Në vitin e ri qeveria duhet fillimisht të veprojë | Studimi në Gjermani | DW | 30.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Në vitin e ri qeveria duhet fillimisht të veprojë

Letra e kancelares Merkel, intervista e presidentit Këler dhe konflikti për gazin nëntokësor mes Ukrainës dhe Rusisë

Letra e hapur e kancelares Merkel botohet në gazeta e revista

Letra e hapur e kancelares Merkel botohet në gazeta e revista

Letra e hapur e kancelares gjermane Angela Merkel drejtuar popullit gjerman është në qendër të shumë artikujve të shtypit të sotëm. Gazeta "Abendzeitung" që botohet në Mynih e cilëson atë "të mërzitshme" dhe tërheq vëmendjen se ka ardhur koha e veprimeve konkrete. Citojmë:"A ishte kjo vërtet e nevojshme? Për rreth 3 milionë euro Zyra Federale e Shtypit publikoi dhe shpërndau në gjithë vendin me rastin e Krishtlindjeve një letër të kancelares. Sa më shumë qytetarë duhet të lexonin edhe njëherë përmes gazetave apo revistave, të bardhë mbi të zezë, atë çka u përsëritet prej javësh. Nëse intervista e presidentit Horst Köler dhënë revistës informative Stern e cila përmbante propozime shumë konkrete ishte befasuese, gjatë leximit të letrës së Merkelit të hapet goja nga mërzia. Shumë bajate tingëllon shprehja "me guxim dhe njerëzi". Tani s'na mbetet veç të presin fjalën e kancelares me rastin e ndërrimit të viteve. Por më e vonëta atëherë fjalët do të jenë bërë të tepërta. Në vitin e ri qeveria duhet fillimisht të veprojë."

"Berliner Zeitung" duke iu referuar propozimeve të presidentit Këler, vlerëson se nuk është detyra e tij të japë propozime që mund të marrin formë ligjore. Citojmë:"Presidenti Këler në aspektin politik është njeriu më i lirë në Gjermani. Ai mund të bëjë çfarë të dojë dhe të thotë çfarë të dojë. Ai nuk është i detyruar t'i japë llogari askujt. Horst Këler e ka kuptuar se çështja sociale, çështja e pushtetit dhe mungesës së tij në ekonomi, është tema qëndrore në kohët tona. Por përse në argumentimin e tij përdor numëratorin e fëmijëve në vend të dylbive? Ai nuk ka nevojë të japë përgjigje të cilat të jenë të përshtatshme për një periudhë legjislative. Ai nuk ka nevojë as të propozojë diçka që mund të merrte formë ligjore. Ai madje nuk duhet të propozojë diçka të tillë sepse ndryshe mund të ngjallte dyshime se bën lojën e qeverisë ose të një pale të caktuar. Dhe Këler e ka vënë veten mëse njëherë në një situatë të tillë."

Ndërrojmë temë. Shtypi trajton sot me prioritet edhe konfliktin për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbi këtë temë në gazetën "General Anzeiger" që botohet në Bon lexojmë:"Varësia e plotë e Ukrainës nga energjia ruse është një mangësi serioze në aspiratat e saj të forta drejt perëndimit. Dhe do të ishte naive të besoje se Rusia nuk do të përdorë këtë kartë në matjen e forcës me ShBA-në, për influencën dominuese në republikën e madhe ish sovjetike. Konflikti mbi rritjen e çmimit favorizues të gazit nëntokësor në nivelet e tregut botëror është vetëm një aspekt i kësaj lufte për influencë, të cilën Uashingtoni e vazhdon që prej mbështetjes aktive që i dha revolucionit portokalli në Ukrainë. Edhe premtimi i NATO-s, se do të hapë dyert për Ukrainën deri në vitin 2008, është pjesë e strategjisë amerikane që nuk mund ta lërë indiferente Moskën. Europa ka shkak të shqetësohet dhe të shpresojë për një zgjidhje të arsyeshme të konfliktit për gazin nëntokësor."

Gazeta "taz" që del në Berlin e hedh vështrimin në pasojat që mund të ketë për Gjermaninë dhe Europën konflikti për gazin rus. Citojmë:"Importet e naftës dhe gazit janë baza e funksionimit të ekonomisë tonë sot. Për këtë arsye shqetësimi është i madh kur një furnizues i rëndësishëm si Rusia tregon muskujt. Por cilat janë alternativat? Nafta dhe gazi mbulojnë 60% të konsumit tonë të energjisë. Edhe nëse pjesa e energjisë së rinovueshme, kryesisht nga era dhe dielli, të dhjetëfishohet gjatë 25 viteve të ardhshme, ajo do të mjaftonte vetëm sa për të zëvendësuar naftën apo qymyrgurin. Pra pjesa e gazit në kërkesën agregate do të rritet pasi ai është më i padëmshëm për klimën se sa nafta dhe qymyrguri dhe më i lirë se thuajse gjithë produktet alternative. Por nga Deti i Veriut po përdoren edhe sasitë e fundit dhe kështu alternativat mbeten dy: gazi nëntokësor nga Rusia ose gazi i lëngshëm nga Lindja e Afërme edhe ky një skaj i globit që nuk premton garanci në furnizim."

  • Data 30.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars9
  • Data 30.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars9