Në Greqi një myslimane kandidon për prefekte | Ballkani | DW | 12.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Greqi një myslimane kandidon për prefekte

Në Greqi zhvillohen më 15 dhe më 22 tetor zgjedhjet për organet e pushtetit lokal dhe për prefekturat. I pazakontë për Greqinë ortodokse është se socialistët në opozitë kanë hyrë në garë për postin e prefektit në rajonin verilindor të vendin me një myslimane, avokaten 28-vjeçare Gulbejaz Karahasan

default

Ajo i përket minoritetit mysliman, i cili ankohet për diskriminime të shumta nga ana e autoriteve. Ajo nuk ka ndonjë shanc për të fituar, e megjithatë të gjithë sytë janë drejtuar drejt saj. Gulbejaz Karahasan, e re, bukuroshe dhe myslimane! Ajo është kandidatja me të cilën mburret PASOK-u. Ka dy vjet që avokatja e re ka zyrën e saj në vendlindjen e vet Xanthi, dhe tani po përfshihet edhe në politikën lokale.

Ajo është e tërhequr dhe nuk i ka qejf prezantimet në media, por në një intervistë për televizionin e Athinës SKAI u shpreh për programin e saj: "Ne përqëndrohemi tek problemet e përditshme të njerëzve dhe është e rëndësishme që ne t'i planifikojmë mirë projektet tona. Nuk ka kuptim që çdo prefekturë të ndjekë vetëm projektet e saj pa marrë parasysh projektet e prefekturave fqinje. Një qëllim tjetër i ynë është që të gjithë njerëzit të kenë të drejta të barabarta. Ne e dimë që kompetencat tona administrative janë të kufizuara, por jam e bindur se megjiathë mund të arrijmë diçka, në rast se i përdorim vërtet këto kompetenca."

"Shance të barabarta për të gjithë!" - kjo deklaratë nuk ka nevojë për komente. Karahasan i përket minoritetit mysliman në Verilindje të Greqisë, ku banojnë rreth 100.000 vetë me origjinë turke apo bullgare, të cilët kanë shërbyer vazhdimisht si mollë sherri.

Turqia flet për një "minoritet turk" në Greqi dhe e ndjen vetën përgjegjëse për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre. Karahasan nga ana e saj e quan veten si "qytetare greke e besimit mysliman". Ministri grek për Makedoninë dhe Trakinë, Georgios Kalantzis mendon se një deklaratë e tillë nuk është sa duhet patriotike. Përpara kamerave ai shtroi pyetjen retorike, nëse ajo e feston 25 marsin, festën kombëtare të Greqisë, e cila përkujton çlirimin e vendit prej Turqve në vitin 1821. Kandidatja për prefekte u shmanget sulmeve të tilla verbale.

Sipas saj frika e elektoratit prej të ardhmes është më e rëndësishme se trajtimi i së kaluarës dhe i historisë: "Problemi më i madh i rajonit tonë është papunësia dhe mund t'ju sjell shembuj konkretë. Të gjitha fabrikat e tekstilit si dhe fabrika më e madhe e letrës në qytetin Drama, janë mbyllur. Po ashtu edhe fabrika e plehrave kimikë në Kavala. Në rrezik është edhe rafineria e sheqerit në Xanthi, e cila ndoshta mund të mbyllet vitin e ardhshëm."

Karahasan flet rrjedhshëm jo vetëm greqisht dhe turqisht, por edhe bullgarisht dhe anglisht. Politikanët konservatorë të zonës së saj e akuzojnë atë për lidhje të dyshimta me shoqatat pro-turke. Por zgjedhësit e zakonshëm e pëlqejnë atë, edhe pse nuk dihet nëse kjo simpati do të reflektohet edhe në numrin e votave. Si favorit për këto zgjdhje vazhdon të jetë kandidati i konservatorëve Kostantinos Tacis, një mjek mjaft i njohur, me shumë përvojë në politikën komunale.

Gjithësesi Gulbeyaz Karahasan nuk tërhiqet:"Fushata jonë elektorale po zhvillohet e qetë dhe e matur. Por natyrisht që të gjitha partitë luftojnë për të fituar. Për ne janë të rëndësishme takimet me elektoratin, sepse në zonën tonë ka shumë fshatra të largët. Po ashtu kemi përgatitur edhe të gjitha gjërat e tjera që i takojnë një fushate elektorale, si përshembull pllakatat me fotografitë e kandidatëve ta në."

Nuk ka dyshim se me kandidaturën e Gulbeyaz Karahasanit drejtuesi i opozitës greke, ish-MPJ, Jorgos Papandreu, dëshironte të ndermerrte një hap simbolik. Gjithësesi vendimi i tij shkaktoj reagime të ashpra madje edhe në radhët e partisë së vet. Në mënyrën më të ashpër reagoi ish-ministri socialist i drejtësisë Stelios Papathemelis, një nacionalist me bindje fetare, i cili u shpreh: "Ne duhet t'i lëmë në dorë Turqisë fuqi administrative në Greqi".

  • Data 12.10.2006
  • Autor Jannis Papadhimitriu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbw
  • Data 12.10.2006
  • Autor Jannis Papadhimitriu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbw
Reklamë