1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shijak prodhohen konfeksione "Made in Germany"

23 Qershor 2009

Kompania gjermane "Naber Konfeksion", që prodhon në Shijak veshje grash me material porositësi, është një histori suksesi. Ndërkohë që firma të tjera rediktojnë prodhimin, "Naber" ka hapur 6 filiale të reja.

https://p.dw.com/p/IXSS
Logo e Quelle
"Naber Konfeksion", ka kontrata me klientë të rëndësishëm në Gjermani, si Quelle, Klingel, Vitveiden.Fotografi: picture-alliance / dpa / DW Montage

Në një sipërfaqje prej 15 mijë metrash katrore, të gjelbëruar me plepa, në periferi të Shijakut ndodhet kompania gjermane e njohur me emrin "Naber Konfeksion". Ndërtesa e thjeshtë dykatëshe, prej xhami dhe konstruksioni metalik ka repartin e qepjes së rrobave, zyrat e administratës, zyrat e desinjatorëve dhe teknikëve, që vijnë nga Gjermania. Veç ndërtesës dhe fuqisë punëtore gjithshka është gjermane: tekstili, modelet, shablloni.

Rreth 200 gra dhe vajza punojnë këtu me material porositësi, të sjellë nga Gjermania për të prodhuar konfeksione të destinuara vetëm për tregun gjerman. Gjithë procesi, që nga prerja, qepja, paketimi bëhet në Shijak. Por marka... është "Made in Germany".

Herbert Naber dhe gruaja e tij Kunigunda drejtojnë gjithshka. Kur më thonë që sapo i kanë kaluar të tetëdhjetat ,mbetem krejt e habitur për energjinë që rrezatojnë dhe vullnetin për të sfiduar vitet dhe mos dalë në pension. Por kane menduar edhe për pasardhësin, djali i tyre. Berdn Naber, inxhinier tekstili është i përgatitur të marrë në dorë biznesin e prindërve.

Ata e filluan atë në vitin e largët 1951, kur Herbert dhe Kunigunda themeluan në Neukirchen, në Nuerenberg, kompaninë e prodhimit të konfeksioneve për gra "Naber Damen Moden." Perspektivat që hapi shembja e Murit të Berlinit, për të gjetur krahë të lirë pune e çoi ciftin Naber në Poloni, Bullgari, Maqedoni dhe në vitin 1996, në Shqipëri pasi blenë të gjitha aksionet e një kompanie tjetër gjermane të prodhimit të veshjeve, kompanisë "Trumph", që operonte në Shijak por që falimentoi.

Herman dhe Kunigunda Naber përkundrazi ndërtuan një histori suksesi. Bilanci i tyre pas 13 vitesh: 6 filiale bija, të kompanisë në Shijak, të ngritura në Durrës, Krujë, Tiranë me rreth një mijë të punësuar. "Jam shumë i kënaqur me ecurinë e punës në Shqipëri. Cilësia e prodhimit është e mirë dhe krahu u punës i lirë. Kam kontrata me klientët më të rëndësishëm në Gjermani në fushën e konfeksioneve si Quelle, Klingel, Vitveiden," thotë Herbert Naber.

Kontratat nuk kanë nevojë për koment. Ato tregojnë që prodhimi nuk ka rënie dhe për pasojë nuk ka as shkurtim të punëtorëve. Gjithsesi në këto kohë të turbullta të krizës ekonomike globale, a ka sinjale që një ditë ajo mund të trokasë edhe në portën e kompanisë mëmë, në Shijak?

"Deri tani jo. Shpresojmë, që të mos prekemi edhe në të ardhmen. Vazhdojmë të marrim shumë porosi nga klientët tanë, pasi prodhimet tona janë cilësore. Do të vazhdojmë aktivitetin tonë duke shpresuar që kriza botërore të mos na prekë. Jemi shume të kënaqur me Shqipërinë, gjithshka na ecën mirë," thotë Herbert Naber.

Të kënaqura duken edhe punëtoret. Ato punojnë në një mjedis me dritë, me ventilim në verë dhe ngrohje qëndrore në dimër, me kantinën dhe kafeterinë e tyre. Rozeta Xharaku, që kryeson një brigadë me 20 rrobaqepëse, vlerëson kulturën dhe edukatën gjermane të punës si çelësin e suksesit. "Organizimi është shumë i mirë. Disiplina dhe kultura e punës jep rendiment. Puna e secilës është e normuar. Sa fillon qepja e një modeli, pantalloni, bluze, apo fustani procesi i punës kronometrohet. Kushtet e punës janë të mira, rrogat janë ngritur, tani marrim 200 mijë të vjetra," thotë Rozeta.

Kjo rrogë do të thotë vetëm 150 euro në muaj. Por në Shijak, ku nuk ka mundësira të tjera punësimi, kjo shifër konsiderohet një pagë e mirë. Administratori i kompanisë Naber, Nazmi Grori thotë se për të arritur në këtë pagë fuqia punëtore duhet të kualifikohet, pasi cilësia është arma më e fortë e për të qëndruar në tregun gjerman ku konkurenca është e madhe. "Konkurrenca është e madhe. Që të mbijestosh duhet cilësi. Dëgjohet kriza, kriza por tek ne, shyqyr Zotit, ajo nuk ka ardhur," thotë ai.

Çdo muaj kamionët e kompanisë Naber udhëtojnë drejt Gjermanisë, të ngarkuar me konfeksionet e qepura në Shijak. 1000 familje shqiptare marrin të ardhura nga punësimi i një pjesëtareje të tyre ne këtë kompani. Por jo vetëm kaq. 1000 gratë dhe vajzat e punësuara, janë bërë pjesë e një historie suksesi në kohë krize.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama