1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të takimit Mustafa - Vuçiq në Bruksel

Bekim Shehu18 Gusht 2015

Në takimin e radhës Prishtinë - Beograd, pritet të finalizohen marrëveshjet për lirinë e lëvizjes, energjinë, kodin telefonik dhe marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

https://p.dw.com/p/1GHBx
Wiener Wirtschaftsforum in Tirana
Isa Mustafa dhe Alexandar Vuçiq gjatë takimit në Forumin Ekonomik në Tiranë, 25.05.1015Fotografi: picture-alliance/epa/A. Babani

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen javën e ardhshme (25.08) në Bruksel për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi, të nisur tash e disa vjet më parë. Në këtë takim që do ta mbahet me me ftesë të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, pritet të mos humbasë më koha dhe të nënshkruhen disa marrëveshje. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, pritet të finalizohen marrëveshjet për lirinë e lëvizjes, energjinë, kodin telefonik dhe marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministrit i Kosovës Isa Mustafa, synon që këto marrëveshje të nënshkruhen në paketë. “Mendojmë që të gjitha këto çështje t'i përgatisim dhe t'i arrijmë si pako. Flitet vetëm për parimet themelore, e jo për statusin dhe për detajimin e asaj se si do të duket asociacioni. Do të thotë, parimet themelore për asociacionin, kodin telefonik që është kryer, në qoftë se ndërkohë nuk është penduar dikush, pastaj do ta kemi çështjen e energjisë dhe çështjen e urës mbi Ibër”, thotë kryeministri Mustafa. Sipas tij, Prishtina zyrtare tashmë i ka dhënë qëndrimet veta rreth këtyre çështjeve dhe ato i ka dërguar në Bruksel.

“Ne ia kemi dhënë qëndrimet tona edhe zyrës së zonjës Mogherini, se ne dëshirojmë që vetëm si pako ta arrijmë këtë. Do të nënshkruhet veç e veç secila nga marrëveshjet, por jo që njëra prej marrëveshjeve të mbetet më vonë, sepse pastaj dyshohet, që nëse mbetet diçka më vonë, ajo do të stërzgjatet dhe është vështirë të trajtohet”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se do të jetë pika më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi. Pala serbe tashmë ka kohë që kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, por Prishtina e hedh poshtë në mënyrë kategorike këtë kërkesë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe sipas qeverisë së Kosovës duhet të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës pa kompetenca ekzekutive. Megjithatë, do të jetë edhe zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ajo që do të angazhohet për këtë çështje për një zgjidhje kompromisi, por pa imponime. Ministrja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në një intervistë dhënë më parë për DW, është shprehur, se Bashkimi Evropian deri tani nuk ka imponuar ndonjë zgjidhje arbitrazhi. “Zakonisht metodologjia e BE-së në këtë dialog mund të përkufizohet si një rol lehtësues, deri tash nuk kanë imponuar ndonjë zgjidhje arbitrazhi, por BE-ja angazhohet që të gjendet zgjidhje që në të vërtetë të dyja palët do të jenë të kënaqura. Besoj se edhe kësaj radhe do të jetë një proces negociatash ndërmjet BE-së dhe të dyja palëve Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të shihet se cila do të ishte ajo zgjidhje e pranueshme”, thotë Edita Tahiri.

Ndonëse akoma nuk ka detaje se çfarë mund të jenë kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta dhe masa të tjera kundër çfarëdo asociacioni të komunave me shumicë serbe. Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka thënë për mediet lokale se kjo parti do të ndërmarrë një varg veprimesh për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.

"Protesta do të jetë vetëm një nga format që ne do ta shfrytëzojmë. Kemi bërë me dije ditët e fundit që ne nuk do ta reduktojmë aktivizimin tonë dhe kundërshtimin tonë në vetëm një metodë. Do të jemi radikal në kundërshtimin e kësaj marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe", ka thënë Driton Çaushi.

Me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sipas Lëvizjes Vetëvendosje Kosova do të hynte në një fazë të defunksionalizimit.

Sidoqoftë, takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të mbahet dy ditë para takimit të radhës së 27 gushtit të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nismë kjo e shtetit Gjerman. Në këtë takim sipas kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, do të flitet lidhur me projektet për të cilat është punuar deri më tani e që i përkasin rrjetit bazik të këtyre vendeve, përkatësisht lidhjes së kryeqyteteve dhe objekteve kryesore ekonomike dhe infrastrukturore.