NATO: Turqia bie dakord me pranimin e Suedisë dhe Finlandës | Bota | DW | 29.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

NATO: Turqia bie dakord me pranimin e Suedisë dhe Finlandës

Turqia ka hequr bllokadën ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe të Suedisë në NATO. Këto vende janë zotuar se do të bashkëpunojnë me Turqinë. Por në Madrid priten edhe masa të tjera.

Pjesëmarrësit e bisedimeve u vonuan në darkën gala me mbretin spanjoll, sepse negociatat mes kryeministrit turk Recep Tajip Erdogan, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentit finlandez Sauli Niinistö dhe kryeministres suedeze Magdalena Andersson zgjatën deri vonë.

Në fund ministrat e Jashtëm nënshkruan një memorandum të përbashkët që hapi në kohë rrugën për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO. "Është një marrëveshje historike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Kjo tregon se aleanca mund të gjejë gjithmonë zgjidhje të përbashkëta.

Grindjet për seperatistët kurdë

Kreu i qeverisë turke deklaroi së fundi se Ankaraja nuk do të pranojë që Finlanda dhe Suedia të anëtarësohen në NATO, nëse nuk i pranojnë kushtet e Turqisë. Erdogani akuzoi në mënyrë specifike Suedinë për strehimin e terroristëve të PKK-së (Partisë Punëtore Kurde) dhe kërkoi lëshime gjithëpërfshirëse nga qeveria në Stokholm. Së fundmi Ankaraja paraqiti një listë me më shumë se 40 të ashtuquajtur të dyshuar për terrorizëm dhe kërkoi ekstradimin e tyre.

"Memorandumi ynë i përbashkët thekson angazhimin e Finlandës, të Suedisë dhe të Turqisë për t'i ofruar njëra-tjetrës mbështetje të plotë në rast kërcënimesh ndaj sigurisë reciproke”, shkroi presidenti finlandez pas nënshkrimit të marrëveshjes. Por çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se palët kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive në takim. Ai e injoroi faktin që Turqia kishte marrë peng të gjithë aleancën për interesat e saj politike në luftën kundër një kundërshtari të brendshëm.

"Asnjë vend nuk ka vuajtur më shumë nga sulmet terroriste sesa Turqia”, shpjegoi Jens Stoltenberg, duke mos iu përgjigjur pyetjes se pse Erdogan po ushtronte shantazh ndaj të gjithë NATO-s. Qeveria turke e akuzon prej kohësh Suedinë për pranimin e anëtarëve të PKK-së, e cila është klasifikuar si organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe Turqia.

Ankaraja kritikoi edhe pezullimin në vitin 2019 të dërgesave të armëve në Turqi nga Stokholmi dhe Helsinki për shkak të operacioneve ushtarake turke në Siri. Turqia e akuzoi Suedinë edhe për mbështetjen e grupeve kurde në Sirinë veriore, të cilat i klasifikon si të lidhura me PKK. Vetëm një javë para samitit në Madrid, autoritetet turke kanë bërë të ditur se nuk do të pranojnë anëtarësimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO, pa i plotësuar kërkesat e Ankarasë.

Cili është çmimi i anëtarësimit në NATO?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se rruga tani është hapur për vendimin e vendeve anëtare për të ftuar sot (29.06) Finlandën dhe Suedinë në NATO. Sipas Stoltenbergut tani nuk ka asnjë pengesë që kjo të ndodhë.

Të dy kandidatët i kanë premtuar Turqisë se do të angazhohen së bashku në luftën kundër terrorizmit, duke ndryshuar legjislacionin dhe ndjekur penalisht terroristët e dyshuar dhe se do të arrijnë një marrëveshje për ekstradimin, tha Stoltenbergu.

Më pas ai u pyet nga gazetarët se cilat do të ishin pasojat e kësaj marrëveshjeje për gazetarët dhe politikanët kurdë në mërgim. "Finlanda dhe Suedia janë të gatshme të bashkëpunojnë me Turqinë për ekstradimin e të dyshuarve për terrorizëm," u përgjigj Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke marrë parasysh sundimin e ligjit dhe legjislacionin kombëtar. Por shikuar nga kjo perspektivë, ekstradimet nuk kanë gjasa, sepse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka kritikuar vazhdimisht Turqinë për politizimin e gjyqeve dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë. Çfarë do të thotë në të vërtetë marrëveshja e Madridit për aktivistët kurdë në Suedi apo Finlandë do të bëhet e qartë vetëm në ditët dhe javët në vijim, kur të fillojë zbatimi i marrëveshjes.

Më shumë para, më shumë ushtarë, më shumë armë

Krahas ftesës për dy vende të reja anëtare, në këtë samit duhet të ketë premtime për shtimin e trupave në kufirin lindor të NATO-s në 300.000 vetë. Do të vendoset për më shumë ushtarë, më shumë pajisje dhe më shumë para. Në Madrid me plane të mëdha ka shkuar edhe kancelari Olaf Scholz: Shpenzimet e ardhshme të mbrojtjes në Gjermani pas pushtimit rus të Ukrainës do të rriten dhe Gjermania do të jetë kontribuesi më i madh i Evropës në NATO. Jemi në procesin e "ndërtimit të ushtrisë më të madhe konvencionale brenda NATO-s në Evropë", tha Scholz në një intervistë për ARD. Ai premtoi se Gjermania do të përmbushë objektivin e shpenzimeve të NATO-s prej dy përqind të prodhimit bruto kombëtar.

Për vite me radhë, Berlini është kritikuar se nuk investonte mjaftueshëm para në armatime. Pas fillimit të luftës në Ukrainë në fund të shkurtit, kancelari njoftoi se Gjermania do të vërë në dispozicion 100 miliardë euro shtesë për modernizimin dhe përmirësimin e Bundeswehr-it. Qeveria federale do të shpenzojë mesatarisht "70 deri në 80 miliardë euro në vit" për mbrojtjen në vitet e ardhshme. Lufta në Ukrainë ka çuar në një rishikim të gjendjes kur bëhet fjalë për shpenzimet për ushtrinë.

Ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht dhe kolegu i saj holandez njoftuan fillimisht në Madrid se gjashtë haubica të tjera do të dërgohen në Ukrainë. "Së bashku me Holandën, ne kemi dërguar tashmë dymbëdhjetë haubica 2000 dhe kemi stërvitur ushtarë ukrainas për përdorimin e tyre. Kolegu im Olexiy Resnikov (Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës) kërkoi dymbëdhjetë të tjera. Ne në Gjermani kemi vendosur të dërgojmë edhe tre shtesë, sa do të dërgojë edhe Holanda."

Ministrja e Mbrojtjes do të konsultohet me palën spanjolle edhe për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë sapo të merret vendimi, tha Lambrecht. Deri më tani, qeveria federale ka refuzuar të dërgojë tanke nga rezervat e veta në zonën e luftës. Për sa i përket përforcimit të trupave në krahun lindor të NATO-s, ministrja konfirmoi ofertën gjermane për të vënë në dispozicion trupat e Bundeswehr-it. Bëhet fjalë për 15.000 ushtarë dhe pajisjet e domosdoshme, që do të thotë ndër të tjera 20 anije dhe 60 avionë. NATO do të forcohet ndjeshëm dhe do të dëshmojë se ne mund të mbështetemi tek njëri-tjetri”.