NATO, Gjermania dhe misioni i ISAF-it në Afganistan | Gjermania | DW | 20.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

NATO, Gjermania dhe misioni i ISAF-it në Afganistan

Kontigjenti i ushtrisë gjermane në kuadër të trupave paqësore për Afganistanin ISAF është përgjegjës për veriun e vendit. Por kjo nuk përbën ndonjë pengesë që ushtarët gjerman në rast nevoje të dërgohen edhe për ndonjë mision të përkohshëm në jug, shprehet zëdhënësi i qeverisë gjermane.

default

As zyrtarisht e as jozyrtarisht NATO nuk i është drejtuar Gjermanisë me kërkesën për heqjen e kufizimeve për trupat e saj në Afganistan, thuhet në qarqet e NATO-s në kuartierin qendror në Bruksel. Diskutimet aktuale në Gjermani, për siç thuhet shtimin e presionit ndaj kontigjentit gjerman në kuadër të trupave ndërkombëtare paqësore për Afganistanin -ISAF, janë të pakuptueshme, kanë shtuar diplomatët e NATO-s. Ajo çfarë mbetet, është kërkesa e përgjithshme e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Jaap de Hoop Scheffer drejtuar të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që mundësisht trupat e tyre të kenë sa më pak kufizime në mision dhe të ketë solidaritet mes kontigjenteve.

Shefi i shtabit në komandën kryesore ushtarake të Natos në Evropë, gjenerali Rainer Schuvirth, tha për Deutsche Welle-n se: "Nga këndvështrimi ushtarak ne do të dëshironim që komandanti i ISAF-it të ketë trupat e tij në dispozicion ashtu si ai e sheh se është më e nevojshme", tha gjenerali Schuvirth.

Jo vetëm Bundesvehri por edhe pothuajse të gjitha kontigjentet tjera ushtarake të 37 kombeve në kuadër të ISAF-it kanë kufizimet e tyre. Edhe italianët, francezët, turqit apo grekët nuk mund të dislokohen në të gjitha pjesët e vendit. Disa e kanë të ndaluar të kryejnë fluturime natën, disa të tjerë nuk angazhohen gjatë muajëve të ftohtë të dimrit. Për të gjitha këto kufizime ne kemi mirëkuptim, thotë gjenerali Schuvirth. Problemi kryesor për NATO-n në Afganistan është mungesa e 2 000 ushtarëve për forcimin e luftës kundër talebanëve në jug të vendit. Gjenerali Schuvirth:

"Një prej problemeve që ne kemi në Afganistan është që vendet anëtare nuk kanë vënë në dispozicion numrin e ushtarëve që kanë premtuar. Ky është një problem i përhershëm. Në parim ne kemi mjaft forca në Afganistan por ne me kënaqësi këtë përbërje do ta plotësonim ashtu siç është premtuar nga vendet anëtare. Për këtë ne po punojmë", tha gjenerali Schuvirth.

Nëse shtetet anëtare të NATO-s do të mbanin premtimet e dhëna nëpër konferencat e shumta për vënien në dispozicion të trupave ushtarake atëherë udhëheqja e NATO-s do të ishte mëse e kënaqur. Një fshehtësi që tashmë është zbuluar në qarqet e NATO-s është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kohë që kërkojnë nga aleatët e tyre evropianë të shtojnë numrin e ushtarëve në Afganistan. Nga 30 mijë ushtarë sa aktualisht janë stacionuar në Afganistan gjysma janë amerikanë dhe veprojnë në zonat më të rrezikshme të vendit.

Në këtë mënyrë në rast se komandanti i trupave ISAF kërkon konkretisht mbështetjen e trupave të dislokuara në jug dhe gjermanët duhet ta refuzojnë dhënjen e ndihmës për shkak të kufizimeve atëherë mund të ndodhin edhe kuqkuptime, sqaron gjenerali Rainer Schuvirth.

"Në raste të veçanta për ushtarët në atë apo një rajon tjetër do të thotë rrezik shtesë. Por me siguri që edhe tjetri mund të frustrohet nëse vëren se lihet vetëm. Kjo është një situatë e ngarkuar psikologjike", nënvizon gjenerali Schuvirth.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung dhe kancelarja Angela Merkel e kanë përsëritur disa herë me rradhë se nuk duan të trandin misionin e Bundesvehrit në Afganistan. "Ne mbesim në veri atje ku me sukses po mbajmë gjendjen stabile dhe po çojmë përpara rindërtimin", pat thënë ministri Jung jo më larg se para një jave në takimin e fundit të ministrave të mbbrojtjes të BE-së në Bruksel.

  • Data 20.11.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyc
  • Data 20.11.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyc