Negociatat për Qipron hyjnë në fazën vendimtare. | Evropa | DW | 29.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Negociatat për Qipron hyjnë në fazën vendimtare.

Harta e Qipros

Harta e Qipros

Pasi bisedimet dypalëshe nuk sollën asnjë rezultat, të hënën (29.03.04) në tryezën e negociatave për të ardhmen e Qipros janë ulur katër palë negociuese. Përveç përfaqësuesve të grekëve dhe turqve në ishull në bisedimet që po zhvillohen në Zvicër tani marrin pjesë dhe vendet "mëma" Turqia dhe Greqia. Kjo megjithatë nuk e lehtëson aspak drejtimin e bisedimeve nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan. Për më tepër që koha në dispozicion është e pakët pasi më 1 maj sipas dëshirës së bashkësisë ndërkombëtare në BE duhet të hyjë një Qipro e ribashkuar.

Negociatat nisën kur ende binte dëborë por ndërkohë në Byrgenshtok pranë liqenit Firvaldshteter shihen shenjat e para të pranverës. Për vetë bisedimet nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Ato zhvillohen të fshehura nga publiku në disa hotele luksoze. Por sipas informacioneve që kanë depërtuar deri tani në veshët e publikut nuk duhet të ketë patur përparime. Mesa duket palët në konflikt nuk kanë arritur madje as të ulen rreth një tryeze të përbashkët bisedimesh. Negociatorit të Kombeve të Bashkuara Alvaro de Sotto i duhej të shkonte nga njëra palë tek tjetra megjithëse koha në dispozicion është e shkurtër. Deri në 31 mars sipas planit të Kombeve të Bashkuara duhet të jetë arritur një marrëveshje. Që prej ditës së shtunë punën e ka marrë në dorë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan. Ai po përpiqet të negociojë personalisht në Byrgenshtok. Të djelën në mbrëmje ai organizoi madje një pritje që kishte si qëllim përmirësimin e atmosferës. Që prej së djelës në mbrëmje i pranishëm është edhe kryeministri grek Kosta Karamanlis. Të hënën rrethit të negociatorëve iu shtua edhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan, i cili vjen në këto bisedime i forcuar nga fitorja në zgjedhjet komunale në Turqi. Me këtë trio shpresohet të lëvizë më në fund diçka në historinë pa fund të konfliktit të Qipros.
Një prej çështjeve më të vështira është rikthimi i refugjatëve grekë në pjesën turke të ishullit. Turqit e Qipros druhen se do të jenë në dizavantazh përballë grupit më të madh e më të pasur të grekëve në ishull. Një plan paqeje i paraqitur nga Kofi Anan propozon në fakt kthimin vetëm të një pjese të refugjatëve grekë. Por kjo mund të sjellë në të ardhmen probleme me parimin e lëvizjes së lirë brenda BE-së. Turqit e Qipros kanë kërkuar ndërkohë nga Anan ndryshime në planin e paqes. Sipas të dhënave të diplomatëve Anan ka bërë ndryshime në disa pjesë dhe projekti i ri i planit të paqes thuhet se është paraqitur të djelën në mbrëmje. Vëzhguesit presin pas fitores në zgjedhje të Erdoanit një qëndrim më fleksibël nga Turqia. Nga ana tjetër pala turke duket se ka siguruar për pozicionin e saj edhe mbështjetjen e ShBA.
Nëse bisedimet dështojnë Kofi Anan ka të drejtë të marrë vetë vendim për çështjet e kontestuara. Qipriotët do të votojnë megjithatë në prill për këtë plan. Nëse ai refuzohet prej tyre në 1 maj vetëm pjesa greke e ishullit do të bëhet anëtare e BE-së.

  • Data 29.03.2004
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHq
  • Data 29.03.2004
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHq