Në rast se nuk do të ekzistonte Bashkimi Evropian, atëhere do të duhej ta shpiknim urgjentisht atë | Gjermania | DW | 22.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në rast se nuk do të ekzistonte Bashkimi Evropian, atëhere do të duhej ta shpiknim urgjentisht atë

Në fundjavë zhvillohet në Berlin samiti i nivelit të lartë të kryeministrave dhe presidentëve të vendeve të BE-së.

default

Ata do të festojnë 50-vjetorin e marrëveshjeve të Romës që shënuan themelimin e Bashkimit Evropian. Me rastin e këtij takimi qeveria gjermane ka përgatitur si presidente e radhës e BE-së edhe një deklaratë të Berlinit për të ardhmen e BE-së. Për këtë deklaratë u diskutua edhe në Bundestagun gjerman dhe diskutimet nuk ishin fort të këndshme.

"Në rast se nuk do të ekzistonte Bashkimi Evropian, atëhere do të duhej ta shpiknim urgjentisht atë. Dhe sikur ky bashkim të mos kishte sjellë asgjë tjetër përveçse 50 vjet paqe, prapë do t'ia vlente" - tha në fillim të fjalës së tij kryetari i grupit më të madh opozitar në BUndestag, Guido Westerwelle.

Kjo thënie e tij u miratua prej deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare dhe seanca për deklaratën e Berlinit mund të kalonte mjaft mirë në harmoni, sikur Westerwelle të mos ta vazhdonte fjalën e tij me kritika për atë që liberalët sikurse edhe partitë e tjera opozitare e quajnë diplomaci sekrete, që po përdoret prej qeverisë gjermane edhe në përgatitjen e deklaratës së Berlinit.

"Unë besoj se do të ishte me vend që disa orë përpara se të miratohet deklarata e Berlinit ju si qeveri të na informonit edhe ne si parlament për këtë deklaratë dhe përmbajtjen e saj. Ajo që ne duam nuk është nuk Evropë e shefave të qeverive, por një Evropë e popujve dhe përfaqësuesit e popullit janë pikërisht këtu." - shtoi Westerwelle.

Por sipas marrëveshjeve në fuqi BE-ja vazhdon të jetë një Evropë e shefave të qeverive dhe të kryetarëve të shteteve, dhe ata ndoshta do të shikonin shtrembër në rast se deklarata për të cilën pritet të vendosin në fundjavë, do të ishte diskutuar dhe ndoshta kritikuar paraprakisht prej parlamentit gjerman. Marrëveshja për kushtetutën e re evropiane që do ta bënte Evropën më demokratike, transparante dhe parlamentare nuk është miratuar prej jo-së së referendumeve në Francë dhe Holandë. Qeveria gjermane do të ndërmarrë një përpjekje të re në këtë drejtim, por MPJ Steinmajer nuk tha asnjë fjalë nëse një gjë e tillë thuhet shprehimisht në deklaratën e Berlinit. Ai vetëm bëri një deklaratë të përgjithshme pro integrimit të mëtejshëm:

"Në polifoninë e botës së globalizuar evropianëve mund t'u dëgjohet zëri vetëm në rast se flasin me një zë. Vetëm kështu mund t'i mbrojmë me efektivitet interesat tona dhe mund të veprojmë bashkaraisht. Dhe më duket se pikërsht kjo është ajo që presin edhe qytetarët e Evropës."

Sipas mendimit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Gregor Gysi, dështimi i projektkushtetutës lidhet me karaterin e saj neoliberal dhe mungesën e dimensionit social. Kjo ide e tij u plotësua prej kryetares së grupit parlamtare të ekologjistëve Renate Künast e cila tha:

"BE-ja nuk duhet të thotë më interesa afatshkurtra përfitimi për ekonominë., por duhet të thotë që në 50 vitet e ardhshme do të ndërtojmë një Evropë sociale dhe ekologjike. Dhe në këtë drejtim duam të shkëlqejmë, sikurse po shkëlqejmë me projektin e një Evrope në paqe."

Të gjithë deputetët ishin të një mendjeje se Evropa ka nevojë për një kushtetutë të përbashkët. Në të duhet t'i jepet përgjigje edhe çështjes së identitetit evropian, sikurse u shpreh deputeti demokristian Andreas Schockenhoff:

"Sa më i madhe dhe më i pakontrollueshme që të bëhet BE, aq më tepër njerëzit do të shtrojnë pyetjen se ç'bën BE-ja, përse na duhet BE-ja, ku dallohet BE-ja prej të tjerëve në vorbullën e vazhdueshme të transformimeve dhe ndryshimeve. Kjo është një pyetje që ne evropianët ia drejtojmë vetvetes."

  • Data 22.03.2007
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx7
  • Data 22.03.2007
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx7