Ndërrimi i viteve dhe perspektiva në 2006 | Studimi në Gjermani | DW | 31.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ndërrimi i viteve dhe perspektiva në 2006

Dita e fundit e vitit dhe perspektivat që parashikohen për 2006 janë sot temë kryesore e komenteve në shtypin gjerman

"Hessische/Niedersächsische Allgemeine" tërheq vëmendjen për problemin e papunësisë masive në Gjermani: "Ne jemi Papë! Padyshim kjo shprehje ishte parrulla e vitit për Gjermaninë. Kjo shpreh, përtej kufijve fetarë, gëzimin dhe krenarinë e shumicës së gjermanëve, që njëri prej tyre u zgjodh kreu i kishës katolike. Do të ishte mirë sikur në vitin e ri edhe politika e ekonomia të na sjellin një mesazh të ngjashëm gëzimi. Madje s´ka rëndësi nëse ky mesazh do të tingëllojë jo aq bukur, por disi i pazakontë si p.sh. "ne jemi puna". Do të mjaftojë edhe sikur të marrim lajmin, që numri i të papunëve po ulet dukshëm. Por jo më pak e rëndësishme do të ishte padyshim parrulla "ne jemi kampion bote, nëse do të mund ta realizojmë këtë në 2006", shkruan "Hesseische/Niedersächsische Allgemeine".

"Westdeutsche Zeitung" u referohet të dhënave për hopin konjuktural që parashikohet për 2006 në Gjermani: "Shqetësimi është realist, se rritja e zhvillimit në 2006 nuk do të kontribuojë për gjallërimin e tregut të punës. Kjo pavarësisht nga fakti që u imponua mosrritja e pagave dhe nga fleksibilizimi i arritur në tregun e punës, gjë që i ndihmon ndërmarrjet gjermane të bëhen sërish të afta për konkurrencën. Në këtë drejtim politika ka të drejtë që t´i shohë me sy kritik koncernet, pavarësisht nga detyrimi që kanë ato për t´u ndërkombëtarizuar. Por rreziku i dytë vjen nga vetë qeveria: koalicioni i madh mund të mjaftohet me atë që t'a ruajë atmosferën e mirë duke shmangur përplasjet politike. Por reformat duhet të vazhdojnë, pikërisht në sistemin e sigurimieve sociale dhe në atë të arsimit", vëren "Westdeutsche Zeitung".

"Wiesbadener Kurier" shkruan, se "kush ankohet për mungesë vizioni në fakt nuk është në gjendje të kuptojë nevojën për kompromis që ka një aleancë partish me pikëpamje kaq të kundërta. Eshtë e qartë që me këtë qeveri nuk mund të arrihet kthesa e madhe as në reformën e sistemit të sigurimit shëndetësor, as në atë të sistemit të tatimeve. Mazhoranca e koalicionit të gjerë kujdeset si në Bundestag edhe në Bundesrat që të zbatohen në praktikë hapat e vegjël përpara që ka shpallur kancelarja, Angela Merkel. Mbajtja e premtimeve nga qeveria po shpërblehet prej qytetarëve me atmosferën e mirë dhe me një tendencë më të madhe për konsum. Pas viteve të ankesave që u shndërruan në problem për Gjermaninë ka nisur të konturohet besimi i ri në vetevete", komenton "Wiesbadener Kurier".

Edhe një citat nga artikulli i "Offenbach Post": "E pra, le të besojmë tek forca jonë dhe e politikanëve tanë. Le ta nisim me guxim dhe optimizëm vitin e ri duke shfrytëzuar shansin që më në fund kemi disa lajme pozitive nga ekonomia: (eksporti shenjon rritje, ingranazhi i investimeve po vihet në lëvizje, konsumatorët sërish duan të shpenzojnë më shumë para), le të përveshim mëngët në vend që të ankohemi. Pesimistët s´kanë vënë asnjëherë asgjë në lëvizje, ndërkohë që vitin e ardhshëm do të duhet të lëvizim shumë më tepër se ndonjëherë tjetër qysh pas luftës. Në bazë të një anketimi të fundit, 80% e gjermanëve e presin me optimizëm vitin e ri, kjo është një shenjë e mirë dhe na jep shpresa", nënvizon "Offenbach Post".

  • Data 31.12.2005
  • Autor Deutsche Welle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars8
  • Data 31.12.2005
  • Autor Deutsche Welle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars8