1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndikimi i Beogradit zyrtar në Kosovë pengesa kryesore për mosintegrimin e serbëve në shoqëri

30 Maj 2009

Përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, thonë se serbët nuk u besojnë institucioneve kosovare duke penguar kështu integrimin e komunitetit serb në shoqëri.

https://p.dw.com/p/I0X6
Pamje nga PrishtinaFotografi: Filip Slavkovic

Autoritetet e Prishtinës u bëjnë vazhdimisht thirrje serbëve të Kosovës, që të përfshihen në institucione dhe të integrohen në shoqërinë kosovare. Thirrjet e Prishtinës nuk u drejtohen vetëm serbëve të Kosovës por edhe Beogradit zyrtar. Por shumica e serbëve të Kosovës nuk u besojnë institucioneve vendase dhe tash e dhjetë vjet që nga përfundimi i luftës ata funksionojnë vetëm me strukturat e tyre paralele që financohen nga qeveria e Beogradit.

Serbët kërkojnë më shumë transparencë nga autoritetet kosovare

Rada Trajkoviq, nënkryetare e këshillit kombëtar të serbëve për Kosovën Qëndrore, thotë se politika e Prishtinës zyrtare nuk është e sinqertë në raport me serbët e Kosovës dhe ky është shkaku pse serbët nuk u besojnë institucioneve të saj: “Për mua është shumë me rëndësi dhe gjithmonë e kam thënë se institucionet e nivelit qendror dhe lokal nuk duhet të funksionojnë si deri me tash, por në bazë të akteve normative dhe të kenë legalitet të plotë si edhe transparencë. Tek serbët e Kosovës tashmë është krijuar përshtypja se nëse i afroheni një zyrtari të institucioneve të Kosovës dhe ai u drejtohet serbëve me një gjuhë që nuk e kuptojnë, atëherë mendoj se kjo bëhet qëllimsht."

Trajkoviq shton se sipas saj, shumica e politikanëve kosovarë i trajtojnë serbët vetëm si pjesë të një shteti, e jo si qenie njerëzore.

Financimi i strukturave paralele la efekt negativ ndaj integrimit të serbëve në vend

Ndërkohë qeveria e Kosovës sheh si pengesë kryesore në integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare ndikimin që ka Beogradi zyrtar tek serbët e Kosovës, përmes financimit të strukturave paralele. Qeveria ka kërkuar disa herë ndihmë edhe nga mekanizmat ndërkombëtar që të ndalohet veprimtaria e strukturave paralele serbe, por pa efekt.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se qeveria ndan çdo vit mjete të vecanta për kthimin e serbëve në Kosovë. Përgjegjëse për kthimin e serbëve në Kosovë, është ministria e kthimit e cila drejtohet nga një serb i Kosovës, Sasha Rashiq. Ministri Rashiq, thotë se ministria që ai drejton ka një buxhet prej 7.5 milion euro dhe sipas tij ky fond është shumë i vogël nëse merren parasysh kërkesat që vijnë nga komuniteti serb.

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për më shumë vullnet nga të dyja palët

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith, i cili mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, thotë se përfshirja e serbëve në institucionet kosovare është rruga e vetme për serbët që të zgjidhin problemet që ata i mundojnë: “Mendoj se më pak vullnet nga të dyja palët problemet do të zgjidheshin dhe serbët e shqiptarët do të mund të jetonin së bashku në paqe. Unë dua ta them një fjale të urtë gjermane. “Problemi që shtyhet vazhdimisht nuk zgjidhet”, prandaj mendoj se integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare dhe përfshirja e tyre në institucione nuk duhet të shtyhet më. Kërkoj nga të gjithë njerëzit vullnet të mirë që të kontribuojnë në afrimin e serbëve dhe shqiptarëve sepse vetëm kështu Kosova mund të arrijë standarte evropiane."

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Sonila Harasani