″Ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit″ - Sekreti bankar diskutohet nga zviceranët | Ekonomia | DW | 04.02.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ekonomia

"Ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit" - Sekreti bankar diskutohet nga zviceranët

Në Zvicër vërehet një ndryshim në qëndrimin ndaj sekretit bankar. Përveç partisë së djathtë popullore tani të gjitha partitë e tjera janë për një kooperim të gjerë për pengimin e evazionit fiskal.

Lagjia e bankave në Zyrih, Zvicër

Lagjia e bankave në Zyrih, Zvicër

'Nuk është në interesin e Zvicrës, që të tërheqë para të patatuara'

Toni nga Berna po bëhet më pajtues. Duam të mbetemi në bisedime me Gjermaninë, u tha të mërkurën (3.1) pas një konsultimi të qeverisë zvicerane, të Këshillit Federal. Përveç kësaj forumi shtatëanëtarësh theksoi sërish qëndrimin e tij, se nuk është në interesin e Zvicrës, që të tërheqë nga jashtë shtetit para të patatuara. Bisedimet, që po zhvillohen për një marrëveshje për tatim të dyfishtë, duhen vazhduar. Me këtë marrëveshje duhet të përcaktohet, se në ç'masë do të zbutet sekreti bankar dhe si do t'u ndihmojë Zvicra në të ardhmen autoriteteve financiare gjermane në rastet e evazionit fiskal.

Më parë edhe deputetë nga kampi konservator kishin ndryshuar qëndrim në këtë çështje. Fronti për mbrojtjen e sekretit bankar po merr gjithnjë e më shumë të çara. Evazioni fiskal në shkallë të gjerë duhet të marrë fund, thotë Werner Messmer, politikan liberal nga kantoni Thurgau.

„Presioni tani rritet në atë formë, saqë ne duhet të ndryshojmë qëndrim. Nuk duhet të ndodhë, që vendi ynë të pasurohet prej njerëzve, që duan t'i shmangen pagimit të taksave në vendin e tyre dhe në këtë mënyrë i sjellin të hollat në vendin tonë. Kjo nuk mund të jetë e ardhmja."

Dy, ndoshta tre bilionë para të huaja, askush nuk e di me saktësi se sa, gjenden në xhirollogaritë e bankave të Zvicrës. Qindra miliarda prej tyre janë para të fituara në rrugë ilegale. Me ndihmën e bankierëve zviceranë vetëm gjermanët kanë kaluar pa paguar në zyrën e tatimeve 100 miliardë euro. Urs Schwaller, shefi i fraksionit të kristiandemokratëve në Këshillin Kombëtar, kërkon që bankat zvicerane të gjejnë më në fund një model të ri për vete."

„Ne duam që të konsiderohemi si qendër bankare e cilësisë së parë dhe jo të tregohemi gjithmonë me gisht nga jashtë shtetit, si strehë e evazionit dhe e arkave me para të papastra."

Kërkohet një strategji për të ardhmen e Zvicrës si qendër e bankave

Shefja e fraksionit të socialdemokratëve, Ursula Wyss, kërkoi në televizionin zviceran që qeveria e Zvicrës, Këshilli Federal, të mos luajë më gjatë me kohën. Në vend të kësaj, të shtatë ministrat duhet të mendojnë një strategji për të ardhmen e Zvicrës si qendër e bankave.

„Tani nevojitet një ofensivë e Zvicrës. Ne duhet të themi fare qartë, që të na kuptojnë mirë në botë: se evazion fiskal nuk do të ketë më në Zvicër. Dhe atëherë Zvicra si qendër financiare do të ketë përsëri një perspektivë, po ashtu edhe ekonomia zvicerane."

Ajo që para disa javësh dukej si e paimagjinueshme: Vetë politikanët konservatorë janë tani për verifikimin e të dhënave, që do të thotë se autoritetet e huaja financiare mund të kenë në të ardhmen pa vështirësi akses në të dhënat bankare të Zvicrës. Një gjë e pakëndshme në sytë e Presidentit të Partisë së djathtë konservatore popullore zvicerane, Toni Brunner.

„Shkëmbimi automatik i të dhënave nuk duhet të ekzistojë as në të ardhmen. Ne do të mbrohemi. Ne do të përpiqemi, që edhe në anën zvicerane të mund ta ruajmë këtë privilegj standart, përsa i përket sekretit të klientelës së bankave.“

Po të varej nga Partia Popullore Zvicerane, në çështjen e sekretit bankar çdo gjë do të mbetej si më parë. Por gjithnjë e më shumë ekspertë të bankave janë të mendimit, se sekreti bankar i Zvicrës së shpejti do të bëjë pjesë në histori.

Autor: Pascal Lechler/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.02.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LsB0
  • Data 04.02.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LsB0