1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Patrikanën e Pejës u shugurua Patriarku Irinej në krye të Kishës ortodokse serbe

Angelina Verbica4 Tetor 2010

Patriarku Irinej i bëri thirrje bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të gjejë një zgjidhje të pranueshme për statusin e Kosovës. Ceremonia e shugurimit të Patriarkut u zhvillua nën masa të rrepta sigurie

https://p.dw.com/p/PTgr
Kreu i Kishës serbe Patriarku IrinejFotografi: AP


Mbi 5500 qytetarë serbë të ardhur nga Serbia dhe disa qindra të tjerë nga vise të ndryshme të Kosovës morën pjesë në liturgjinë e shugurimit të kreut të Kishës serbe Patriarkut Irinej, e cila u mbajt në qytetin e Pejës në Kosovën Perëndimore. Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë, që një ceremoni e tillë inauguruese e krerëve ortodoksë serbë mbahet në Kosovë. Në ceremoni i pranishëm ishte edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Kreu i Kishës serbe Patriarku Irinej nga Patrikana e Pejës u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për statusin e Kosovës.

Serbien Kirche neuer Patriarch Irinej Gavrilovic
Kreu i Kishës serbe Patriarku IrinejFotografi: AP


“Nga ky vend i shenjtë i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, në duart e të cilit është fati i Kosovës dhe me lutjet e Zotit, që të mos e prishin shpirtin e tyre, duke sjellë vendime lidhur me çështjen e statusit të kësaj krahine jugore të Serbisë, në të cilën populli serb ka vatrat e tyre, shtëpitë e tyre, varret e të parëve dhe të shenjtit e tyre. Lutemi, që këtu të mbretërojë paqja dhe dashuria dhe sa më parë të mbyllen plagët e hapura”, tha Patriarku Irinej.

Qindra ushtarë të forcave paqeruajtëse ishin të angazhuar për sigurinë gjatë liturgjisë. 900 policë të Kosovës siguruan autobusët dhe veturat private, që bartin serbët, të cilët në mënyrë të organizuar erdhën nga Serbia. Nga Serbia në Kosovë erdhi edhe presidenti serb Boris Tadiç, i cili më herët kishte kërkuar leje nga zyra të ngarkuarit të BE-së në Kosovë. Presidenti Tadiç mori pjesë në liturgji, por nuk bëri asnjë deklaratë për media. Mirëpo në Patrikanën e Pejës nuk u lejuan që të shkojnë nga policia dy politikanë tjerë serbe. Tomisllav Nikoliq, nga Partia Serbe e Progresit dhe Velimir Iliq, nga Partia Serbia e Re. Sipas një zëdhënësi të policisë, Brahim Sadriu, dy politikanët serbë nuk kishin marrë leje që të hyjnë në Kosovë.

Flash-Galerie Kosovo
Patrikana e PejësFotografi: picture alliance/dpa


“Kanë qenë këto dy raste. Njërit i është refuzuar hyrja, Tomislav Nikoliqit, ndërsa tjetri Velimir Iliq është nxjerrë jashtë territorit të Kosovës, pasi të dy kanë qenë të shoqëruar me delegacione të tyre, por që të dy grupet nuk e kishin lejen, që duhet për të vizituar Kosovën, tha zëdhënësi Sadriu.

Në liturgjinë e shugurimit të kreut te Kishës Ortodokse serbe, Patriarkut Irinej, nuk ishin të ftuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Ata ishin pajtuar që për këtë liturgji, që mbahej në Kosovë, mund të vinin edhe politikanë nga Serbia, por me kushtin që mos të bënin deklarata politike. Ndërmjetës në komunikimin ndërmjet Kishës ortodokse serbe dhe institucioneve të Kosovës, është shefi i zyrës greke në Kosovë, ambasadori Dimitris Moskopullos. Ai është emëruar nga zyra e përfaqësuesit të posaqëm të BE-së në Kosovë për t'u kujdesur për trashigiminë serbe në Kosovë. Liturgjia e shugurimit të kreut të Kishës serbe Patriarkut Irinej sipas policisë ka kaluar pa ndonjë incident. Megjithatë policia njoftoi se pas përfundimit të Liturgjisë ka arrestuar tre persona, të cilët kishin hedhur gurë në disa autobusë, që bartnin serbë të ardhur nga Serbia.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica