1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Berlin diskutohet për Maqedoninë

Anila Shuka / Berlin4 Dhjetor 2008

Sfida kryesore e Maqedonisë në rrugën e saj drejt strukturave euroatlantike është zgjidhja e problemit të emrit me Greqinë. Kjo ishte tema kryesore e një konference të zhvilluar të mërkurën (4.12.) në Berlin.

https://p.dw.com/p/G96X
Fondacioni Friedrich Ebert në Berlin
Fondacioni Friedrich Ebert në BerlinFotografi: picture-alliance/ ZB

Presidenti Branko Cervenkovski është i mendimit se Maqedonia duht të jetë më e gatshme për kompromis: "Qendrimi im për çështjen e emrit është se Republika e Maqedonisë duhet të kërkojë një kompromis të drejtë, i cili nuk e vë në rrezik identitetin tonë etnik, gjuhësor dhe kulturor, por që na mundëson integrimin në strukturat euroatlantike", tha presidenti socialdemokrat pa dhënë propozime konkrete.

Edhe në se Gjykata Ndërkombëtare, ku Maqedonia e ka shtruar tashmë çështjen, merr një vendim pro Maqedonisë, problemi i hyrjes në NATO dhe BE mbetet, është i mendimit Cervenkovski. Për zgjidhjen e kësaj çështje politike ai kërkoi angazhim më të më fuqishëm ndërmjetësues të vendeve kryesore evropiane.

Ish-ministri gjerman i shtetit, Kristof Cëpel kritikoi ashpër Greqinë që po mban peng procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, por nuk i kurseu kritikat edhe për retorikën nacionaliste të përfaqësuesve zyrtarë të Maqedonisë. "Për një shtet të BE-së Greqia është treguar shumë e papërgjegjshme", tha politikani socialdemokrat duke i quajtur "gjepura" referencat në traditën greke. "Të dyja palët duhet të heqin dorë nga identifikimi me një shoqëri antike skllavopronarësh."

Si përfaqësuese e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emër të shqiptarëve të Maqedonisë, Teuta Arifi, tha se në grindjen greko-maqedonase shqiptarët tregohen konstruktivë: "Ne do t’i mbështesim në konsensusin që do të arrinin ata dhe normalisht konsiderojmë dhe besojmë se edhe në anën greke do ketë mirëkuptim që ky proces të mos mbahet. Kemi kërkuar shumë gjatë që partitë maqedonase të mos e përdorin këtë çështje si temë të politikës ditore."

Këtu bën pjesë Marrëveshja e Ohrit, implementimi i së cilës nuk ka përfunduar ende, thotë kryetarja e komisionit të jashtëm në parlamentin e Maqedonisë: "Ka shumë gjëra akoma për të bërë. Ka një sërë ligjesh që nuk janë implementuar tërësisht, si ai i përdorimit më të gjerë të gjuhës e simboleve. Por gjithsesi, Marrëveshja e Ohrit është e lidhur me perspektivën e Maqedonisë në NATO dhe BE, nuk është jashtë saj."