Në Gjermani lulëzon krimi ekonomik | Gjermania | DW | 11.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Gjermani lulëzon krimi ekonomik

Sipas sondazheve gjatë vitit 2005 një në dy firma në Gjermani ka qenë viktimë e makinacioneve kriminale. Autorët janë shpesh vetë punonjësit e firmave

Përvetësime apo sabotazh - numri i krimeve ekonomike në Gjermani është rritur

Përvetësime apo sabotazh - numri i krimeve ekonomike në Gjermani është rritur

Skandalet e korrupsionit në koncernet ndërkombëtare si Volkswagen apo Siemens, përvetësim i parave të klientëve në shuma qindra milionëshe në firmën e transportit Heros - nuk janë vetëm rastet më spektakolare të krimit ekonomik që shkaktojnë dëmet më të mëdha. Sipas sondazheve gjatë vitit 2005 një në dy firma në Gjermani ka qenë viktimë e makinacioneve kriminale. Dëmet sipas Zyrës Federale të Kriminalistikës kapin shuma disa miliardëshe, shifra e panjohur është e lartë. E meqenëse policia është shpesh e mbingarkuar rritja e krimit ekonomik shton porositë për detektivët privatë.

Vetëm 10 përqind e porosive i vijnë detektivit privat Andreas Simon nga personat privatë. Klientët e tij janë në rradhë të parë firmat. Bëhet fjalë për raste fallsifikimesh të bilanceve, invetare me gabime, spiunazh firmash apo edhe thjesht vjedhje nga pasuria e firmës.

Shpesh agjensia e Andreas Simon angazhohet edhe nga policia pasi kur ka dyshime duhen siguruar fillimisht prova të forta:"Fatkeqësisht policia sot ka mungesë personeli. Shpesh detyra e saj kufizohet në marrjen e deponimeve. Punën e mirëfilltë e kryejmë ne. Nëse kemi hetuar një keqbërës dhe duhen bërë kontrolle në banesa apo të tjera kontrolle të ngjashme për të cilat nuk jemi të autorizuar atëherë i drejtohemi policisë dhe i themi: ja cili është autori, ne kemi vëzhguar apo hetuar këtë apo atë aktivitet. Policia gëzohet dhe me informacionet e ofruara prej nesh mund të nxjerrë një urdhër arresti apo kontroll banese më shumë. Këto janë natyrisht detyra të autoriteteve." - thotë Simon.

Shpesh firmat nga frika e prishjes së imazhit heqin dorë nga padia dhe e rregullojnë vetë brenda rastin. Megjithatë numri i aktpadive sipas të dhënave të Zyrës Federale të Kriminalistikës gjatë vitit të kaluar është rritur me rreth 10 përqind për të kapur shifrën 90.000. Megjithëse krimet ekonomike përbëjnë vetëm 1,4 përqind të krimeve të regjistruara me shumën e dëmit, thuajse gjysma e dëmit total shkon për llogari të tyre: gjatë vitit të kaluar ky dëm kapi shifrën 4,2 miliardë euro.

Në pjesën më të madhe është vetë personeli i përfshirë në krime shpjegon detektivi Andreas Simon, i cili e ushtron profesionin prej 25 vjetësh. Agjensia e tij me zyrat kryesore në Siegburg pranë Bonit punon me rreth 12 detektivë të tjerë në landin e Rinit Verior dhe Vestfalisë me popullsinë më të lartë në Gjermani.

Simon i përshkruan kështu motivet e autorëve të krimineve ekonomike: "Lakmia është sigurisht një faktor por shpesh edhe pakënaqësia dhe ndjenja e të trajtuarit apo të shpërblyerit keq. Fajtorët shpesh mendojnë: një moment, ti ke merituar shumë më tepër nga sa merr këtu. Dhe më pas pjesën tjetër e marrin vetë."

Por ka edhe arsye krejt të tjera pse punonjësit e firmave përfundojnë në ndërmarrjen e aktiviteteve kriminale. Kështu përshembull frustrimi në vendin e punës bën që të lindin ndjenja hakmarrjeje kundrejt firmës: "Shpesh motivi për t'u pasuruar nuk është faktori vendimtar përkundrazi bëhet fjalë për dëshirën për të sabotuar. Kjo do të thotë që shpesh procese të thjeshta dëmtohen rëndë. Kështu përshembull një rast i pak kohëve më parë në prodhim: në një linjë prodhuese hidheshin vazhdimisht copa metali në makineri kështu që i gjithë mekanizmi nuk funksiononte, mbeti në vend. U desh të ndalohej e gjithë makineria dhe të vihej në punë nga e para. Çdo herë shkaktohej një dëm i madh financiar."

Në këtë rast zgjidhja ishte e thjeshtë: me anë të kamerave të fshehta keqbërësit u identifikuan shumë shpejt.

Shumë më të komplikuara janë hetimet në rastet e fallsifikimeve të bilanceve apo krimeve të ngjashme në të cilat manipulohen librat rregjistrues të firmave: "Në këtë rast veprojmë ne, sigurisht në bashkëpunim me ekspertë kontabël, llogaritarë e të tjerë të profesionit. Sipas eksperiencës sime të tilla gjëra dalin në dritë në rradhë të parë në kontabilitet. Hetimet mbi llogaritë e fshehta të të dyshuarve nxjerrin në dritë fakte të tilla si një Ferrari apo Porsche pëpara derës së dikujt që mund t'i lejojë vetes vetëm një makinë të thjeshtë. Apo edhe një shtëpizë në Majorka apo gjetkë që ishte fare e panjohur."

Të punësuarit e thjeshtë janë sipas statistikave më shpesh të përfshirë në rastet e krimit ekonomik. Shumë më rrallë janë të përfshirë në to manaxherët e lartë por ata shkaktojnë edhe dëmet vërtet të mëdha.

Detektivi privat Andreas Simon nuk beson se krimi ekonomik ka të bëjë me konjukturën. Kështu në kohëra të këqija njerëzit sipas tij vjedhin sepse kanë nevojë. Në kohëra të mira dëmi i shkaktuar është shumë më i madh pasi veprohet nën moton: askujt nuk do t' bjerë në sy nëse një pjesë shkon në xhepa privatë.

  • Data 11.12.2006
  • Autor Klaus Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyM
  • Data 11.12.2006
  • Autor Klaus Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyM