″Ne do të bindim me fuqinë tonë vetjake″: Annegret Kramp-Karrenbauer flet për DW | Gjermania | DW | 10.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Ne do të bindim me fuqinë tonë vetjake": Annegret Kramp-Karrenbauer flet për DW

Kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer u shpreh gjatë kongresit të partisë në Hamburg për strategjitë e ardhshme të CDU-së dhe trajtimin e Rusisë përballë krizës së Krimesë.

DW: Zonja Kramp-Karrenbauer, ju arritët një fitore me diferencë shumë të vogël votash. Ka shumë njerëz në parti, të cilët do të kishin dëshiruar që partia të merrte një pozicion më konservator. Si i kënaqni këta të zhgënjyer, çfarë u ofroni?

AKK: Ne përjetuam një kongres partie, i cili me të vërtetë qe i polarizuar në debate, pikërisht në alternativa. Por më parë konstatuam gjithashtu, që përmbajtjet nuk dallohen midis kandidatëve. Kështu që njësoj si Friedrich Merzi dhe Jens Spahn-i unë përfaqësoj një pozicion, që e drejta për shembull duhet të zbatohet në mënyrë shumë konsekuente. Kjo buron nga historia ime si ministre e Brendshme: dhe këtë do ta vëmë në rrugë për shembull në kuadër të një seminari për temën e migrimit, për temën e sigurisë së brendshme pranverën e ardhshme.

Vitin e ardhshëm keni tri zgjedhje të rëndësishme në landet lindore të Gjermanisë. Në Gjermaninë lindore partia populiste AfD është veçanërisht e suksesshme. Si doni t'i rifitoni zgjedhësit e AfD-së?
 
AKK: Me fuqinë tonë vetjake. E para është që edhe në këto fushata elektorale, që ne e pranojmë që nuk do të jenë të lehta, nuk do të orientohemi te partitë e tjera, por do të paraqitemi fort si CDU lokale. Për këtë ekzistojnë një sërë temash rajonale, bilance të mira, dhe përsa u përket landeve ku jemi në opozitë, edhe kritika të justifikuara ndaj qeverisë. Me siguri që do të dalin edhe tema më të përgjithshme, si çështja sociale, tema e pensioneve, këtu duhet t'i koordinojmë mirë pozicionet edhe në pikëpamje organizative. Por, siç e thashë, pozicioni bazë është: ne duam t'i bindim njerëzit me fuqinë tonë dhe ta bëjmë këtë në një mënyrë të tillë që zgjedhësit të kthehen edhe njëherë te ne.

Në Francë rrugët janë në flakë, njerëzit dalin në rrugën sepse luftojnë kundër pabarazisë sociale. A mund të mësoni gjë nga kjo për Gjermaninë?

AKK: Unë besoj se Gjermania është në një situatë tjetër, sepse ne kemi një sistem, me ekonominë sociale të tregut, për shembull me sistemin e partneriteteve tona sociale, ku shumë çështje dhe konflikte diskutohen dhe rregullohen me njëri-tjetrin edhe në struktura të rregullta. Shpresoj shumë që paqen, paqen sociale, të cilën e kemi në këtë mënyrë, të mund ta ruajmë vërtet edhe në Gjermani, sepse e shohim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Francën apo për shtete të tjera, se sa e vështirë është, kur thyhen rregullat për të cilat në thelb është rënë dakord, dhe kur konfliktet, krejtësisht të justifikuara në tematikë, shkallëzohen dhe kalojnë në dhunë.

Muajt e fundit ju jeni pozicionuar edhe në politikën e jashtme, për shembull në drejtim të Rusisë, ku kërkoni sanksione më të forta, që shkojnë më larg.

AKK: Ne duhet të mbajmë edhe njëherë parasysh, edhe tani përballë ngjarjeve më të fundit në Ngushticën e Kerçit, që fillesa si të thuash e diskutimit dhe e konfliktit është aneksimi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i Krimesë, përzierja në Ukrainën Lindore dhe që ne duhet të bëjmë shumë të qartë, si përmes sanksioneve, që kemi, por edhe në reagim të incidentit, që këtë mënyrë të marrjes së tokës në Evropë nuk e durojmë dhe se nuk mund ta durojmë. Është shumë e qartë që Deti Azov nuk është det i brendshëm rus dhe është edhe në interesin evropian, në interes ndërkombëtar që kjo të sqarohet dhe të kujdesemi për këtë.

Ju thatë që ndiheni pa asnjë problem e aftë për të qenë kancelare. A besoni megjithatë se kancelarja Merkel do ta përfundojë legjislaturën dhe do të jetë edhe tre vjet të tjera kancelare?

AKK: Atëherë: ne kemi një qeveri federale që është zgjedhur për këtë legjislaturë. Angela Merkeli ka thënë se është në dispozicion për ta përfunduar këtë legjislaturë. Dhe kongresi i partisë e bëri shumë të qartë, se edhe e dëshiron këtë dhe kjo është edhe dëshira ime personale. Dhe detyrën time si shefe e partisë në pushtet unë e shoh edhe që të kujdesem, që kjo qeveri të ketë stabilitetin e nevojshëm, në mënyrë që të plotësojë mandatin e zgjedhësve.

Annegret Kramp-Karrenbauer, përzemërsisht falemnderit për këtë intervistë.