Nënshkruhet memorandumi i thellimit te luftës kundër korrupsionit në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel | Evropa | DW | 12.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nënshkruhet memorandumi i thellimit te luftës kundër korrupsionit në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel

Në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel, në prani të 10 ministrave nga vendet ballkanike, duke përfshirë atë të Shqipërise, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, UNMIK-ut etj u nënshkrua Memorandumi i thellimit te luftës kundër korrupsionit, kërkesë kjo kryesore e Bashkimit Europian ndaj vendeve që shpresojne të aderojne në BE. Merrnin pjesë gjithashtu kryetari Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, europarlamentarë që ndjekin problemet ballkanike, komisioneri përgjegjes per rendin dhe drejtësinë Franko Frattini, përfaqësues të Këshillit të Europës, Bankës Botërore etj.

default

Një nga kërkesat e vazhdueshme që Bashkimi Europian i ka drejtuar vendeve të Europës Juglindore ka qënë thellimi nga ana e tyre i luftës kundër korrupsionit. Për Bashkimin Europian korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy nga plagët kryesore që zvarrisin anëtarësimin e vendeve të këtij rajoni në BE.

Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që pakti i Stabilitetit në bashkëpunim edhe me Komisionin Europian dhe një varg institucionesh dhe organizatash të tjera ndërkombëtare organizoi në Bruksel një konferencë për luftën ndaj korrupsinoit në 10 vende e Europës Juglindore. Sipas iniciatorëve të kësaj konference përhapja dhe shtrirja e korrupsionit në Shqipëri, Rumani, Moldavi, Federatën serbo – malazeze etj është edhe njëra nga shkaqet kryesore se përse në këto vende mungojnë investimet e huaja. Një fakt i tillë u pohua nga shumë përfaqësues të biznesit dhe bankave të huaja. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se komisioneri i BE-së, përgjegjës për rendin dhe drejtësinë, Franko Frattini ka pohuar se së bashku me komisionerin Olli Rehn janë duke shqyrtuar mundësinë e liberalizimit të vizave për disa nga qytetarët e vendeve të Europës Juglindore, por ky liberalizim do të bëhet shkallë – shkallë në bazë të arritjeve të çdo vendi në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.

Në përfundim të këtij takimi pjesëmarrësit nënshkruan një « Memorandum të thellimit të luftës kundër korrupsionit », - në të cilin ishin përfshirë 10 propozime kryesore si masa efikase në luftën kundër kësaj dukurie. Ndër këto masa bëjnë pjesë nënshkrimi, ratifikimi dhe vënia në jetë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundë Korrupsionit, ngritja dhe krijimi i organizmave të specializuara për të zvogëluar mundësinë e korruptimit nga ana e zyrtarëve të administratës shtetërore, sistemit të drejtësisë dhe partive politike, krijimin e një « liste të bardhë » për të gjitha ato ndërmarrje dhe kompani, vendase apo të huaja, që dëshmojnë mosnjollosje nga kjo dukuri, nxitjen dhe lejimin e e njohjes së publikut dhe mediave me përmbajtjen dhe praktikën e biznesit etj.

Ndër nënshkruesit e këtij Memorandumi bënin pjesë edhe ministri shqiptar i shtetit, Marko Bello, ai i Serbisë Zoran Stojkoviç, përfaqësuesi i UNMIK-ut Fridrih Schwindt, ministri maqedonas i shtetit Viktor Cvetkovski, ai bosnjak Sllobodan Kovaç si dhe kolegët e tyre nga Rumania, Mali i Zi, Moldavia, Kroacia, etj. Përfaqësuesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, deklaroi në mbyllje të këtij takimi se tani është koha e vënies në jetë të zotimeve të marra dhe se ….Pakti i Stabilitetit, ndër të tjera do të shqyrtojë me vëmendje se cilat janë rezultatet në praktikë të iniciativave të firmosura sot.


  • Data 12.05.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEV
  • Data 12.05.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEV