• Ndryshimi i kabinetit qeveritar në Francë • Angela Merkel kandidate për kancelare në Gjermani • Dënimi i shefit të koncernit Jukos Hodorkovski në Moskë | Studimi në Gjermani | DW | 31.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• Ndryshimi i kabinetit qeveritar në Francë • Angela Merkel kandidate për kancelare në Gjermani • Dënimi i shefit të koncernit Jukos Hodorkovski në Moskë

Jo-ja e referendumit çoi në ndryshimin e kabinetit qeveritar në Francë

Jo-ja e referendumit çoi në ndryshimin e kabinetit qeveritar në Francë

Gazetat gjermane i kushtojnë sot vëmendje ndryshimit të kabinetit qeveritar në Francë, zgjedhjeve të parakohshme që pritet të zhvillohen në Gjermani si dhe dënimit të Hodorkovskit në Moskë.

"Ndryshimi i kabinetit qeveritar në Francë është një lloj gotitjeje çlirimi, por presidenti nuk është në gjendje që me këtë hap të fshehë dobësinë e vet. - shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung". Për të ruajtur pushtetin ai emëroi në krye të qeverisë një mik dhe një armik. Ata do të jenë mjaft të zënë me përmirësimin e humorit të brendshëm, sepse vota e së dielës ishte shprehje e mosbesimit ndaj presidentit. Emërimi i Dominique de Villepin sjell në postin e kryeministrit një politikan pak popullor, por me mjaft përvojë në parketin ndërkombëtar. Presidentit dhe kryeministrit të tij të ri u duhet tani të fitojnë sërish besimin që humbi të dielën Franca në Evropë. Franca është dobësuar."

Kurse në gazetën "Hamburger Morgenpost" për këtë temë lexojmë:

"Kështu e ka jeta. Në fakt me referendumin e së dielës francezët dëshironin të çonin prapa diellit presidentin e tyre. Po Jaques Chirac-u flak jashtë skllavin e tij kryeministrin, sipas fatit të zakonshëm të kryeministrave francezë. Rroftë dueti Villepin/Sarkozy. Po a do të ndryshojë gjë kjo përjekje? Pse pikërisht Villepini, një orator i shkëlqyer, dhe njëherazi edhe një aristokrat elitar, do ta rivendosë kontaktin me popullin, që Chirac ka kohë që e ka humbur? Punëtorët, fshatarët, por edhe nëpunësit dhe përfaqësuesit e shtresës së mesme në Francë e kanë humbur besimin se Parisi është i gatshtëm t'i mbrojë prej neoliberalëve në Komisionin e BE-së, të cilët dëshirojnë t'i zhdukin të gjitha qoshet sociale të vendeve të BE-së, që prej ndërmarrjeve shtetërore e deri tek klauzolat mbrojtëse për firmat e vogla që ofrojnë shërbime. Chiracu u dënua për të njëjtin dështim si edhe Shrëderi, po ky i fundit nuk ka një Raffarin, që ta flakë."

Në mediat gjermane i kushtohet vend edhe kandidates së partive të djathta gjermane për postin e kancelares, Angela Merkel. Sado që këto parti po e shfrytëzojnë mjaft mirë për të mbledhur pikë në elektorat faktin që për herë të parë në historinë e Gjermanisë, për postin e kancelarit, kandidon një grua, e cila aq më tepër vjen edhe nga ish-RDG-ja, pra mishëron edhe qëllimet e bashkimit gjerman, komentatorët janë të mendimit, se pas fasadës nuk fshihet ndonjë thelb që do të sjellë ndryshimet që pret Gjermania.

"Sa i shkëlqyeshëm që ishte prezantimi i Angela Merkelit si kandidate për kancelare e partive të djathta, aq e zbehtë dhe e flashkë është deri tani përmbajtja e programit dhe e ideve të tyre. - shkruan gazeta "Heilbronner Stimme". Kryetarja e demokristianëve thotë se dëshiron të ulë taksat ndaj të ardhurave dhe madje përcakton edhe shifra konkrete. Ajo premton se do të zhvillojë një fushatë elektorale të ndershme. E dëgjon dhe të behet të brohorasësh dhe të thërrasësh një bravo të dyfishtë. Po, kush do t'i paguajë këto lehtësime fiskale? Këtë nuk e di as CDU/CSU-ja. Disa politikanë demokristianë kërkojnë me plot zë rritjen e tvsh-së, të tjerë e hedhin poshtë këtë ide, e të tjerë akoma e shmangin përgjigjen për këtë çështje. Po zgjedhësit duan qartësi. Sërish partitë konservatore gjenden përpara një çështjeje vendimtare, asaj të koncepteve."

Në fund ndalemi në procesin ndaj Hodorkovskit, i cili u dënua me nëntë vjet heqje lirie. Komentatorët shikojnë në dënimin e Hodorkovskit një dëshmi se në Rusi nuk mbetëron shteti ligjor.

"Në proces nuk u shpall i fajshëm vetëm ish-shefi i koncernit Jukos Hodorkovski, por edhe shteti rus si dhe drejtësia ruse, e cila vazhdon t'u bindet atyre që kanë në dorë pushtetin. Në Moskë ka shpërthyer një luftë e ashpër mes përfituesve prej procesit të privatizimit gjatë kohës së Jelsinit dhe drejtuesve të firmave të kohës së Punitit, që deri dje mbanin uniformat e punonjësve të shërbimit sekret apo të ushtrisë. Ish-shefi i KGB-së është në anën e atyre që duan t'i sigurojnë Kremlinit kontrrollin ndaj degëve kyç të industrisë. Rishtetëzimi i koncernit Jukos i bërë me mjete pseudojuridike, nuk do të mund të kryhej pa miratimin e Putinit."

Ndërsa gazeta "Eßlinger Zeitung" shkruan:

"Në një shtet ku sundon ligji Hordokovskit do t'i ishte bërë një proces i drejtë. Ky proces tregoi se megjithë përbetimet e presidentit Putin Rusia është me qindra kilomentra larg shtetit ligjor. Në këtë mes nuk do të ndryshojë gjë as kalimi i çështjes në gjykatën e apelit. Vetëm Gjykata Evropiane në Straßburg mund të arrinte që kjo çështje të gjykohej me drejtësi."

  • Data 31.05.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvI
  • Data 31.05.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvI