Në çdo qendër të Kosovës vërehen fëmijë që kërkojnë lëmoshë | Shoqëria & Kultura | DW | 16.01.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Në çdo qendër të Kosovës vërehen fëmijë që kërkojnë lëmoshë

Policia e Kosovës e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka lancuar projektin “Të Drejtat e Fëmijëve-Largimi i lëmoshëkërkuesve” i cili po implementohet anembanë Kosovës.

Fëmijë që kërkojnë lëmoshë.

Në çdo qendër të Kosovës vërehen fëmijë që kërkojnë lëmoshë.

Alma 2 vjeçare, s´ka shumë kohë që ka mësuar të ecë. Ajo sapo ka filluar të belbëzojë edhe fjalët e para. Por, që tani ajo është e trajnaur nga e ëma si të mbijetojë...“Të mbijetojë apo të jetë e shfrytëzuar që në hapat e parë të jetës?”- lind kjo pyetje vetvetiu, sepse kjo formë mbijetese është shtrirja e dorës për lëmoshë para çdo kalimtari.

“Alma quhet. I ka dy vjet. Edhe kjo lyp dhe po lyp shumë mirë. Ajo nuk di të flas, por vrapon pas njerëzve dhe e shtrin dorën. E njerëzit i japin para,“-rrëfen e ëma e Almës, Mejremja, rome 21 vjeçare nga Kastrioti dhe nënë e katër vajzave duke tundur në krahë foshnjën dymuajshe.

Fahredin Verbovci, shef i Departamentit për Çështje të Komunitetit në Policinë e Kosovës.

Fahredin Verbovci, shef i Departamentit për Çështje të Komunitetit në Policinë e Kosovës.

Dhe, vrapi i Almës pas njerëzve me shpresën që do t´ia lëshojne ndonjë cent në dorën e vogël e të përbaltur do të mund të vazhdojë deri në fund të jetës së sapofilluar, poqese prindërit e saj dhe të shumë fëmijëve si ajo nuk do të përballeshin me forma juridike të luftimit të këtij fenomeni. Sepse, projekti “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve - Largimi i Lypësve nga Rruga”, i inicuar nga Policia e Kosovës dhe i mbështetur fuqishëm nga Organizata Evropiane për Siguri dhe Bashkepunim, është vetëm një nismë për mbështetje të këtyre fëmijëve të cilët sikur lindin me fatin e vulosur. “Prindërit e mi m´çojnë në ora shtatë të mëngjesit. Prej shpisë dal në ora tetë. N´pazar kryj punë paradite. Deri n´pesë shkoj nëpër krejt kafenetë. N´ora 6-shtë filloj me lyp n´rrugë. Prindërit m´thonë për këtë punë t´kemi lind...”.

Kjo është vetëm një sekuencë e spoteve të kësaj fushate, i cili nxjerr në pah zërin e ngulfatur të lypësve të vegjël, i cili nxit nevojën imediate për luftimin e këtij fenomeni. Sepse, për zhvillimin e shendetshëm dhe të plotë, fëmijët duhet të rriten në një rreth të shëndoshë familjar, - thotë kolonel Fahredin Verbovci, shef i Departamentit për Çështje të Komunitetit në Policinë e Kosovës. “Të gjithë jemi dëshmitarë që në rrugët e Kosovës ka shumë fëmijë që kërkojnë lëmoshë. Kështu që, departamenti ynë në bashkëpunim me partnerët e ngushtë si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë ju kanë qasë këtij poblemi, duke tentuar që sado kudo të parandalojnë shfrytëzimin e të drejtave të fëmijëve nëpër rrugë. Projekti do të vazhdojë edhe në vitin 2010 ku në bashkëpunim me partnerët tanë do të përkujdesemi që këta fëmijë sa më tepër që është e mundur të kthehen në bankat shkollore. Çfarë na gëzon më së tepërmi është se nuk ekziston ndonjë grup apo individ që qëndron prapa tyre duke i shtyrë fëmijët të kërkojnë lëmoshë. E nëse hasim në raste të tilla, ne duke përfillur rregullat konform ligjeve që janë në fuqi do të fillojmë procedurat dhe do të hapim hetimet ndaj këtyre individëve,”- thotë kolonel Verbovci.

Sepse, kërkimi lëmoshë i fëmijëve në rrugë është një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë kosovare pasojat e të cilit bartin vet fëmijët - thotë Gagurr Podvorica, drejtor i Institutit për Politika Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqënies Sociale të Kosovës. "Në rend të parë janë pasojat fizike, pasojat psiqike, sjellja asociale e fëmijëve, humbja e ndjenjës së turpit, e ndjenjës kolektive, arroganca, shtirja, shpirtngurtësia, humbja e dinjitetit...Me një fjalë, degjenerimi dhe mungesa e arsimimit,” - thotë drejtori Podvorica.

Kirsten Joppe, shefe e Sektorit për Monitorimin e Sigurisë në Departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe të Komuniteteve të OSBE -së.

Kirsten Joppe, shefe e Sektorit për Monitorimin e Sigurisë në Departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe të Komuniteteve të OSBE -së.

Departamenti për të Drejtat e Njeriut dhe të Komuniteteve është sektori më i gjërë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili vetëm brenda vitit 2009 ka investuar 671 mijë euro në projekte të ndryshme anembanë Kosovës. Për projektin “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve - Largimi i Lypësve nga Rruga” të cilin Policia e Kosovës po e implementon në të gjitha komunat e Kosovës, OSBE vetëm në vitin 2009 ka ndarë rreth 50 mijë euro. Faza e parë është identifikimi i lëmoshëkërkuesve dhe identifikimi i individëve apo grupeve që qëndrojnë prapa tyre, ndërsa faza e dytë, rehabilitimi dhe integrimi i këtyre fëmijëve në shoqëri.

Sepse, mendon zonja Kirsten Joppe, shefe e Sektorit për Monitorimin e Sigurisë në Departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe të Komuniteteve, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me seli në Prishtinë: “Mëshirë ndaj fëmijëve që kërkojnë lëmoshë nuk është falja e disa centëve, megjithëse njerëzit në Kosovë janë mjaft zemërgjërë ndaj tyre sepse këtu është traditë të ndihmohen të varfërit. Mirëpo, atyre duhet bërë e qartë se këta fëmijë nuk lypin me dëshirë por ata në të shumtën e rasteve janë të detyruar. Kështu që, me dhënje parashë si lemoshë nuk i ndihmojmë këta fëmijë por keqpërdirmin e tyre e bëjmë profitabil. Ndërkohë që ne, me largimin e tyre nga rruga, këtyre fëmijëve ju ofrojme arsimimin dhe një të ardhme më të mirë. Fushata sigurisht se s´mund ta zgjidh problemin tërësisht. Mirëpo, mjafton nëqoftëse edhe një fëmije hiqet nga rruga dhe shkon në shkollë, siç ishte rasti me fushatën në Pejë kur nga 15-të raste të trajtuara nga grupet punuese 10-të fëmije tashmë vijojnë mësimin dhe janë të përfshirë në aktivitete të ndryshme”.

Prandaj, mesazhi për të gjithë mbetet: "Lypja e detyruar e fëmijëve është formë e shfrytëzimit të fëmijëve dhe është joligjore. Mos u jepni para fëmijëve që lypin. Mos e përkrahni shfrytezimin e tyre!”

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 16.01.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LXiT
  • Data 16.01.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LXiT