1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

US-Piloten Pakistan

25 Gusht 2010

Fillimisht këtë detyrë e morën përsipër ushtarët e stacionuar në Afganistan, tashmë fluturojnë mbi Pakistan pilotët e misionit në Oqeanin Indian. ta janë stacionuar në një bazë ushtarake pakistaneze, në Islamabad

https://p.dw.com/p/OvVT
Një nga helikopterët amerikanë që po ndihmojnë Pakistanin
Një nga helikopterët amerikanë që po ndihmojnë PakistaninFotografi: AP

"Është një ngarkesë tipike që sjellim me vete: sheqer, grurë, miell, vaj, fruta, zarzavate, kripë."

Këto janë ndihmat humanitare, që sjellin pilotët amerikanë që nga fillimi i gushtit për të prekurit nga përmbytjet në Pakistanin veriperëndimor. Gjithsej 20.-30.000 kg për ngarkesë.

Normalisht majori Kevin Duffy dhe kolegët e tij kanë një ditë normale pune tetëorarëshe. Tre deri në katër herë në ditë ata dërgojnë ndihma në zonat e izoluara nga përmbytjet dhe marrin në kthim njerëzit e rrezikuar nga vërshimet.

Shtatë helikopterë të tipit Sikorsky CH53 janë stacionuar ndërkohë në bazën ushtarake pakistaneze Ghazi në veri të Islamabadit, tetë helikopterët e tjerë janë të tipit Ch 46. Pritet të mbërrijnë së paku edhe katër helikopterë të tjerë. Pasi fshatrat në luginën e Svatit dhe Kohistanit mund të furnizohen vetëm përmes urës ajrore humanitare, thotë Kevin Duffy.

"Ne kemi ardhur 700 kilometra në veri nga bregdeti i Karaçit, kemi patur të gjithë vendin. Në jug gjendja është katastrofale, gjithkund sheh vetëm ujë,"

thotë një pilot.

Numër i madh i personave të izoluar në Veri të Pakistanit

Në luginën Svat janë shkatërruar urat dhe rrugët, sa më shumë të ngjitesh drejt veriut, aq më shumë shikon njerëz të izoluar.

"Ka një kontrast të madh mes zonës së mrekullueshme, peizazheve të bukura dhe asaj se çfarë ka shkatërruar vërshimi",

thotë Michael Leader.

Michael Leader është mjek ushtarak. Disa herë në javë ai fluturon së bashkë me misionin e ndihmës. Shumë nga viktimat kanë nevojë për ndihmë, thotë ai.

"Ka shumë sëmundje të lëkurës, të mushkërive, turbekuloz, malarje, ethe. Gjendja mund të përkeqësohet, po kanoset kolera."

Në të vërtetë puna e mjekut Leader duhej të ishte trajtimi i 250 ushtarëve amerikanë, që janë stacionuar në Ghazi.

Amerikanët theksojnë gjithmonë se janë stacionuar me ftesë të qeverisë pakistaneze, për një mision humanitar. Për këtë arsye ata nuk mbajnë armë, edhe helikopterët nuk mbajnë armatim. Për sigurinë e tyre kujdeset ushtria pakistaneze, në çdo mision është i pranishëm edhe një oficer i aviacionit ushtarak pakistanez.

"Pilotët pakistanezë na kanë pritur krahëhapur, ne bashkëpunojmë shumë mirë."

thekson majori Kevin Duffy.

Në luginën e Svatit deri vitin e kaluar vendosnin talibanët, shumë njerëz në këtë zonë kanë simpati për talibanët dhe aversion ndaj Amerikës. Por pilotët deri tani nuk e kanë ndierë këtë.

Mjeku Michael Leader madje është i mendimit se misioni humanitar amerikan do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit amerikan tek pakistanezët. "Mendoj se kjo do të ndikojë. Sepse mund ta shohësh përditë atë të mirë që po ofrohet. Përditë ne u japin viktimave ushqim. Mund të them se mund të bëhet vetëm më mirë."

Autor: Sabina Matthay/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi