1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Turqi mbyllet në mënyrë simbolike procesi i shfuqizimit të pushtetit të ushtarakëve

Jërg Pful18 Gusht 2004

Në krye të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, instanca me influencën më të madhe në Turqi, për herë të parë është një person civil. Me këtë vendim të 17 gushtit qeveria ka ndërmarrë një hap tjetër për të kufizuar influencën e forcave të armatosura ndaj politikës. Sekretari i ri i Përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Sigurisë është Mehmet Yigit Alpogan, deri më sot ambasador i Turqisë në Greqi. Parlamenti qysh në verën e vitit të kaluar aprovoi një sërë reformash, nëpërmjet të cilave synohet të kufizohet influenca e ushtrisë.

https://p.dw.com/p/ArGe

Ushtarakët turq nuk e kanë konsideruar kurrë veten si gjeneralë të stilit amerikanojugor të puçeve, ndonëse ata vetë kanë kryer tri puçe në historinë e republikës, së fundi në vitin 1980. Këtë ata s´e kanë bërë kurrë për hir të pushtetit për veten e tyre. Përkundrazi, ushtarakët në Turqi në të shumtën e rasteve janë përpjekur që ta rikthejnë sa më shpejt të jetë e mundur në duart e civilëve aktivitetin e mundimshëm të politikës së përditshme. Ushtarakët e kanë konsideruar veten gjithnjë si një elitë mbipartiake sipas traditës së Ataturkut: pra si të thuash orientues të një republike të rrezikuar vazhdimisht: "Askujt nuk i lejohet të na imponojë që të jemi parti politike. Por ajo që e nxit ushtrinë të pozicionohet është republika si një shtet demokratik dhe laik si dhe uniteti i vendit dhe i popullit."

Kështu e formulon sot detyrën e vetëkuptueshme për ushtrinë Hilmi Ezkëk, por pa ngurrim mund të pranohet: janë ushtarakët ata që vendosin, se kur është në rrezik shteti laik dhe kush e rrezikon atë. Në luftën e ftohtë ishin komunistët armiku kryesor, më pas kurdët dhe islamikët. Kanë kaluar vetëm shtatë vjet, qëkurse ushtria nxorri tanket në rrugë për t´i imponuar Nexhmedin Erbakanit largimin nga posti i kryeministrit të Turqisë.

Ndërsa sot qeveris po në këtë post i preferuari i Erbakanit, Rexhep Taip Erdogan. Ky është një islamist i moderuar që i ka vënë kryqin së shkaurës së vet dhe po e nxit me forcë Turqinë drejt BE-së. Për këtë madje ai i bën lajka ushtrisë: "Ushtria turke, forcat e armatosura, janë pikënisja e modernizimit dhe demokratizimit të Turqisë."

Në këtë mënyrë Erdogan i përkund në djepin e qetësisë gjeneralët, por njëkohësisht si aksush tjetër ai është duke i bërë gropën vetes. Një vit më parë ai ia arriti t´i shfuqizojë ushtarakët së paku formalisht. Këshilli Kombëtar i Sigurisë u klasifikua një shkallë më poshtë si Forum Konsultues. Sekretarit të Përgjithshëm të këtij këshilli faktikisht iu hoqën kompetencat, dhe është zyra e kontrollit të shtetit ajo që kontrollon tani llogaritë e ushtarakëve.

Me emërimin e të parit sekretar të përgjithshëm civil që prej 44 vjetësh procesi i shfuqizimit ushtarak shënon një mbyllje simbolike: 60 vjecari Yigit Alpogan është diplomat, së fundi ai ka qenë ambasador në Greqi. Shfuqizimi i ushtarakëve nuk është hedhur vetëm në letër: disa herë qeveria e Erdoganit i ka injoruar këshillat e ushtarakëve. Erdogan pranoi mbajtjen e një referendumi popullor pët të vendosur për ribashkimin e Qipros, gjithashtu ai iu ka dhënë të drejta kulturore kurdëve.

Me këtë provohet se ushtarakët turq janë aq të fortë sa u lejon atyre qeveria civile. Në vitet 80 këtë e demonstroi kryeministri i fuqishëm Turgut Ezal duke marrë pjesë i veshur lirshëm me pantallona të shkurtra në një paradë ushtarake. Edhe pasardhësi i tij Erdogan demonstron forcën në mënyrë të ngjashme. Shpërblimin për këtë ai e pret në dhjetor, kur BE-ja të vendosë për fillimin e bisedimeve për antarësimin e Turqisë.