1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bundestagun gjerman prezantohet projektbuxheti i vitit 2007

Sabine Kinkartz22 Nëntor 2006

Në Bundestagun gjerman këtë javë do të debatohet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Vetëm pas një debati katërditor, të premten Bundestagu do të vendos për projektbuxhetin e përpiluar në Ministrinë Federale të Financave

https://p.dw.com/p/Aqya
Ministri gjerman i financave, Peer Shtajnbryk
Ministri gjerman i financave, Peer ShtajnbrykFotografi: AP

Ministri gjerman i financave dukej i kënaqur kur mori fjalën në hapje të debatit për buxhetin e vitit 2007. Ekonomia kombëtare këtë vit do të shënoj një ngritje në deri 2,5 përqind. Koalicioni i madh ka shënuar disa suksese në vitin e parë të qeverisjes.

"Andaj e them larg çdo prepotence por me një dozë vetësigurie për krejt qeverinë federale - nëse guxoj ta bëj këtë - se qeveria federale në vitin e saj të parë të punës dëshmoi kualitete menaxhimi", tha Shtajnbryk.

Ministri gjerman i financave është i kënaqur edhe me projektbuxhjetin e tij. Ai parasheh shpenzime në lartësi prej 270,5 miliardë euro. Kjo do të thotë një plus prej 3,4 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Investimet ngriten në gati 24 miliardë euro, borgjet e reja ulen në 19,6 miliardë euro.

"Ne kemi vendosur që me zbritjen e marrjes së kredive neto të japim një sinjal të qartë: është më e ulta që prej ribashkimit të Gjermanisë. Por përmes kësaj nuk ka ndryshuar asgjë në problemet themelore të buxhetit gjerman. Gjermania ashtu si më parë ka 1.500 miliardë euro borxhe", tha Shtajnbryk.

Nisur nga kjo duhet të ketë vetëm një linjë marshimi dhe kjo do të thotë: kursime të mëtejshme, nënvizoi politikani socialdemokrat. Në këtë pikë ministri është në linjë të njëjtë me partnerin konservativ në koalicion CDU/CSU. Këtë e bëri të qartë zëdhënësi për politikën buxhetore Mishael Majster:

"Pas këtij hapi fillestar të madh të mëkëmbjes ne nuk guxojmë të jemi frelëshuar. Ne duhet edhe më tej t'i japim prioritet konsolidimit të buxhetit. Ne jemi duke ndarë 15 përqind të të hollave për kamatat. Kjo do të thotë jemi duke financuar gjëra për të cilat në të kaluarën është shpenzuar tepër, në kurriz të ardhmërisë", tha Majster.

Në ditët e ardhshme do të debatohet për të gjitha pikat e projektbuxhetit. Pastaj të premten në Bundestag pritet miratimi i tij.