1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO ka mungesë trupash në Afganistan

Michael Becker2 Nëntor 2006

Komandanti i trupës ndërkombëtare mbrojtëse në Afganistan, ISAF, gjenerali britanik David Richards me sa duket nuk ka numër të mjaftueshëm ushtarësh për t'i mundur talebanët ushtarakisht në një kohë të afërt

https://p.dw.com/p/AqoE
Nato zëvendëson trupat amerikane në Afganistan
Nato zëvendëson trupat amerikane në AfganistanFotografi: AP


Kanë kaluar dy muaj që kur kryekomandanti i NATO-s, James Jones deklaroi se NATO-ja ka nevojë për më shumë trupa në Afganistan. Që atëherë kanë ndodhur megjithatë jo shumë gjëra në këtë drejtim. Vetëm polakët janë treguar të gatshëm të dërgojnë 1000 ushtarë shtesë - por ata do të shkojnë në Afganistan vetëm vitin e ardhshëm dhe veç kësaj në Afganistan nevojitet të paktën dyfishi i këtij numri.

Nevojiten ushtarë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Skefer përsërit gati si refren se angazhimi në Afganistan është shumë i rëndësishëm për NATO-n: "Nëse udhëheqja jonë ushtarake thotë se na nevojiten më shumë ushtarë, atëherë unë vetëm mund të them: ne duhet t'i besojmë asaj."

Megjithatë apelet shuhen pa iu kushtuar vëmendjen njeri, në kryeqytetet e vendeve anëtare të NATO-s ato nga një vesh hyjnë dhe nga një tjetër dalin. Tani e mori fjalën edhe komandanti i trupës së NATO-s në Kabul, gjenerali britanik David Richards. Ai nuk ka një numër të mjaftueshëm trupash, për të qenë në gjendje të fituar për gjashtë muaj, tha Richards. Me këtë ai ka parasysh luftën kundër talebanëve në jug të Afganistanit. Atje NATO-n e kanë vënë me kurriz pas muri dhe përballet me gjithnjë e më shumë viktima në radhët e saj.

E ka Nato gjendjen nën kontroll?

Kjo në një kohë kur Richardsi gjithsesi duhet të tregohet i përmbajtur me apelet e tij, në mënyrë, që në Afganistan të mos krijohet përshtypja se NATO-ja nuk e ka më gjendjen nën kontroll. Por gjenerali Richards do të kishte qenë i lumtur, sikur ata ushtarë që janë në vend të kishte mundësinë që të paktën të mund t'i angazhonte siç do të donte ai- sido që të jetë. Ndërkohë thuajse 30 mijë ushtarë janë nën komandën e tij. Por më kot: shumë vende i dërgojnë trupat e tyre në Afganistan me rregulla të përcaktuara qartë.

"Për të folur hapur, ne vazhdojmë të kemi një problem të konsiderueshëm me kufizimet e angazhimeve në Afganistan."

Vendet me solidaritet të ndryshëm

Kështu u shpreh pak kohë më parë në Bruksel, kryekomandanti i NATO-s, James Jones. Edhe angazhimi i Bundesverit ka kufijë të qartë: 3 mijë ushtarët e Bundesverit lejohet të angazhohen vetëm në veri të Afganistanit, atje ku gjendja është relativisht e qetë. Angazhime të ushtarëve në jugun e rrezikshëm të vendit janë të mundur vetëm në raste përjashtimesh dhe janë të kufizuara në kohë. Tani u bë e qartë se rreth 20 ushtarë të ndërlidhjes së Bundesverit ndodhen në jug të vendit, por ata nuk përfaqësojnë më shumë se një pikë ujë mbi një gur të nxehtë, dhe në mes të dhjetorit, edhe ata do të tërhiqen.

Tek britanikët, kanadezët dhe hollandezët është shtuar zhgënjimi që luftimet në jug ata duhet t'i përballojnë vetë. Kryeministri britanik, Toni Bler deklaroi para parlamentit britanik:"Ka rëndësi që NATO-ja ta vështrojë të gjithë këtë angazhim si përgjegjësinë e saj."

Por spanjollëve dhe francezëve për shembull as që u vete në mendje që ta shtojnë numrin e trupave të tyre. Dhe në Gjermani, diskutimi aktual ecën pikërisht në drejtim të kundërt. Ushtria gjermane është e mbingarkuar me angazhimet e shumta në botën e jashtme, dëgjon të thuhet në ministrinë e mbrojtjes.