Në rend të ditës Irani, Bjellorusia dhe buxheti | Evropa | DW | 06.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në rend të ditës Irani, Bjellorusia dhe buxheti

Informacion në prag të takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar mbi çështje aktuale. Nga njëra anë kërkohet një zgjidhje në konfliktin mbi financat e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër në rendin e ditës janë marrëdhëniet me Bjellorusinë dhe Iranin.

Deklaratat armiqësore të kohëve të fundit të presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad e kanë komplikuar edhe më tej situatën tashmë të vështirë. Ato do të hidhen poshtë qartë dhe ashpër nga ministrat e jashtëm të BE-së. Megjithatë për konfliktin e vjetër me Iranin mbi programin e tij të kontestuar bërthamor nuk ka ende zgjidhje. Ministri i jashtëm francez Filip Dust-Blazi ka kërcënuar përsëri Iranin me mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të hënën 25 ministrat e BE-së të cilët përfaqësohen në bisedimet me Iranin nga ministrat e jashtëm të Fancës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, do të këshillohen nëse egziston ende një mundësi për zgjidhje diplomatike. Diplomatët e BE-së janë shprehur se nuk dihet nëse bisedimet mes tre vendeve europiane dhe Iranit të ndërprera në verë mund të rifillojnë. Irani ka rifilluar pasurimin e uranit dhe ka refuzuar një ofertë të BE-së për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe bërthamor. Ministrat e jashtëm nuk do të marrin vendime formale dhe i referohen për to takimit të ardhshëm të Këshillit të Guvernatorëve të Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në Vjenë.

Shefi i kësaj agjensie Mohamed el-Baradei mbështet një propozim rus sipas të cilit Iranit t'i bëhet e mundur përmes sipërmarrjeve të përbashkëta pasurimi i kontrolluar i lëndëve djegëse bërthamore si dhe themelimi i një firme të përbashkët e cila do të merrej me pasurimin dhe tregtimin në mbarë botën të uranit të pasuruar. Firma do të kontrllohet në pjesë të barabarta nga Irani dhe Rusia. Pjesa kritike e prodhimit do të zhvendosej në Rusi. Rusia mban kontakte të ngushta ekonomike me Iranin dhe ka livruar ndërkohë një reaktor bërthamor. Bashkimi Europian nuk është shprehur ende mbi propozimin rus.

Ministri i jashtëm izraelit Silvan Shalom i cili pak ditë më parë gjendej për një vizitë në Francë, ka paralajmëruar se Irani brenda gjashtë muajsh mund të dispononte njohuritë teknologjike të nevojshme për prodhimin e një bombe atomike. Shalom ka kërkuar nga BE dhe bashkësia ndërkombëtare të ndalojë planet bërthamore të Iranit. Sipas Shalom Irani ka prodhuar raketa me rreze veprimi prej 3.000 kilometrash të cilat mund të arrinin edhe kryeqytetet europiane.

Në rendin e ditës të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së janë edhe marrëdhëniet e BE-së me Bjellorusinë të cilat mund të thuhet se aktualisht nuk egzistojnë. Presidenti Aleksandër Lukashenko nuk ka reaguar aspak ndaj ofertave europiane për dialog kanë bërë të ditur diplomatët e BE-së në prag të takimit. Kushtet për kontakte zyrtare me BE-në janë një moratorium për heqjen e dënimit me vdekje në Bjellorusi si dhe lirimi i kritikëve të njohur të regjimit.

Ministrat e jashtëm pritet të shprehen shumë të shqetësuar mbi gjendjen politike dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Bjellorusi e cila konsiderohet si diktatura e fundit në Europë. BE ka kritikuar burgosjen e vëzhguesve të zgjedhjeve në Minsk dhe ngul këmbë që të dërguar të OSBE-së të cilët duhet të vëzhgojnë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare vitin e ardhshëm të lejohen të shkojnë përpara në Bjellorusi. Shumë shqetësuese janë represionet në pritje të zgjedhjeve kundër opozitës dhe shtypit të lirë. BE do të rishikojë zgjerimin e një bllokimi të vizave për përfaqësues të lartë bjellorusë. Në konsideratë po merret edhe ngrirja e pronave të organeve shtetërore bjelloruse jashtë vendit, thuhet në projekt-deklaratën përfundimtare të Këshillit të Ministrave.

Presidenca britanike e BE-së ka paraqitur një projekt të ri e cila pritet të sjellë lëvizje në konfliktin e thellë mbi buxhetin e BE-së që në muajin qershor çoi në dështimin e takimit të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Por m.q.s. Britania e Madhe nuk është gati të heqë dorë nga lehtësimi special që ajo gëzon për kontributin në buxhetin e BE-së dhe Franca ngul këmbë në ruajtjen e subvencioneve agrare gjasat për një zgjidhje deri në fund të vitit janë shumë të vogla. Ka të ngjarë që qeveria e re gjermane për shkak të gjendjes tepër të rënduar fiskale brenda vendit të mbajë një qëndrim më të ashpër se qeveria paraardhëse kuq e gjelbër. Nëse deri në fund të vitit nuk do të jetë rënë dakort për një kornizë buxhetore për periudhën 2007-2013, ata që do të prekeshin më shumë janë vendet e reja anëtare pasi fondet e premtuara për reformat strukturore nuk do të mund të derdheshin në kohë.

  • Data 06.11.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCp
  • Data 06.11.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCp