Në fokus mbrojtja e biodiversitetit - Konferenca e ministrave të mjedisit të G8 | Bota | DW | 16.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në fokus mbrojtja e biodiversitetit - Konferenca e ministrave të mjedisit të G8

Në një vend historik, në kështjellën Cecilienhof pranë Pocdamit, janë duke u konsultuar ministrat e mjedisit të vendeve të industrializuara të grupit G8 (Gjermania, ShBA, Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Italia, Japonia dhe Rusia). Në qendër të bisedimeve në ditën e parë të takimit (16.03) ishte mbrojtja e shumëllojshmërisë së faunës dhe florës. Në tryezë për herë të parë marrin pjesë në një konferencë të tillë edhe ministrat e mjedisit të pesë vendeve në nivelin e industrializimit Kina, India, Meksika, Brazili dhe Afrika e Jugut.

default

Në një zonë piktoreske kështjella e Cecilienhofit ka të regjistruar historinë në çdo gur të saj. Në vitin 1945, pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, katër fuqitë fituese vendosën këtu Marrëveshjen e Pocdamit për rendin e ri politik të Gjermanisë. Nëse tani këtu ministrat e mjedisit të shtatë vendeve kryesore të industrializuara dhe Rusisë ulen së bashku me kolegët edhe nga vendet me zhvillime marramendës të ekonomisë si Kina dhe India, padyshim që kemi të bëjmë sërish me diçka po kaq të rëndësishme: siç është shpëtimi i planetit. Kjo pasi gradualisht planetit po i merret fryma. Problemi është, që politika ndërkombëtare për klimën po funksionon me hapin e breshkës, ndërkohë që koha nuk pret. Për habinë e të gjithëve në ditën e parë të konferencës për herë të parë nuk u diskutua për ndryshimin e klimës, por mbi ruajtjen e shumëllojshmërisë së florës dhe faunës. Ndonëse që të dyja këto janë të lidhura ngushtë në një kontekst, deklaron Tobias Mynqmajer i organizatës së mjedisit Greenpeace: "Këto janë dy anë të një medaljeje, sepse humbja e biodiversitetit ose shkatërrimi i tij influencojnë ndjeshëm në ndryshimin e klimës. Në pyjet tropikale janë depozituar sasi të mëdha të dioskidit të karbonit, dhe me shpyllëzimin ai çlirohet duke shkatërruar klimën. Nga ana tjetër ndryshimi i klimës dhe ngrohja e Tokës çojnë në zhdukjen e llojeve. Kjo do të thotë, që të dyja proceset, shkatërrimi i shumëllojshmërisë biologjike dhe i klimës shkojnë hap pas hapi."


Kjo ndodh në një mënyrë mjaft dramatike. Studjuesit parashikojnë, që deri në vitin 2050 një e treta e llojeve që njihen sot do të zhduken pa kthim. Ministri gjerman i mjedisit Zigmar Gabriel thekson: "Çdo ditë ne humbasim 150 lloje, që zhduken në mjedisin tonë. Me një shpejtësi të madhe ne humbasim llojet që nuk mund të rikthehen. Ne po e shuajmë bankën e të dhënave të natyrës në një shpejtësi të paparë deri më sot."

Pasojat ekonomike janë të ndjeshme. Nëse do të humbasim gjysmën e të gjitha llojeve të peshkut deri në vitin 2050, atëherë do të marrë fund peshkimi komercial. Kjo prek në radhë të parë vendet e varfëra, në të cilat shpesh herë peshkimi është një ndër burimet e pakta të të ardhurave. Ndaj ministri Gabriel është i gëzuar që në konferencën e Pocdamit kanë ardhur kolegët e tij nga vendet e G8-ës si dhe nga vendet në nivelin e industrializimit. Në një konferencë të madhe ndërkombëtare që zhvillohet vitin e ardhshëm në Bon duhet të vendoset guri i themelit për mbrojtjen e llojeve. Por konferenca në Bon nuk do të jetë kaq historike sa kjo e Pocdamit: "Ky ambjent për organizimin e konferencës dallohet, se Cecilienhof u zgjodh në qershor 1945 në mënyrë që gjithkush të kishte hyrjen e vet: ish-Bashkimi Sovjetik, ShBA dhe Britania e Madhe. Sot ne falë Zotit mund të përodrim një hyrje, e kësisoj shpresojmë, që është një ogur i mirë për atë që ne do të gjejmë një rrugëdalje të përbashkët prej krizave të ndryshme ndërkombëtare në fushën e mjedisit dhe të zhvillimit ekonomik."

Të shtunën do të vazhdojnë konsultimet për ndryshimin e klimës. Nuk priten vendime të mëdha, e megjithatë pala gjermane si organizatore do të të flasë hapur në këtë raund. Aktivistët e Greenpeace në parkun e kështjellës e shohin ndryshe këtë konferencë, sepse ata thonë, mjaft është folur, tani duhen vepra për të mbrojtur klimën.

  • Data 16.03.2007
  • Autor Henrik Bëme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJD
  • Data 16.03.2007
  • Autor Henrik Bëme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJD
Reklamë