1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri shkelen te drejtat themelore të njeriut, si ajo për jetën dhe pronën

Ani Ruci3 Mars 2009

Intervistë me Elsa Ballaurin, kryetare e Grupit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut

https://p.dw.com/p/H44u
Elsa BallauriFotografi: Ani Ruci

DW: Në raportin e e Departamentit Amerikan të shtetit, për nivelin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, të publikuar në mes të kesaj jave, ka kritika ndaj autoriteteve të Tiranes për shkelje të tyre, kritika që në fakt nuk janë as të reja , as të panjohura. Çfarë mendoni ju për këto kritika? Janë të sakta, apo të tepruara?

Elsa Ballauri: Problemet lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri kanë mbetur pak a shumë ato, që kanë qenë. Pra, ende ndodhin keqtrajtime të qytetarëve në polici; të drejtat shkelen nga administrata e shtetit;, ende dhunohet dhe nuk respektohet e drejta universale e pronës, ende ka trafikim të qënieve njerëzore, ndonëse niveli është ulur; ende ka dhunë në familje, sidomos ndaj grave dhe fëmijëve. Ka dhunim të të drejtave në fushën edukimit dhe të shëndetësisë. Shkurt, të gjitha këto përmenden në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe janë pjesë thelbësore në axhendën tonë, si Grupi Shqiptar i Mbrojtje së të Drejtave të Njeriut..

DW: Ju sapo përmendët një sërë të drejtash, që dhunohen në Shqipëri. Mes tyre cilën do të listonit si më problematiken?

Elsa Ballauri: Padyshim të drejtën e pronës, të ndjekur nga mungesa e pavarësisë së mediave. Këtu do të shtoja edhe ligjin e lustracionit, të pezulluar javën e kaluar nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj ka gjeneruar një debat shumë të nxehtë në politikë, në shoqërinë civile dhe ndjekur me shqetësim nmga BE, Këshilli Europës dhe natyrisht Departamenti i Shtetit. Ajo që dua të theksoj, pasi për këtë ligj është folur dhe diskutuar gjatë, është dilema, në të cilën ndodhet Shqipëria para këtij ligji..

DW: Cili është opinioni juaj për këtë ligj?

Elsa Ballauri: Shqipëria është shumë e vonuar në këtë ligj. Nëse ky do të ishte hartuar, miratuar dhe zbatuar më parë, nuk do të mbetej kaq shumë në dorë të politikës. Për fat të keq në vend që Ligji i Lustracionit të bëhej një ligj i shoqërisë, pra një ligj i moralit ku ta gjenin veten të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe të ishin të gjithë të predispozuar ta shihnin të zbatohej, ai ka mbetur tani në dorë të politikës,.

DW: Zonja Ballauri, në Grupin Shqiptar të Mbrojtjes së tö Drejtave të Njeriut a vinë ankesa për shkelje të të drejtave, a merr ky grup përsipër të përfaqësojë në Gjykatat vendese, apo në atë të Strasburgut kallëzime penale për dhunim të këtyre të drejtave?

Elsa Ballauri: Po, vijnë, madje shumë dhe rregullisht. Kemi një qendër ankesah te hapur para 10 vitesh, më 1999-ën, që funksionon shumë mirë. Kemi një sukses të kohëve të fundit: para pak javësh Grupi ynë përfaqësoi një çështje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, pranë Këshillit të Europës në Strasburg, që e fituam. Sa për informacion është çështja që njihet si "çështja Dauti". Është e pesta apo e gjashta në rradhën e çështjeve shqiptare në Strasburg. Ishte një çështje e thjeshtë taksash, e rëndomtë në dukje, por absolutisht e rëndësishme për të kuptuar që Gjykata e Strasburg-ut nuk është diçka e jashtëzakonshme për të trokitur në dyert e saj, apo që ka të bëjë me gjera të mëdha, të rëndësishme prona, stërprona, shkelje, stërshkelje. Por tek ajo mund të shkohet edhe për një gjë tëvogël, administrative dhe çështja mund të fitohet.

Pra kemi ankesa te shumta, që vijnë nga shkelja e të drejtave të njeriut në burgje. Marrim shumë letra dhe telefonata nga të burgosur, madje edhe nga jashtë Shqipërisë për shkelje administrative, të pronave sigurisht. Por ka edhe një çështje tjetër, që mendoj se duhet të kishte qenë pjesë e kritikave dhe shqetësimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e fundit për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kjo është gjakmarja. Flasim për të drejta, për respektimin, apo dhumin të tyre dhe nuk kemi prioritar faktin, që prej gjakmarrjes rrezikohet e drejta themelore e njeriut, që është e drejta për jetön