Në Hollandë zhvillohet referendumi popullor mbi projektkushtetutën evropiane | Evropa | DW | 01.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në Hollandë zhvillohet referendumi popullor mbi projektkushtetutën evropiane

Hollandezët do të votojnë nëpërmjet një referendumi popullor mbi projektkushtetutën evropiane. Ky referendum po zhvillohet në një kohë kur në Evropë mbizotëron frika se projektkushtetuta mund të dështojë. Pas "JO"-së së francezëve, asnjë shtet evropian nuk mban më mbi vete presionin se mund të jetë vendi i parë që voton kundër Kushtetutës Evropiane. Referendume të tilla popullore do të zhvillohen edhe në Britaninë e Madhe, Luksenburg, Danimarkë, Poloni, Portugali, Irlandë dhe ndoshta edhe në Çeki.

Amsterdam - Pamje nga kryeqyteti i Hollandës

Amsterdam - Pamje nga kryeqyteti i Hollandës

Në kryeqytetin hollandez kanë filluar përgatitjet për ngjarjen më të rëndësishme të ditës së sotme. Gazetarët e televizoneve dhe radiove kanë montuar kamerat dhe satelitët përpara ndërtesës së Parlamentit dhe qeverisë. Njerëzit në Hollandë nuk duken aspak të nervozuar. Një kamariere thotë e qetë:

"Unë do të them "JO". Këtë do ta bëj në rradhë të parë për t´i nxjerrë qeverisë hollandeze kartën e kuqe. Politika nuk po bëhet më për njerëzit, por për para dhe pushtet. Politikanët nuk mendojnë fare për njerëzit e varfër apo njerëzit e rinj në këtë vend. Ata mendojnë vetëm për para. Si për shembull euron. Në fillim ata deklaruan se eurot do të jenë një ndryshim pozitiv për ne. Por kjo nuk është e vërtetë."

Një burrë plak nxjerr në mënyrë demonstrative portofolin e tij dhe ankohet:

"Askush nuk kishte nevojë për euron. Më kuptoni ku e kam fjalën?"

Hollandezët janë të zhgënjyer nga politika. Programet dhe reformat e reja sociale nuk kanë ndihmuar aspak për të ulur papunësinë në vend. Në rast se hollandezët do të votojnë kundër projektkushtetutës, atëherë qeveria e kryeministrit Peter Balkenende do të pësojë një humbje të thellë. Dhe sipas progonzave ka shumë mundësi që hollandezët të votojnë sot kundër.

"Unë kam ndërmend të votoj për këtë projektkushtetutë. Ne duhet ta mbarojmë atë që kemi filluar."

Kjo grua u shpërndan pasantëve letra informative në të cilat shkëlqen një "PO" e madhe:

"Unë besoj se me monedhën e euros jeta u shtrenjtësua për ne. Dhe disa gjëra po ndodhin me shpejtësi të madhe. Por jam e bindur se po votuam tani, do të mund të arrijmë diçka. Prandaj duhet të votojmë për këtë projektkushtetutë."

Pas "JO"-së së francezëve, kryeministri hollandez Peter Balkenende u bëri thirrje hollandezëve duke deklaruar: "Ne hollandezët do të vendosim vetë. Sidomos tani duhet të votojmë për Kushtetutën Evropiane." Madje edhe kryetari i opozitës social demokrate Vouter Bos apeloi tek krenaria e hollandezëve: "Ne nuk do të influencohemi nga francezët se si do të votojmë."

Sipas mediave, pas referendumit në Francë, hollandezët ndjehen më të vendosur për të shprehur pakënaqësinë e tyre me qeverinë. Një hollandez i krishterë thotë:

"Unë them JO. Besoj se është mirë nëse Evropa punon e bashkuar. Por nuk besoj se një kushtetutë e përbashkët është e domosdoshme. Unë jam i krishterë, dhe emri i Zotit nuk shfaqet në asnjë pikë të kësaj projektkushtetute."

Ndërsa kjo grua thotë:

"Jam e pavendosur por besoj se do të votoj për projektkushtetutën. Ne nuk mund ta ndalojmë Evropën. Me çfarë kam kuptuar unë, shtetet evropiane nuk do të heqin dorë nga pavarësia e tyre. Por besoj se
është e rëndësishme që ta forcojmë Evropën. Shembulli më i mirë është lufta e Irakut: Të gjithë e pamë se çfarë katastrofe ishte kjo luftë, secili shtet evropian kishte mendim tjetër. Në të ardhmen Evropa duhet të flasë me një zë të vetëm."

Por sido që të dalin rezultatet e referendumit: Vota nuk është vendimtare as për qeverinë dhe as për parlamentin. Sidoqoftë partitë e mëdha në parlamentin hollandez kanë deklaruar se do ta marrin parasysh rezultatin e zgjedhjeve vetëm nëse pjesëmarrja në to është më e madhe se 30%.


  • Data 01.06.2005
  • Autor Stefan Dege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEF
  • Data 01.06.2005
  • Autor Stefan Dege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEF