1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nënshkruaj prejardhjen e racës dhe etnisë

Peter Hille8 Shkurt 2007

Formulari i Berlinit për të marrë nënshtetësinë gjermane shkakton kritika të ashpëra

https://p.dw.com/p/Aqxc
Të huaj në Berlin
Të huaj në BerlinFotografi: AP

Eshtë vetëm një gjysmëfjali, por në Berlin ajo ka shkaktuar reagime të fuqishme. Një një formular të qytetit për pashaportizim gjerman, të huajt duhet të pranojnë që administrata të ruajë disa të dhëna private. Këto të dhëna quhen në formular "prejardhja e racës dhe etnisë". Politikanit të gjelbër Özcan Mutlu, ky formulim i kujton Gjermaninë e nacionalsocialistëve.

Në fund të dhjetorit një azilkuërkues turk hyri në zyrën e Özcan Mutlus me një formular për të marrë shtetësinë gjermane. Ai i tha Mutlut se i ish dashur ta nënshkruante këtë formular dhe e pyeti atë se në çfarë lloj vendi jeton. Mutlu, i cili është deputet i parlamentit të Berlinit ishte i shokuar. Ai nuk e kupton përse të huajt duhet të japin të dhëna mbi racën ë tyre:

"A do të thotë kjo se ne nuk ua japim nënshtetësinë të huajve të një race të caktuar? Për më tepër që ata që nuk e nënshkruajnë këtë formular nuk e marrin pashaportën gjermane. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë."

Ky formular përdoret qysh prej vitit 2004. Rreth 20.000 njerëz morën gjatë kësaj kohe pashaportën gjermane në Berlin dhe kanë nëshkruar formularin në fjalë. Kjo është e padurueshme, thotë Özcan Mutlu:

"Për këtë arsye shtrova kërkesën në parlament dhe pyeta senatorin e brendshëm, i cili është përgjegjës, përse nevojtien këto të dhëna dhe mbi të gjitha si mund të bazohet shteti tek këto të dhëna kur pashaportizon të huajt me dokumente gjermane."

Kërkesa e Mutlus do të shqyrtohet javën e ardhshme nga parlamentit i Berlinit. Senatori përgjegjës Ehrhart Körting ndodhet ende me pushime.l Por i ngarkuari i qeverisë së Berlinit për integrimin, Günter Piening, e merr në mbrojtje administratën e qytetit. Të dhënat mbi prejardhjen etnike janë në favor të njerëzve nga shumë rajone: "Në këtë formular pyetet përveç kombësisë, edhe prejardhja etnike. Kjo është shumë e rëndësishme për raste të caktuara, si për shembull tek kosovarët. Ata kanë pashaporta serbe, por i përkasin popullsisë shqiptare."

Kosovarët nuk kanë më nevojë të kontaktojnë ambasadën serbe kur duan ta dorëzojnë pashaportën e tyre. Sidoqoftë BE-ja ka vënë si rregull që të dhënat mbi prejardhjen etnike mund të ruhen vetëm në rast se aspiranti për pashaportizim, e pranon këtë gjë. Günter Piening: "BE-ja e ka vënë këtë rregull për të luftuar diskriminimin. Në gjuhën që përdoret tek BE-ja, të dhënat që kanë të bëjnë me racën apo prejardhjen etnike, mund të jepen vetëm me pranimin e aspirantit për pashaportizim."

Administrata e Berlinit e përvetësoi tekstin e BE-së për formularët që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale. Ky është problemi, sepse anglisht, fjala "race" ka tjetër kuptim sesa në gjermanisht. Fjala "racë" asociohet menjëherë me kohën e nacionalsocialistëve:

"Në sistemin gjerman të drejtësisë kemi një problem të madh me përdorimin e fjalës "race". Por këto probleme do t´i kemi me siguri edhe në të ardhmen."