Në Gjermani vazhdon diskutimi për mundësinë e ndalimit të partisë ekstremiste të djathtë, NPD | Gjermania | DW | 31.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Gjermani vazhdon diskutimi për mundësinë e ndalimit të partisë ekstremiste të djathtë, NPD

Që një parti ekstremiste duhet luftuar me mjete politike, për këtë janë në unanimitet të gjitha partitë demokratike, por ndërkohë po peshohet edhe mundësia e hapjes së procedurës për ndalimin e NPD-së. Ky debat është kontestuar edhe më shumë pas deklaratave që erdhën nga Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe.

Simpatizantë të NPD-së në një demonstratë në Berlin

Simpatizantë të NPD-së në një demonstratë në Berlin

Ishte e befasueshme ajo që dëgjuam nga Karlsruhe, tha eksperti i partisë socialdemokrate Dieter Viefelspyc. Zakonisht gjyqtarët e kushtetueses nuk prononcohen për temat aktuale politike. Ndërsa në këtë rast ata e kanë bërë një gjë të tillë. Hans-Jyrgen Papier, president i Gjykatës Kushtetuese të Federatës në Karlsruhe, tha pak a shumë qartë, se mund të ketë shans një kërkesë e dytë për ndalimin e partisë ekstremiste NPD. Skpeticizmi i ka përfshirë tani të gjitha partitë, pavarësisht se shumë politikanë, ndër ta edhe kryetarja e partisë ekologjike, Kaludia Rot, parimisht jan për një kërkesë të dytë kundër NPD-së në Karlsruhe:

"Debati për rihapjen e procedurës së ndalimit të kësaj partie duhet të zhvillohet me shumë kujdes. Unë jam dakord me kancelarin, që thotë, se një procedurë ndalimi duhet të verifikohet, por besoj, se shqyrtimi duhet të kryhet me shumë kujdes. Kjo pasi nuk do të kishte gjë më të shëmtuar, se sa hedhja poshtë për herë të dytë e një kërkese të tillë."

Në rast se edhe një përpjekje e dytë për ndalimin e NPD-së do të dështojë në Gjykatën Kushtetuese, ky do të ishte një triumf i madh për partinë ekstremiste, paralajmëron sekretari i përgjithshëm i partisë kristjandemokrate Volker Kauder. Megjithatë ai, ashtu si edhe një pjesë e madhe e antarëve të unionit kristjandmeokrat, është për një tentativë të dytë. Kauder tërheq vëmendjen, se kërkesa e parë për ndalimin e NPD-së e paraqitur në vitin 2003, dështoi jo për shkak të përmbajtjes, por për çështje formale. Faktikisht procedura dështoi, sepse u konstatua që disa persona që duhej të dëshmonin si agjentë të fshehtë, në të vërtetë kishin funksione të larta në NPD. Megjithatë nënkryetari i grupit parlamentar të unionit opozitar kristjandemokrat/kristjansocial në Bundestag, Volfgang Bosbah, shprehu rezerva, se përpara gjyqtarëve të kushtetueses nuk mjafton vetëm të provosh që NPD-ja është antisemitiste dhe ksenofobe. Për ndalimin e një partie duhet të provohet që ajo mban qëndrime agresive dhe luftarake kundrejt shtetit. Por pikërisht këtë bën kjo parti, sipas zëdhënësit të ministrisë së brendëshme Rainer Lingental:

"Nëse keni parasysh që ekzistojnë deklarata të kryetarit të NPD-së, i cili thotë, se monumenti i Holokaustit është vendi më i përshtatshëm për të qenë baza e kancelarisë së ardhshme të rahjut atëherë gjithçka, që duhet pohuar për qëndrimin antikushtetues të kësaj partie, është thënë hapur."

Sinjalet që vijnë tani nga Karlsruhe nuk duhet të hidhen në kosh, tërheqin vëmendjen përkrahësit e një kërkese të re për ndalimin e NPD-së. Megjithatë ka edhe kundërshtarë që paralajëmrojnë: se nuk duhet bërë sikur një procedurë e re kundër NPD-së do ta zgjidhte problemin e kësaj partie. Partia liberale i thotë jo prerazi përpjekjeve për rihapjen e procedurës së ndalimit. Me fjalë të qarta kryetari i partisë liberale Guido Verstervele deklaroi:

"Ne jemi për një konfrontim politik. Bindja jonë është, se ekstremizmi i djathtë nuk mund të luftohet me një proces të dytë gjyqësor, ndërkohë që i pari u mbyll me bujë. Përkundrazi një proces i dytë mund të influencojë në forocimin dhe unifikimin e mëtejshëm të skenës së ekstremizmit të djathtë."

Ndërsa vetë NPD-ja ironizon duke iu lutur partive që së pari të konfrontohen me njëra-tjetrën lidhur me pikëpamjet politike. NPD-ja nuk parashikon që të ndalohet si parti.

  • Data 31.01.2005
  • Autor Judit Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4o
  • Data 31.01.2005
  • Autor Judit Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4o