriteteve dhe mban mësime plotësuese. Ndërsa GAIA angazhohet për të drejta të barabarta të të gjithë qytetarëve: për të drejtat e minoriteteve, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes... Qëllimi ynë është promovimi i të drejtave të barabarta dhe krijimi i një atmosfere, ku të gjithë mund të jetojnë së bashku dhe të barabartë.

DW: Cilat aktivitete keni zhvilluar deri tani dhe ku kanë qenë pikërëndesat?

Nenad Andriq: Në fillim kemi mbajtur kryesisht aktivitete të ndryshme nëpër kampe, si pjesë e projekteve Civil Service International (CSI), që është themeluar në vitin 1920, si organizatë për rindërtimin e Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Parë Botërore. Qëllimi i këtyre kampeve është që njerëzit e bashkësive të ndryshme etnike të mblidhen në një vend dhe të punojnë së bashku për të mirën e këtyre vendeve dhe shoqërive. Kampet përbëhen prej dy pjesëve: punës fizike dhe aktiviteteve edukative. GAIA ka nisur me kampin e parë në vitin 2009. Deri tani kemi pasur më shumë se 15 kampe pune në Plementinë, por këtë vit do të kemi edhe kampin e parë në Shtime.

DW: Mund të na shpjegoni pak, si zhvillohen këto kampe dhe çfarë pune bëni ju atje?

Nenad Andriq: Kampi i parë ka pasur për qëllim sistemimin e personave, që janë kthyer në Kosovë. Përmes këtij kampi pune është ndihmuar jo vetëm sistemimi, por edhe integrimi i tyre në shoqëri. GAIA ka organizuar ardhjen këtu të 12 vullnetarëve nga mbarë bota, të cilët kanë ndihmuar në meremetimin e dy godinave. Por ata kanë shkëmbyer mes vete edhe mendime dhe përvoja me rininë e Plemetinës, si dhe kanë njohur kulturat e njëri tjetrit.

DW: Plemetina është një prej fshatrave të rralla në Kosovë, ku së bashku jetojnë shqiptarë, serbë dhe romë. Keni kontakte me njëri-tjetrin dhe si zhvillohen ato?

Nenad Andriq: Rinia në Plemetinë dëshiron të jetë aktive. Por aktivitetet lidhen kryesisht me rrjetet sociale në internet. Vlerat e vërteta të rinisë po zhduken ngadalë, sepse kontaktet fizike janë gjithnjë e më të rralla. Plemetina është një enklavë e posaçme, që është një fjalë për geton moderne, ku rinia është mbyllur në vetvete. Për këtë rini nuk kujdeset askush dhe ajo nuk ka shumë mundësi për aktivitete. Aktivizimi i rinisë ka qenë dhe është edhe një prej qëllimeve kryesore të organizatës GAIA. Qëllimi është që rinia të ngrihet dhe të luftojë për të drejtat e veta. GAIA e bën këtë përmes angazhimit të rinisë në fusha të ndryshme artistike, përmes filmit, muzikës, fotografisë dhe punimeve me temën kundër diskriminimit dhe militarizmit. Pra duam që rinia të merret me gjëra të tjera të vlefshme dhe jo me gjëra të rrezikshme.

DW: A keni mbështetjen e autoriteteve në Plemetinë, në Obiliq dhe në Prishtinë?

Nenad Andriq: Si organizatë joqeveritare, e cila mbledh përfaqësuesit e të gjitha grupeve etnike të Kosovës, shpesh na kanë quajtur si organizatë serbe, apo shqiptare, apo rome, e madje edhe organizatë e homoseksualëve, për shkak të emrit. Por e vërteta është që ne nuk kemi kurrfarë mbështetje të autoriteteve zyrtare, të paktën deri tani. Ne po përpiqemi t'u ikim qarqeve politike. Por në Kosovë aktualisht është kaos, ku po ndeshen dy zjarre mes vete. Plemetina është ndoshta shembulli më i mirë i një gjendje të këtillë, sepse këtu kemi dy komuna: një serbe dhe një kosovare. Komuna serbe është në Plemetinë, ndërsa ajo kosovare në Obiliq.

DW: Po si funksikonojnë këto dy komuna të të njëjtit fshat? Domethënë ju jeni plotësisht të ndarë, për nga ana administrative?

Nenad Andriq: Varet si i shikoni këto gjëra, sepse komuna kosovare mohon ekzistencën e komunës serbe, ndërsa ajo serbe pohon se nuk ka komunë kosovare të Plemetinës. Pra ekzistojnë dy komuna, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën.

DW: Dhe si jeton popullata e Plemetinës në këto kushte?

Nenad Andriq: Shumë vështirë. Një shembull konkret është problemi me rrugët, të cilat nuk janë rregulluar në dhjetë vitet e fundit. Këto dy komuna nuk e njohin njëra - tjetrën zyrtarisht, por kur bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve, ato ia hedhin përgjegjësinë palës tjetër dhe thonë: fajin e ka komuna tjetër. Ndërkohë që tensionet politike po shtohen gjithnjë e më shumë.

DW: Çka do të thotë kjo: tensioni politik po rritet? Si manifestohet kjo rritje e tensioneve?

Nenad Andriq: Së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ky mbase është shembulli më i mirë i rritjes së tensioneve këtu. Atmosfera po vlon, sepse në njërën anë kemi ata, që duan të kandidojnë për postin e kryetarit të komunës dhe për këshilltarë. Ndërsa në anën tjetër janë ata, që kundërshtojnë zgjedhjet. Ne këtu kemi dy sisteme paralele, sepse këtu ekzistojnë dy shkolla të posaçme në gjuhën serbe, shkolla fillore dhe e mesme, kemi shtëpinë e shëndetit dhe komunën serbe. Njerëzit gjatë viteve të kaluara janë lidhur me këto institucione. Shumë prej tyre edhe punojnë në këto institucione. Ndërsa tani dëgjojmë se në Bruksel janë arritur disa marrëveshje dhe njerëzit kanë frikë se çfarë do të ndodhë nesër.

DW: Po si dhe ku e shohin ardhmërinë e tyre të rinjtë serbë nga Plemetina?

Nenad Andriq: Në Plemetinë ekzistojnë aktualisht 13 gjenerata, që kanë kryer shkolla dhe fakultete të ndryshme dhe nuk kanë kurrfarë pune. Më e keqja është që ata kanë nisur të mësohen me këtë gjendje dhe shumë prej tyre kanë ngritur duart nga lufta për të ardhmen. Në një farë mënyre jemi bërë edhe të varur, sepse gjithmonë shikojmë diku lart dhe presim që dikush tjetër të na i zgjidhë problemet tona.

DW: Çfarë duhet bërë për zgjidhjen e problemeve, çfarë mund të bëni ju në këtë drejtim?

Nenad Andriq: Si i ri unë vetes kurrë nuk i kam parashtruar barriera. Unë jam serb dhe jam krenar që jam serb, por kurrë nuk e kam urryer dikë tjetër. Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me të tjerët. Ndoshta jam i marrë, por besoj në ardhmërinë time këtu. Nuk më intereson se cili do të jetë emri i shtetit, kush do të jetë president, apo kryeministër. Unë dua të kem një jetë normale për veten dhe nesër për familjen time dhe nuk dua që ata të përjetojnë gjëra, që kemi përjetuar ne: pra luftëra, bombardime dhe vuajtje të këtilla.

DW: Të rinjtë këtu duan të kenë pra një jetë normale, por me siguri që ju interesojnë edhe zhvillimet politike?

Nenad Andriq: Na interesojnë deri diku. Kosova ka popullatën më të re në Evropë dhe, ndoshta unë jam i marrë, por mendoj se rinia një ditë do të ngrihet kundër një qeverie, e cila nuk e respekton rininë. Një shembull i mirë: rinia e Plemetinës ka dorëzuar vetë një listë për zgjedhjet lokale të organizuara nga qeveria e Kosovës. Më vjen shumë mirë për këtë, sepse do të thotë se rinia më në fund është zgjuar nga gjumi i panevojshëm dhe ka vendosur që gjërat t'i marrë në duart e veta.

DW: Kjo do të thotë se megjithatë ekziston një perspektivë e bashkëjetesës, apo jo? Besoni ju në këtë bashkëjetesë, apo mendoni se ndasitë janë aq të mëdha, saqë nuk ka një perspektivë të këtillë?

Nenad Andriq: Po besoj definitivisht. Mendoj se edhe të tjerët do të besojnë shumë shpejt. Ne e kemi dëshmuar në të kaluarën se mund të jetojmë së bashku. Hapat e fundit të Beogradit dhe Prishtinës në dialog janë shumë të rëndësishëm dhe jam i bindur që njerëzit këtu do t'i mbështesin marrëveshjet. Njerëzit jetojnë këtu së bashku që 200-300 vjet. Mendoj se problemet janë fryrë pa nevojë, por shpresoj se njerëzit do të këndellen dhe do t'i kthehen bashkëjetesës.

DW: Do të merrni Ju pjesë në zgjedhjet lokale me 3 nëntor?

Nenad Andriq: Natyrisht që po!