Në Gjermani e në të gjithë botën nxënësit protestojnë për klimën | Gjermania | DW | 15.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Gjermani e në të gjithë botën nxënësit protestojnë për klimën

Në ditën më të madhe të aksionit nxënëse dhe nxënës në të gjithë botën kërkojnë veprime më të vendosura për një mbrojtje efektive të klimës. Edhe në Gjermani, mijëra vetë dolën nëpër rrugë.

Vetëm në Berlin, sipas të dhënave të policisë në aksionet e protestës për klimën morën pjesë të paktën 5000 vetë. Për shkak të numrit të madh të njerëzve, Invalidenstraße u desh të mbyllej pjesërisht. Edhe në shumë qytete të tjera të mëdha, qindra deri mijëra të rinj morën pjesë në këto manifestime. Në Gjermani, organizatorët patën bërë thirrje për pjesëmarrje në më shumë se 210 vende. Për shembull nga landi i Rinit Verior-Vestfalisë, në qytete të ndryshme u raportuan se morën pjesë në aktivitete më shumë se 10.000 pjesëmarrës.

Në Gjermani, lëvizja "#FridaysForFuture" është veçanërisht e fuqishme - aktivistët e lidhin angazhimin e kaq shumë nxënëseve dhe nxënësve me përshtypjen, që politika gjermane bën veçanërisht pak për çështjet e klimës. Këtë javë, më shumë se 23.000 shkencëtarë iu bashkuan si "#ScientistsForFuture" kërkesave të të rinjve.

Mbështetje nga populli

Populli gjerman, sipas një anketimi, në shumicën e tij e mbështet këtë lëvizje. Në "Politbarometer" (barometrin politik) të ZDF-sëm dy të tretat e të pyeturve thanë se i konsiderojnë të mira demonstratat e të rinjve, edhe kur ato zhvillohen gjatë kohës së mësimit. Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier ritheksoi në një prononcim për revistën "Spiegel" kërkesën e tij, që nxënësit të angazhohen më mirë në kohën e tyre të lirë.

Hongkong

Hongkong

Protestat për klimën në 2000 vende në të gjithë botën

Logjika e grevave të shkollës është pak a shumë: nuk të sjell gjë që të mësosh për një të ardhme, e cila që sot është e rrezikuar në mënyrë masive nga klima. Kjo ka të bëjë me suedezen 16 vjeçare Greta Thunberg, e cila që prej më shumë se gjysmë viti proteston në Stokholm, me një pankartë të famshme me mbishkrimin "Skolstrejk för klimatet". Për një ditë të përbotshme aksioni ajo pati bërë thirrje në kuadër të një manifestimi në Stokholm.

Në të gjithë botën për këtë të premte qenë lajmëruar më shumë se 2000 manifestime, para së gjithash në qytete evropiane, por edhe në kontinente të tjera. Lista e publikuar në faqen ndërkombëtare të lëvizjes numëron më shumë se 120 vende në të gjitha pjesët e globit.