1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndahet nga jeta presidenti venezuelas Hugo Chavez

6 Mars 2013

Pas vdekjes së kreut të shtetit të Venezuelës, presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri thirrje për 'marrëdhënie konstruktive' midis dy vendeve.

https://p.dw.com/p/17r9y
Hugo Chavez
Fotografi: picture-alliance/Photoshot

Pas vdekjes së presidentit Hugo Chavez në Venezuelë është shpallur një javë zie. Këtë e bëri të ditur Ministri i Jashtëm Jaua në kryeqytetin Caracas. Chavezi do të varroset të premten pas një ceremonie të përmortshme publike. Ai vdiq në moshën 58-vjeçare si pasojë e sëmundjes së kancerit. Chavezi u zgjodh president për herë të parë në vitin 1998 dhe u konfirmua së fundmi në tetor 2012.

Sipas kushtetutës tani duhet të zhvillohen zgjedhje të reja brenda 30 ditësh. Deri atëherë detyrat shtetërore i merr përsipër zëvendëspresidenti Maduro.

Vlerësime e shpresa

Pas vdekjes së kreut të shtetit të Venezuelës presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri thirrje për 'marrëdhënie konstruktive' midis dy vendeve. Venezuela po hap një kapitull të ri në historinë e saj, tha Obama ne Uashington. SHBA-ja është e interesuar për të hyrë në një dialog konstruktiv me qeverinë në Caracas, tha ai. Në këtë kuadër SHBA-ja-do t'i qëndrojë besnike parimit të saj: nxitjes së demokracisë, të shtetit ligjor, e të drejtave të njeriut. Chavezi e pati akuzuar vazhdimisht SHBA-në për imperializëm dhe ishte përpjekur të ngrinte në Amerikën Latine një bastion kundër SHBA-së.

Hugo Chavez dhe Fidel Castro
Hugo Chavez dhe Fidel CastroFotografi: Reuters

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i shprehu ngushëllimet e tij popullit venezuelas. Chavezi është angazhuar për të varfrit dhe është përpjekur për integrim rajonal në Amerikën Latine, tha Ban. Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, bëri fjalë për një 'humbje të pazëvendësueshme'. Bolivia vendosi shtatë ditë zie zyrtare, Kuba dhe Argjentina tri ditë.

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle e cilësoi vdekjen e presidentit venezuelas Hugo Chávez si një ngjarje me pasoja të thella për vendin e Amerikës Latine. Shpresoj që pas ditëve të zisë Venezuela të arrijë të niset në një kohë të re, tha ai. Vendi ka potencial të madh, dhe rruga e duhur për realizimin e këtij potenciali janë demokracia dhe liria, thuhet në deklaratën e Westerwelles

Autor: Elert Ajazaj (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi