Në sistemin shkollor gjerman duhet të bëhen ndryshime strukturore | Studimi në Gjermani | DW | 22.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Në sistemin shkollor gjerman duhet të bëhen ndryshime strukturore

Pas inspektimit dhjetëditor të kopshteve, të shkollave dhe të universiteteve në Gjermani i ngarkuari i posaçëm i OKB-së për shkollimin Vernor Munoz Villalobos, kërkoi që në sistemin shkollor gjerman të bëhen ndryshime strukturore.

Inspektori ndërkomëtar për arsimin Vernor Munoz

Inspektori ndërkomëtar për arsimin Vernor Munoz

I ngarkuari i posaçëm i OKB-së për shkollimin Munoz Villalobos kërkoi gjithashtui që emigrantët e mitur të mos konsiderohen në Gjermani si refugjatë, por si të mitur. Rekomandimet e inspektorit të OKB-së janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman.


Për këtë temë citojmë fillimisht nga gazeta "Dresdner Neueste Nachrichten":

"Inspektori i OKB-së vetëm se mund të tundte me habi kokën. Sepse sipas tij 16 sisteme të ndryshme shkollimi do të thonë edhe 16 herë shance të ndryshme arsimimi, sidomos për nxënësit që vijnë nga rrethe sociale të dobta. Edhe pse ata e kanë të drejtën për t'u shkolluar, ata e kanë tepër të vështirë që të përfitojnë prej kësaj të drejte për shkak të sistemit shkollor gjerman."

Në lidhje me këtë temë në gazetën "Westfälische Nachrichten" lexojmë:

"Diganoza është e njohur, kritika me vend. Për shkak se çështjet e arsimit në Gjermani janë kompetencë e landeve federale, nuk kemi konkurrencë idesh dhe sistemi shkollor është i shpërbërë. Megjithatë landet e kundërshtojnë me forcë futjen në përdorim të standardeve të vlefshme për të gjithë Gjermaninë. Kërkesa që provimet e maturës në veri të Gjermanisë duhet të jenë në të njëjtin nivel si ato në jug të vendit duhet të konsiderohet si një gjë e vetkuptueshme. Pavarësisht prej kësaj realiteti flet një gjuhë tjetër."

Gazeta "Wilhelmshavener Zeitung" kërkon që shancet e barabarta për të gjithë të mos çojnë në rënien e nivelit të mësimit.

"Natyrisht që synimi duhet të jenë shancet e barabarta për të gjithë fëmijët. Por kjo nuk duhet të thotë që të bierë niveli i mësimit dhe për nxënësit e mirë të mos ketë oferta speciale. Një gjë e tillë ka ndodhur mjaft në Gjermani dhe prej pasojave vuan sot e gjithë shoqëria."

Gazeta "Heilbroner Stimme" nxjerr në pah një aspekt tjetër të këmbënguljes së politikanëve që politika arsimore të mbetet kompetencë e çdo landi federal:

"Në zgjedhjet për parlamentet e landeve politika arsimore ka konjunkturë të lartë. Në vitin 2001 ish-kryeministri Erwin Teufel i CDU-së premtoi 5500 vende të reja pune për mësues, duke ua hedhur kështu socialdemokratëve që kishin premtuar 5000 vende të tilla. Pasuesi i Teufelit, Günther Oettinger po bën tani të njëjtën gjë duke premtuar në prag të zgjedhjeve zgjerimin e numrit të shkollave, gjë të cilën e kishin kërkuar më parë socialdemokratët. Po i njëjti Oettinger kishte kërkuar më parë shkrutimin e shumë vendeve pune për mësues si masë për të konsoliduar buxhetin."

Temë tjetër qëndrore e shtypit gjerman është oferta e koncernit gjerman të energjisë E.ON për blerjen e koncernit spanjoll të energjisë Endesa.

Ja si e komenton këtë lajm gazeta e Hamburgut "Bild-Zeitung":

"Çmimet për energjinë elektrike dhe gazin muajt e fundit vetëm po shkojnë drejt rritjes. Miliona gjermanë nuk e dinë si t'i paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe të gazit. Lajmi se koncerni më i madh të energjisë në Gjermani ka pasur një fitim prej 70%, në vlerën 7,4 miliardë euro, dhe se do të shtrihet edhe më tej në Evropë ishte për shumë konsumatorë një shuplakë në fytyrë. Tani e kemi të zezë mbi të bardhë. Koncerni po mbush xhepat në kurriz të konsumatorëve. Jo, thonë manaxherët e E.ON-it dhe shtojnë se konsumatorët mund të kursejnë duke mos shpenzuar më kaq shumë energji. Fitimeve të jashtëzakonshme të koncerneve në kurriz të miliona konsumatorëve duhet t'u jepet fund. Duhet të ketë ulje çmimesh, sepse edhe fitime prej tre miliardësh nuk do të ishin keq."

Kurse në gazetën "Financial Times Deutschland" lexojmë:

"Ishte e qartë që E.ON do të hidhej në ofensivë. Pyetja qe vetëm se kur dhe ku. Gjithsesi ofensiva e tanishme në Spanjë ishte një surprizë. Për aksionerët dhe për shefin e koncernit ky ishte një sukses i madh. Sepse me blerjen e koncernit spanjoll Endesa E.ON hyn në radhën e koncerneve më të fuqishëm botërorë të energjisë. Por në rast se shtrohet pyetja se ç'përbën ky hap për tregjet evropianë të energjisë, atëherë duhet thënë asnjë gjë të mirë."

  • Data 22.02.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArrG
  • Data 22.02.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArrG