1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031209 Putin Fragestunde

4 Dhjetor 2009

Kryeministri rus Vladimir Putin njëherë në vit u përgjigjet drejtpërdrejt në televizion pyetjeve të popullit. Të enjten (3.12.) ai u prononcua për disa probleme.

https://p.dw.com/p/KqKF
Putini u përgjigjet pyetjeve të popullit
Putini u përgjigjet pyetjeve të popullitFotografi: AP

Një studio televizive e rregulluar enkas në qendër të Moskës ishte ndriçuar me ngjyrë të kaltër shkëlqyese. Po ashtu edhe bashkëpuntorët, të cilët duhej të pranonin thirrjet telefonike, mbanin nga një shall të kaltër rreth qafës. Ata përhapnin gjallëri të rrëmujshme. Pak minuta para paraqitjes së kryeministrit Putin, ata filluan të pranonin thirrjet telefonike të qytetarëve të shqetësuar. Nuk vonon shumë e në studion televizive futet me pamje shumë serioze kryeministri rus Vladimir Putin. Në këmbë ngriten mbi 100 spektatorët e pranishëm në studio.

700 mijë pyetje me telefon

Sipas organizatorëve para emisionit janë regjistruar mbi 700.000 pyetje me telefon, të dërguara me SMS apo përmes postës elektronike. Prej orës dhjetë, sipas kohës së Evropës Qendrore, kryeministri rus u përgjigjet pyetjeve të ndryshme në një shou të drejtpërdrejtë televiziv. Megjithatë aty nuk i lihet asgjë rastësisë - temat filtrohen paraprakisht.

Pyetja e parë e shikuesve ka të bëjë me sulmin e fundit terrorist ndaj Newski Express-it, trenit të linjës Petersburg- Moskë si pasojë e të cilit humbën jetën 26 njerëz. Putini foli për një rrezik mbarëbotëror nga terrorizmi, i cili nuk po e kursen as Rusinë. Kërcënimi nuk ka kaluar ende. Masat e sigurisë duhet të forcohen edhe më shumë.

Siguria dhe kriza ekonomike në qendër të interesit

Pas sigurisë një temë e rëndësishme është kriza ekonomike. Lidhja e parë e drejtpërdrejt bëhet me qytetin veriperëndimor rus, Pikaljovo. Atje Putin pati ndikuar me pushtetin e tij që punëtorët e një fabrike të çimentos të vazhdojnë të marrin pagat e tyre. Ata e falendërojnë përzemërsisht Putinin për misionin e tij dhe e pyesin se a do të shkonte përsëri atje po të paraqitej nevoja.

"Nëse e kërkon situata atëherë unë do të vij tek ju. Nëse duhet, në secilën pikë të federatës ruse. Ky është obligimi im. Por unë besoj se kjo aktualisht nuk është e nevojshme. Ne e kemi gjendjen nën kontroll në shumë qytete monoindustriale, po ashtu edhe në Pikaljovo. E rëndësishme është që të nënshkruhen kontrata afatgjata të punës për vitin e ardhshëm. Ju keni absolutisht të drejtë. Me sa e di unë një marrëveshje e tillë do të lidhet së shpejti".

Profili i menaxherit të krizave

Gjatë emisionit ai u përgjigjet pyetjeve, që vijnë nga të gjitha anët e vendit - nga Togliatti, ku në prag të falimentimit ndodhet prodhuesi i automobilëve Awtowas apo nga Sajanogorski ku në gusht një shpërthim shkaktoi një katastrofë në një hidrocentral. Putini në këtë mënyrë ka mundësi të prezantohet si menaxher i mirë i krizave. Ndërkaq i pyetur se a do të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Putini theksoi:

"Unë do të mendohem ende. Ka ende mjaft kohë. Mendoj që secili prej nesh duhet tani në vendin e tij të përmbush detyrimet e veta. Vendimi im për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012 do të varet nga gjendja ekonomike dhe sociale. Aktualisht jemi në vitin 2009".

Një lajm të rëndësishëm për temën e energjisë ai e kishte të gatshme. Ai paralajmëroi se Rusia do të ndërtojë në dhjetë vitet e ardhshme 32 centrale të reja bërthamore.

Autor: Stefan Laack/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi