1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bagdad duhet nxjerrë para përgjegjësisë edhe perëndimi

S.H20 Tetor 2005

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet ndër të tjera tek procesi gjyqësor i porsa nisur kundër ish diktatorit irakian Sadam Hysein:

https://p.dw.com/p/ArtK
Sadam Hyseini në proces
Sadam Hyseini në procesFotografi: AP

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

"Një dhespoti të rrëzuar, në duart e të cilëve ndodhet ende gjaku i qindra mijëra njerëzve, po i bëhet më në fund procesi gjyqësor. Akuzat janë për vrasje, torturim, dëbim, dhe krime kundër njerëzimit. Dihej se i akuzuari Sadam Hyseini do ta vinte në pyetje legjitimitetin e kësaj gjykate. Ai e konsideron ende veten si president të Irakut. Por ky proces do të ketë pasoja të thella, si për të akuzuarin Hysein ashtu edhe për 7 të akuzuarit e tjerë. Por mënyra se si u prezantua të mërkurën Hyseini përpara trupit gjykues nuk lë vend për shpresa, se pas këtij procesi do të arrihet një pajtim kombëtar në vend. Për simpatizantët e tij Sadam Hysein është hero dhe martir. Por për ata që kanë vuajtur, Sadam Hyseini është vrasësi më i madh i të ashtuquajturës "Republikës së frikës" dhe fajtor."

Gazeta Neue Ruhr-Neue Rhein shkruan:

"Dihej se Sadam Hysein nuk do të pranonte asnjë faj përpara trupit gjykues. Por ai Sadam Hysein, i cili u ul dje së bashku me 7 të akuzuarit e tjerë në një kafaz, dhe që recitonte gjithë kohës suret e Koranit dhe deklaronte se është presidenti i ligjshëm i Irakut, do ta kthejë këtë proces gjyqësor në një shfaqje të vërtetë. Sadam Hyseini ka ende shumë simpatizantë tek sunitët, të cilët humbën shumë të drejta me rrëzimin e tij nga pushteti. Ata e konsiderojnë veten si humbësit e Irakut të ri dhe nuk e pranojnë kushtetutën. Dhe janë pikërisht teroristët sunitë ata, që e terrorizojnë Irakun me dhunë këto ditë. Prezantimi i vetësigurtë dhe arrogant i ish diktatorit Sadam Hysein përpara trupi gjykues, do t´u japë atyre shpresa të reja për të mos e ndalur dhunën."


Gazeta Kölner Stadt-Anzeiger shkruan:

"Po ta shqyrtojmë siç duhet situatën, në Bagdad duhet nxjerrë përpara përgjegjësisë edhe Perëndimi. Evropa dhe SHBA-të e kanë mbështetur me vite regjimin e Sadamit, edhe nga ana ushtarake, për të evituar në këtë mënyrë eksportin e revolucionit iranian në Irak. Por nuk mund të presim që edhe Perëndimi të akuzohet në Bagdad. Për këtë arsye, procesi gjyqësor kundër Sadam Hyseinit do të bëhet gjithmonë pas dyersh paksa të mbyllura për opinionin publik ndërkombëtar."

Gazeta Abendzeitung nga Mynihu shkruan:

"SHBA-s e financojnë procesin gjyqësor, britanikët trejnonë gjykatësit. Por fakt mbetet se Sadam Hysein ka vrarë qindra njerëz dhe ky proces është mëse i drejtë. Shteti i cili është duke u reformuar, po përpiqet t´u kthejë qindra mijëra viktimave paksa drejtësi, të cilën ua kishte rrëmbyer sistemi i diktatorit Sadam Hysein. Por këto procese do të jenë të sukseshme, vetëm në rast se ato do të mund të nxjerrin në dritë të vërtetën mbi këtë person. Pjesë e historisë së Sadam Hyseinit janë edhe marrëdhëniet e mira që ka pasur dikur me Perëndimin, lidhja e tij me Rumsfeldin dhe me firma të mëdha gjermane, të cilat mbështetën programin e tij me gazin helmues. Edhe kjo është pjesë e së vërtetës, e cila duhet kujtuar përpara trupit gjykues."

Dhe së fundi në gazetën Landeszeitung lexojmë:

"Gjykatësit, identiteti i të cilëve duhej mbajtur i fshehtë, nuk mund ta kthejnë procesin kundër Sadam Hyseinit në një pikë historike për shtetin e ri irakian. Në rast se do të ndodhë ajo që ndodhi pas proceseve të famshme gjyqësore të Nürnbergut, atëherë mund të pohojmë me gojën plot, se ky proces i përmbushi të gjitha qëllimet. Vetëm përpunimi i plotë i së kaluarës do të sjellë një shans të ri për Irakun. Por kjo s´do të thotë se ky proces duhet mbyllur sa më shpejt. Dhe nuk duhet heshtur mbi faktin se sidomos Franca dhe SHBA-s kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendimet e ish diktatorit. Por do të ishte shumë naive po të besonim se këto fakte do të përmenden gjatë këtij procesi gjyqësor."