1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Itali dështojnë përpjekjet për qeveri të përkohshme

Jörg Seisselberg4 Shkurt 2008

Presidenti i senatit italian, Franco Marini, nuk arriti të krijojë një qeveri të përkohshme me qendrën e djathtë. Berluskoni kërkon zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/D2LB
Romano Prodi dhe Silvio BerlusconiFotografi: AP
Ai që donte t'i dhuronte një qeveri të re Italisë si përfundim mbeti duarzbrazët. Franko (Franco) Marini nuk arriti ta bindte koalicionin e qendrës së djathtë të Silvio Berluskonit (Berluskonit) që të pranojë qeverinë e përkohshme. Mbas takimit të tij me Marinin kreu i opozitës italiane nënvizoi sërish se nuk është i gatshëm të formojë asnjë lloj qeverie të përkohshme edhe sikur ajo të rrinte vetëm tre muaj për të ndryshuar ligjin zgjedhor: “Kjo", thotë Berluskoni, "nuk vjen fare në diskutim. Do të ishte vetëm humbje kohe e panevojshme dhe e pakuptueshme." Berluskoni nuk e fsheh faktin, që kërkesa e tij për zgjedhje të reja ka të bëjë edhe me rezultatet e anketimeve aktuale, sipas të cilave ai ka një përparësi të qartë. Dhe meqë koalicioni i qendrës së djathtë gëzon besimin e zgjedhësve, nuk ka pse të ketë destabilizim, qoftë edhe me ligjin aktual zgjedhor, thotë ai. "Ky ligj mund të sjellë rezultate optimale. Ai u jep liri të madhe të gjitha koalicioneve, ndërkohë që koalicioni i qendrës së djathtë ndodhet shumë më përpara atij të së majtës. Sipas disa anketimeve jemi 10 përqind përpara, në disa të tjera madje 16 për qind.” Edhe partneri i Berluskonit, Xhianfranko (Gianfranco) Fini, shefi i Aleancës Kombëtare (Alleanza Nazionale) dhe ish-ministër i jashtëm në bisedën me Marinin këmbëngulte në të njëjtën linjë: Jo qeveri të përkohshme, por sa më shpejt zgjedhje të parakohshme. Në këtë mënyrë dështoi përpjekja e presidentit të senatit për të arritur një kompromis me koalicionin e qendrës së djathtë. E pafrytshme ishte edhe përpjekja e Partisë Demokratike, forcës më të madhe në kampin e qendrës së majtë, për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme me anë të një qeverie të përkohshme. Kryetari i partisë, Walter (Valter) Veltroni, mbas bisedës me Marinin deklaroi me dëshpërim se për propozimin e tij nuk gjeti mbështetjen e shumicës: "Ne kishim kërkuar tre muaj, jo tre a 30 vjet, por vetëm tre muaj. Një qeveri e përkohshme gjatë këtyre tre muajve do t'u jepte italianëve sigurinë se nuk do të jetë më si më parë, por do të ketë një ligj që garanton qendrueshmëri. Unë shoh që partitë e qendrës së djathtë janë pozicionuar për diçka tjetër. Ky është një shans tjetër i humbur i politikës italiane”, tha Veltroni. Meqë koalicioni i qendrës së djathtë ngul këmbë për zgjedhje të arakohshme, ka shumë mundësi që së shpejti Marini të shkojë tek kryetari i shtetit për ta kthyer mbrapsht këkesën për krijimin e një qeverie. Presidenti Napolitano do të duhet të vendosë pastaj, se a do të ngarkojë një politikan tjetër me krijimin e qeverisë, apo do të shpallë zgjedhje të parakohshme. Në se parlamenti do të shpërndahet qysh këtë javë, atëherë në prill mund të zhvillohen zgjedhjet. Kriza aktuale qeveritare në Itali shpërtheu kur një parti e vogël demokristiane e ish ministrit të drejtësisë Mastella, u largua nga qeveria e koalicionit të qendrës së majtë. Kreu i qeverisë Romano Prodi e humbi mocionin e votëbesimit dhe dha dorëheqjen.