Në të gjithë botën gazetarët dhe mediet më të rrezikuar se kurrë | FOKUS | DW | 03.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Në të gjithë botën gazetarët dhe mediet më të rrezikuar se kurrë

Dhuna dhe restriksionet ndaj gazetarëve po shtohen në mënyrë masive. Gazetarët po vihen gjithnjë e më shpesh në shenjestër, konstaton organizata "Reporterët pa kufij" në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Po liria e shtypit nuk kërcënohet vetëm prej diktatorëve, ajo ka edhe armiq të tjerë.

default

Emrat e tyre janë Aleksandër Lukashenko, president i Bjellorusisë; Fidel Kastro, diktator i Kubës; mbreti i Nepalit Gyanendra; Ben-Ali, president i Tunizisë; pushtetmbajtësit e Koresë së Veriut apo Saparmurat Nijasov, i cili e quan veten me shumë qejf babai i të gjithë turkmenëve. Të gjithë këta despotë, dhe këtu janë përmendur vetëm disa emra, kanë një gjë të përbashkët: ata kanë frikë nga kritikat e shtypit, si djalli prej temianit. Ata përndjekin gazetarët e pavarur, kontrollojnë mediet e brendshme, mbyllin gazeta, apo radiostacione kritike. Po të kishin mundësi ata do t'u ndalonin njerëzve edhe që të mendonin lirshëm. Dhe për sa kohë ekzistojnë pushtetarë të këtij lloji, dita ndërkombëtare e shtypit, 3 maji, është e përligjur.

Kur vjen fjala për t'i mbyllur gojën shtypit të lirë në vend, dikatorët i drejtohen me qejf teknikës perëndimore. Eshtë për të ardhur keq, që firmat amerikane nuk e kanë problem të vihen në shërbim të despotëve. Moçali i shtypjes mbushet me ujë prej perëndimit. Kështu përshembull Partia Komuniste Kineze përpiqet që ta mbysë përhapjen e informacioneve të padëshirueshme në internet. Këtë e bën edhe me mbështetjen e "google", e cila i ka vënë në dispozicon regjimit kinez një version të cenzuruar të saj. Vitin e kaluar firma e internetit "yahoo" dha kontributin e saj për arrestimin e të paktën tre disidentëve që shpreheshin në internet. Sjellje të tilla sigurisht që i ka dhënë krahë biznesit të këtyre firmave në vendin me popullsinë më të madhe të botës. Po sa i lartë duhet të jetë fitimi, që të justifikojë vuajtjet e disidentëve në burgjet kineze?

Firmat kompjuterike amerikane nuk i kanë dhënë deri më sot përgjigje kësaj pyetjeje. Edhe qeveria amerikane nuk duket se interesohet në ndonjë farë mënyre për këtë, sepse është tërësisht e preokupuar me luftën në Irak. Që prej fillimit të luftës para tre vjetësh, në Irak kanë gjetur vdekjen 87 gazetarë. Qeveria amerikane është të paktën bashkëfajtore për këto, por fajin kryesor e kanë terroristët, që për reporterët Iraku është vendi më i rrezikshëm i botës.

Gjatë dhjetë viteve të fundit nuk janë vrarë aq shumë gazetarë sa në vitin 2005. Shumë rrallë më parë janë arrestuar dhe keqtrajtuar kaq shumë gazetarë. Liria e shtypit vazhdon të jetë e kufizuar në shumë vende të kësaj bote, ndërkohë që marrja e informacioneve të pancezuruara bën pjesë në të drejtat e njeriut. Shpresë për të ardhmen mund të të japin vetëm shembujt nga e kaluara. Ato tregojnë se respektimi i të drejtave të njeriut ka dalë më i fortë se despotët. Natyrisht që lufta për këtë duhet të vazhdojë, sepse edhe në vendet demokratike perëndimore pas 11. shtatorit 2001 të drejtat e gazetarëve janë kufizuar, për t'u mbrojtur prej rreziqeve të terrorizmit ndërkombëtar. Kur vjen puna për të gjykuar mes lirisë dhe sigurisë, kandari i perëndimit anon gjithnjë e më shpesh në favor të sigurisë.

  • Data 03.05.2005
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqka
  • Data 03.05.2005
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqka