1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210809 NATO Afghanistan

21 Gusht 2009

Të enjten (20.08.) në Afganistan u mbajtën zgjedhjet presidenciale. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen,u shpreh i kënaqur me ecurinë e zgjedhjeve. Ai u bëri thirrje kandidatëve të pranojnë rezultatin.

https://p.dw.com/p/JFg0
Zgjedhjet në Afganistan hapin një perspektivë për popullin. Ne foto: zgjedhje ne Kandahar
Zgjedhjet në Afganistan hapin një perspektivë për popullinFotografi: AP

Rasmusen: Situata e sigurisë ishte shumë më e mirë nga sa prisnim

Zgjedhjet shkuan shumë më mirë nga sa pritej! Ky është konkluzioni pozitiv i NATO-s, pas zgjedhjeve presidenciale të së enjtes në Afganistan, i shprehur me fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Rasmusen (Rasmussen):

"Ne e dinim qysh më parë se armiqtë e Afganistanit do të bllokonin me një seri atentatesh terroriste rrugën për në zgjedhje. Kjo nuk ishte surprizë. Por përsa i takon situatës së sigurisë, mund të themi, se ajo ishte shumë më e mirë nga sa prisnim."

Rreth 50 vetë humbën jetën, gjysma e tyre kryengritës

Atentatet terroriste të përmasave të mëdha nuk pati. Megjithatë, rreth 50 vetë humbën jetën, gjysma e tyre kryengritës, të cilët u vranë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë. Edhe në veri të vendit, ku janë të stacionuara trupat e ushtrisë gjermane, pati shkëmbime zjarri. Në Afganistan janë të stacionuar gjithsej 65.000 ushtarë nga vendet e NATO-s. Këtyre u shtohen edhe njësitë anti-terror të amerikanëve dhe aleatëve të tyre. Ushtria afgane numëron tashmë 90.000 vetë në radhët e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen lëvdoi forcat afgane të sigurisë për angazhimin e tyre të guximshëm. "Ata meritojnë një duartrokitje", u shpreh Rasmuseni. Mbi nivelin e pjesëmarrjes në zgjedhje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk foli, duke i konsideruar të parakohshme deklaratat përkatëse.

"Më e rëndësishmja është që zgjedhjet të jenë të besueshme për afganasit", tha Rasmuseni.

Rasmusen: kandidatët të pranojnë rezultatin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje kandidatëve në zgjedhjet presidenciale, të pranojnë rezultatin me ndjenjë përgjegjësie, cilido të jetë ai. Rasmuseni tha se, për këtë e kishin siguruar të gjithë kandidatët, gjatë vizitës së tij në Afganistan, në fillim të muajit.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor në Afganistan, numërimi i votave ka përfunduar. Afërsisht 40 deri 50 për qind e afganasve me të drejtë vote kanë votuar, bëri të ditur të premten (21.08.) Komisioni. Sipas informacioneve të vëzhguesve, radhët përpara qëndrave të votimit, ishin shumë më të gjata se gjatë zgjedhjeve të vitit 2004. Komisioni Zgjedhor u dha dje zgjedhësve një orë kohë shtesë, për të hedhur votën e tyre.

Pjesëmarrja në zgjedhje vlerësohet si faktor kyç për cilësimin e zgjedhjeve një sukses nga vetë afganasit. Sipas Komisionit Zgjedhor, rezultati i zgjedhjeve pritet të njoftohet javën e ardhshme.

Autor: Mihael Gëçenberg/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi