Nën shembullin e Izraelit | Evropa | DW | 20.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nën shembullin e Izraelit

Turqia planifikon të marshojë në territorin në veri të Irakut kundër PKK-së dhe pret mbështetjen e Iranit

Vazhdojnë atentatet kurde në Turqi

Vazhdojnë atentatet kurde në Turqi

Turqia po pregatitet për një ndërhyrje ushtarake kundër PKK-së në veri të Irakut. Rreth 150.000 ushtarë turq janë në gjendje gadishmërie në zonën kufitare me Irakun njoftojnë mediet turke. Pas humbjeve të rënda në rradhët e forcave të saj të sigurisë në luftën kundër rebelëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK) duket se Turqia kërkon të marrë masa kundër vendit të strehimit të rebelëve përtej kufirit, në malet irakiane. Në përpjekje për të justifikuar këtë aksion ushtarak, qeveria turke i është referuar së drejtës për vetëmbrojtje dhe sulmeve izraelite kundër Libanit të cilat kanë miratimin e SHBA.
Një varrim në provincën turke, një djalë i rri shoqërohet për në banesën e fundit. Ai ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe ndërkohë që kryente shërbimin ushtarak në juglindje të vendit. Edhe katër shokë të tij humbën jetën atë ditë. E veja e re me katër fëmijë ndjek krejt e trullosur lutjet gjatë ceremonisë. E megjithatë kjo është diçka e zakonshme në Turqi. Thuajse çdo ditë shpërthen nga një bombë e PKK-së diku në jug të Anadollit. Thuajse çdo ditë varrosen viktimat - në shumicën e rasteve ushtarë të rinj por edhe civilë: gra, fëmijë dhe në disa raste edhe turistë europianë. Në perëndim kjo nuk merret seriozisht thotë kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan:"Disa i gjykojnë ngjarjet në Izrael me disa kritere dhe terrorin në Turqi me të tjera. Por për terrorin në Turqi nuk mund të përdoren kritere të ndryshme vlerësimi nga ato në Lindjen e Afërme, në Afganistan, në Somali apo Madrid. Terrori është i njëjtë kudo në botë.

Zemërimi i kryeministrit turk drejtohet në rradhë të parë kundër SHBA të cilat i bën bashkëpërgjegjëse për të vdekurit në Turqi. Terrori i PKK-së e ka bazën në veri të Irakut i cili kontrollohet nga amerikanët. Qëkurse rebelët kurdë u detyruan të tërhiqeshin nga Turqia rreth shtatë vjet më parë, luftëtarët e tyre janë vendosur në malet Kandil në veri të Irakut. Atje jo vetëm furnizohen më së miri me bomba dhe lëndë shpërthyese por mund të sulmojnë në territor turk dhe të tërhiqen pastaj sërish jashtë kufirit. Forcat turke nuk kanë patur deri tani mundësi t'i ndjekin pasi amerikanët e ndalonin një gjë të tillë.

Prej vitesh Ankaraja i lutet SHBA ose të marrin vetë masa kundër pozicioneve të PKK-së në veri të Irakut ose të japin dritë të gjelbër për një ndërhyrje turke. Më kot deri tani pasi SHBA kanë të tjera halle në Irak. Vite me rradhë Ankaraja ngushëllohej por mesa duket kjo ka marrë tani fund dhe arsye duket se janë edhe sulmet izraelite kundër hizbollave në Liban. Opinioni turk është i indinjuar me faktin që SHBA nga njëra anë aprovojnë sulmet ushtarake izraelite si vetëmbrojtje por nga ana tjetër u ndalojnë turqve të ndjekin rebelët kurdë në Irak. Fundjavën e kaluar u vranë sërish 14 ushtarë turq në sulmet e PKK-së.

Pas ndërhyrjes izraelite në Liban Turqia nuk pranon që t'i ndalohet nga SHBA aksioni ushtarak në veri të Irakut. Ashtu siç mbrohet Izraeli nga hizbollatë edhe Turqia duhet të ketë të drejtë të mbrohet ndaj PKK-së thotë kryeministri turk Erdoan: "Kur kjo gjë bëhet nga vendi A tolerohet, por kur bëhet nga vendi B gjërat janë ndryshe. Kjo logjikë, kjo mënyrë të menduari nuk mund të pranohet. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për paqen në Lindjen e Afërme por të gjithë duhet të pranojnë që të trajtohet në të njëjtën mënyrë edhe terrori në Turqi. Ne jemi plotësisht në gjendje të kujdesemi për veten dhe jemi edhe të gatshëm për këtë."

Avancimi i trupave duket se ka filluar ndërkohë. Trupa elitë të ushtrisë turke janë stacionuar ditët e shkuara në kufirin me Irakun, avionët e ushtrisë kanë transportuat tonelata materialesh ushtarake në rajon.
Në një ofensivë të tillë turqit mund të llogarisin me mbështetjen iraniane. Njësitë iraniane në pranverë patën bombarduar kampet e PKK-së në malet Kandil në mbështetje të turqve. Edhe një hyrje e trupave turke në territorin irakian do të përshëndetej nga Teherani ka thënë ambasadori iranian në Stamboll. Ambasadori i SHBA ka paralajmëruar edhe njëherë ndaj një nërhyrjeje të tillë, por kryeminstri turk Erdoan është shprehur se Turqia nuk pranon t'i diktohen vendime: "Ky vendim nuk është kompetencë e ambasadorit të SHBA, ky vendim merret nga qeveria e republikës turke. Ne do të vendosim vetë për këtë dhe do të veprojmë vetë."

  • Data 20.07.2006
  • Autor Susanne Güsten
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAb
  • Data 20.07.2006
  • Autor Susanne Güsten
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAb