1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë - deri në mesditë pjesëmarrje normale në zgjedhje

15 Nëntor 2009

Sot filloi procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale. Mbi një milionë e 500 mijë qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote. Zgjedhjet lokale në Kosovë kësaj radhe po organizohen për herë të parë tërësisht nga kosovarët

https://p.dw.com/p/KXLg
Thirrje kosovarëve të hedhin votën e tyre
Thirrje kosovarëve të hedhin votën e tyreFotografi: AP

Në zgjedhjet lokale që filluan këtë të diel, për herë të parë do të votohet drejpërdrejt për kryetarë komunash. Zgjedhje po zhvillohen në 36 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe tri komunat e reja më shumicë serbe të krijuara në bazë të planit të decentralizimit.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin LushtaFotografi: Mimoza Cika-Kelmendi

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, beson se procesi i votimit edhe në këto venbanime do të zhvillohet normalisht. "Vetëm në komunën e Mitrovicës së veriut dhe komunën e Parteshit tani nuk do të ketë zgjedhje, aty do të zhvillohen zgjedhje ndoshta më vonë", thotë Lushta. Pjesmarrja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë thuhet të jetë normale, mirëpo akoma jo ajo që duhet të jetë. Zyrtarë të KQZ-vë, thonë se pasdite presin rritje të numrit të votuesve sepse votmi në masë të madhe pasdite tashmë është shndërruar në praktikë që nga paslufta në Kosovë. Rrjeti i monitoruesve vendor, Demokracia në veprim, gjatë paraditës jan shënuar disa incidente të vogla. Incidente kryesisht përplasje të vogla ndërmejt komisionerëve jaë regjistruar në një qendër votmi në Prishtinë, në Malishevë dhe në Dragash, incidente këto që megjithatë u cilësuan të izoluara dhe që nuk kanë ndikuar në mbarvajtjen e procesit të votimit. Votimi është duke u zhvilluar normalisht edhe në vendbanimet serbe, kryesisht në Kosovën qendrore.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë njoftuar më herët se të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje janë gjithsej 76 subjekte politike. Këtu përfshihen 37 parti politike, 15 kandidatë të pavarur 18 iniciativa qytetare dhe dy koalicione. Nga ky numër 34 subjekte janë nga komuniteti shqiptar, 21 nga komuniteti serb, 2 malazezë, 3 nga ai turk, 1 rom, 2 ashkalinj, 1 egjiptian, 1 goran dhe 7 subjekte politike boshnjake. Të drejtë vote kanë mbi një milion e pesëqindëmijë qytetar të Kosovës.

Kuti votimi, foto simbolike
Kuti votimi, foto simbolikeFotografi: picture alliance / dpa

Janë afro 750 qendra votimi me mbi 2 mijë vendvotime. Vendvotimet u hapën në ora shtatë të mëngjesit dhe pritet të mbyllen zyrtarisht në orën 19 të mbrëmjes. Sipas zyrtarëve të KQZ-së, nëse radhët e njerëzve janë të gjata, atëherë qendrat e votimit mund të qëndrojnë të hapuara edhe pas orës 19-të. Zgjedhjet lokale do të përcillen nga mbi 20 mijë vëzhgues, ndërsa, vëzhguesit kryesorë janë një rrjet i organizatave joqeveritare ndërkombëtare, ENEMO. Për të përcjellë zgjedhjet lokale të ditës së diel, në Kosovë po qëndron edhe një delegacion i Parlamentit Evropian.

Pamje nga Prishtina
Pamje nga PrishtinaFotografi: picture-alliance/ dpa

Policia e Kosovës nga ana e saj thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat që procesi i votmit gjatë ditës së diel të zhvillohet në një atmosferë të qetë pa telashe. Baki Kelani, është zdhënës i policisë.

Policia ka përgatitur të gjitha planet operacionale për ecurinë e fushatës parazgjedhore dhe gjithashtu ka përgatitur planin për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Është i angazhuar numër i mjaftueshëm i policëve në të gjitha drejtoritë rajonale, përfshirë këtu edhe ato në vendbanimet serbe”, thotë zëdhënësi Baki Kelani.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, kanë thënë se nuk kanë plane të veçanta operative për ditën e zgjedhjeve. Sipas komandantit të KFOR-it, gjeneralit Gjerman Markus Bentler, nuk ka indikacione për përkeqësim të mundshëm të situatës së sigurisë.

Gjenerali gjerman Markus Bentler
Gjenerali gjerman Markus BentlerFotografi: DW

Zgjedhjet e para, të organizuara në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës, kanë vëmendjen tonë kryesore. Ne, së bashku me të gjithë partnerët tanë, veçanërisht me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, do të sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurtë. Ne do të jemi aty për njerëzit e Kosovës, do të jemi të gatshëm të reagojmë shumë shpejt nëse paraqitet nevoja”, thotë gjenerali Bentler.

Në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë në vitin 2007, numri pjesëmarrësve në zgjedhje ishte pak më shumë se 40 përqind. Kjo shifër nuk ishte e kënaqshme për autoritetet e këtushme dhe as komunitetin ndërkombëtar, mirëpo, zgjedhjet u shpallën të vlefshme, sepse nuk kishte të përcaktuar ndonjë prag të përqindjes së daljes në zgjedhje. Edhe kësaj radhe do të veprohet në mënyrë të njëjtë, sepse as Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh ndonjë prag të përqindjes së pjesëmarrjes në zgjedhje, për t'i shpallur ato të vlefshme apo të pavlefshme.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Esat Ahmeti