1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO Kosovo

12 Qershor 2009

Dhjetë vjet pas luftës së Kosovës, NATO ka zvogëluar numrin e trupave në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Skefer deklaroi se në fund të vitit, numri i trupave të NATO-s do të reduktohet më tej.

https://p.dw.com/p/I7wE
Ushtarë gjermanë në Kosovë.
Dhjetë vjet pas luftës së Kosovës, NATO-ja merr vendimin e zvogëlimit të numrit të trupave të saj në Kosovë.Fotografi: AP

Dita për shpalljen e reduktimit të trupave në Kosovë nuk mund të qe zgjedhur më e përshtatshme. Pothuaj këtë ditë, dhjetë vjet më parë, NATO-ja u fut në Kosovë për t'i dhënë fund spastrimeve etnike nga ushtria serbe. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung ishte i pari që e deklaroi vendimin, në një kohë kur takimi me 27 kolegët e Aleancës Ushtarake ende nuk kishte nisur. Jungu deklaroi, se trupa e Kosovës do të zvogëlohet gradualisht: "Kjo do të thotë: si hap i parë, nga 14 400 në 10 mijë ushtarë. Dhe më pas ne do t'i vlerësojmë zhvillimet e mëtejshme në bazë të gjykimit përkatës për gjendjen. Në këtë kuadër ne do të ndërmarrim reduktimin e përshtatshëm të ushtarëve tanë." Ministrat e mbrojtjes vërtet nuk ranë dakord, për një datë konkrete tërheqjeje, këtë do ta bëjnë së shpejti ambasadorët. Për rreth 2 300 ushtarët e Bundesverit të stacionuar në Kosovë, kjo do të thotë që rreth 700 mund të presin që për Krishtlindje të jenë pranë familjeve të tyre.

Takimi i Këshillit të Ministrave të Natos në Bruksel.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung ishte i pari që e deklaroi vendimin për reduktimn e trupave, në një kohë kur takimi me 27 kolegët e Aleancës Ushtarake ende nuk kishte nisur.Fotografi: AP

I mundur reduktimi i trupave u bë, pasi gjendja në Kosovë u qetësua më shpejt se ç'pritej. Vetëm një vit e gjysmë më parë, Kosova shpalli njëanshëm pavarësinë e saj - përkundër rezistencës së vendosur të qeverisë serbe në Beograd. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop - Skefer theksoi se, trupat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë me një numër të konsiderueshëm. Nato-ja vetë flet për një potencial frikësimi: "Ne do të mbetemi përgjegjës për një ambjent paqësor dhe të sigurtë", tha kreu politik i Aleancës, "për aq kohë sa kjo të jetë e nevojshme për shumicën shqiptare dhe pakicën serbe."

Ushtarë francezë në Kosovë.
I mundur reduktimi i trupave u bë, pasi gjendja në Kosovë u qetësua më shpejt se ç'pritej.Fotografi: AP

Gurin për tërheqjen e trupave e vunë në lëvizje të parët spanjollët, që në fillim të vitit. Ministrja spanjolle e mbrojtjes, Karme Çakon (Carme Chacon) deklaroi papritur gjatë një vizite të trupave spanjolle në Kosovë, se Madridi do t'i kthente në shtëpi ushtarët spanjollë. Pas kësaj në radhët e NATO-s, u përhap shqetësimi, se edhe vende të tjera mund të ndiqnin këtë shembull dhe tërheqja e trupave mund të merrte pamjen e një arratije të pakontrolluar. Vërtet që spanjollët u bindën në fund, që të qëndronin edhe disa kohë. Ministrja e mbrojtjes megjithatë e sheh veten tani të konfirmuar në qendrimin e saj: "Ne spanjollët e përshëndesim faktin, që edhe shtete të tjera e aprovuan reduktimin e trupave të tyre."

Përmirësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë, është vetëm njëri nga shkaqet për tërheqjen e pjesshme. Një shkak tjetër është, se partnerët e NATO-s kanë nevojë për çdo ushtar, që ta dërgojnë në Afganistan. Udhëheqja e re amerikane, arriti që aleanca ta shtojë në mënyrë masive kontigjentin e trupave në Hindukush. Ky është edhe një nga shkaqet, pse ushtarët po tërhiqen nga angazhimet e tjera.

Autor : Peter Heilbrunner / Auron Dodi

Reaktoi : Aida Cama