Në 60-vjetorin e pavarësisë së Filipineve | Bota | DW | 04.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në 60-vjetorin e pavarësisë së Filipineve

Në historinë e çkolonializimit të Azisë Filipinet luajnë një rol mjaft të rëndësishëm. Ndërsa në Vietnam, Burma, apo Indi ishin lëvizjet e fuqishme çlirimtare që i detyruan fuqitë kolonialiste të tërhiqeshin, dorëzimi zyrtar i sovranitetit për Filipinet prej SHBA-ve, që e mbanin atë të kolonializuar u bë thuajse në pajtim të plotë.

Pamje nga një rrugë në Manila

Pamje nga një rrugë në Manila

Më 4 korrik 1946 u regjistrua në histori "rasti i parë që një fuqi imperiale e dorëzon vullnetarisht pushtetin e saj" - sikurse shkruante një kronikan amerikan asokohe në Manila.

Rreth 50 vjet vazhdoi kolonializimi amerikan në arqipelagun juglindor të Azisë. Marrëdhëniet mes zotërinjve kolonialistë dhe popullsisë filipinase nuk ishin aspak harmonike. Pushtimi ushtarak i Filipineve prej SHBA-ve ishte rezultat i luftës spanjollo-amerikane. Pas fitores së kësaj lufte prej SHBA-ve në vitin 1898 këto përfituan si plaçkë lufte edhe Kubën, Puerto Ricon dhe Filipinet në Azi.

Filipinasit u bënë rezistencë të ashpër sundimtarëve të rinj dhe gjatë saj gjetën vdekjen rreth një milionë vetë.

Gjatë treqind vjetëve të sundimit spanjoll filipinët u konvertuan në fenë katolike. Feja katolike shërben si element unifikues në këtë rajon tepër heterogjen si nga pikëpamja etnike dhe kulturore.

Amerikanët bënë përpjekje të mëdha në fushën e shkollimit dhe arritën që anglishtja të bëhet si një lloj lingua franca në Filipine. Anglofonia nuk ishte vetëm një arritje qëndrore për krijimin e shtetit të filipinasve, por u jep sot Filipineve në botën globale mundësinë që të jenë një vend i rëndësishëm për vendësojen e firmave dhe koncerneve.

Nga pikëpamja e politikës reale tërheqja e SHBA-ve në korrik të 1946 prej Filipineve kishte vetëm karakter formal, sepse ky hap nuk solli asnjë ndryshim në varësinë e skajshme të Manilës prej Uashingtonit. Ndër tiparet e strukturave neokolonialiste të varësisë së Filipineve prej SHBA-ve mund të përmenden detyrimi për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë dhe ngritja e bazave të mëdha ushtarake, që për nga sipërfaqja janë më të mëdhatë jashtë territorit të SHBA-ve.

E ndërsa në pjesë të tëra të Azisë dhe të botës pas Luftës së II Botërore erdhën në pushtet regjime komuniste dhe lufta e ftohtë e ndau botën në dy kampe, qeveria vasale e Manilës i qëndroi besnike Uashingtonit. SHBA-të i proklamonin Filipinet si një demokraci e sukseshme e botës së tretë, por ky argument humbi vlerë kur dikatori Ferdinad Marcos shpalli në vitin 1972 gjendjen e jashtëzakonshme. SHBA-të e mbështetën tiranin Marcos, i cili e shndërroi politikisht vendin në një varrezë.

Sot filipinasit janë krenarë për demokracinë e tyre, që e rifituan në vitin 1986 përmes një revolte popullore të padhunshme, e cila u përshëndet në të gjithë botën. Por vetëm një formë demokratike qeverisjeje nuk është në gjendje të mbushë barqet e zbrazura, aq më tepër në një shoqëri, klasa politike e së cilës është e korruptuar dhe e etur për vjedhur dhe ku institucionet politike janë të dobta.

Senatori Juan-Ponce Enrile mendon se shkak kryesor për mungesën e dinamikës ekonomike të vendit është politizimi ekstren i jetës publike.

"Kur liderët tanë vijnë në pushtet duan të jenë popullorë dhe shiten si demokratë, duke harruar reformat që janë më të domosdoshmet. Eshtë e pamundur, që të reformosh fillimisht sistemin politik dhe pastaj atë ekonomik. Një gjë e tillë vlen si për Kinën, Vietnamin, Tajvanin, Singaporin apo Malajzinë. Të gjitha këto vende reformuan fillimisht sistemet e tyre ekonomike përpara atyre politike."

Për shkak të pushtetit të fesë katolike qeveria e Manilës nuk ndjek ndonjë politikë të planifikimit familjar dhe lindjet masive e shtojnë më tepër mjerimin në lagjet e varfra të vendit. Rreth 10% e 85 milionë filipinasve jetojnë sot jashtë vendit. Sipas një anketimit të zhvilluar kohët e fundit një ndër tre vetë do të largohej menjëherë prej vendit.

Për këtë shumë filipinas nuk kanë më shpresë tek klasa politike. Chito Gascon, një ndër udhëheqësit e njohur të shoqërisë civile thotë:

"Krijimi i institucioneve demokratike nuk ka çuar në kushte më të mira jetese për popullsinë vendase. Kjo ka bërë që tek shumë vetë të krijohet mendimi, se pavarësisht se cili vjen në krye të qeverisë, nuk ndryshon asgjë. Dhe shumëkush thotë, hajde të përpiqemi të bëjmë më të mirë prej këtyre që kemi."

  • Data 04.07.2006
  • Autor Ronald Meinhardus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArL5
  • Data 04.07.2006
  • Autor Ronald Meinhardus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArL5
Reklamë