1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Më goditën për shkak të profesionit"

4 Nëntor 2009

Intervistë ekskluzive për DW e gazetarit Mero Baze, që u godit dhe u dëmtua të hënën në mbrëmje në qendër të Tiranës. Në intervistë Baze jep shpjegimin e tij për ndodhinë e rëndë.

https://p.dw.com/p/KObr
Mero Baze duke folur në një intervistë të mëparshme për DW
Mero Baze duke folur në një intervistë të mëparshme për DWFotografi: Arben Muka / DW

DW: A ju kujtohet se në çfarë rrethanash ishit kur ju sulmuan?

Pak a shumë më kujtohet skena kur isha në tavolinë bashkë me dy kolegët e mi. Aty u afrua Rezart Taçi në tavolinë duke m'u adresuar me një fjalor të rëndë dhe vulgar, duke më qëlluar. Në momentin kur unë u tërhoqa para për t'u vetëmbrojtur e pashë veten të rrethuar nga truprojat e tij, të cilët filluan një breshëri goditjesh mbi mua, kryesisht në kokë. Më pas mbaj mend kur jam përmendur nga dy kolegët e mi që më kanë ngritur pasi isha shtrirë në tokë. Dhe ai ishte larguar ndërkohë që policia më shoqëroi për në spital.

DW: Përveç qëndrimeve tuaja publike, që kani mbajtur në gazetën "Tema" dhe në emisionin tuaj televiziv investigativ "Faktor Plus", a keni patur mosmarrëveshje ose konflikte me biznesmenin Taçi?

Jo, kurrë nuk kam patur as replika personale, natyrisht përveç qëndrimeve publike që kam mbajtur në gazetë dhe në emisionin televiziv. Nuk ka asnjë rrethanë që të konsiderohet si konflikt personal. Përkundrazi, njëherë në vitin 2005 mbaj mend se e kam ndihmuar se më ka kërkuar të dinte se ku është studio e Argita Berishës.

Po sipas mendimit tuaj, pse ju ka qëlluar ai dhe badigardët e tij ?

Natyrisht për shkak të profesionit. Në emisionin tim investigativ "Faktori Plus" në disa raste jam marrë me evazionin fiskal që ka bërë kompania ARMO me pronarin e ri të saj Rezart Taci. Për shumë shqiptarë është disi e pakuptimtë kur flitet për evazionin fiskal dhe taksat. Duke e thjeshtuar shpjegimin tim, them se ai ka afër 1 vit që ka marrë në duar një pasuri kombëtare të shqiptarëve dhe gjatë kësaj periudhe ai asnjëherë nuk ka deklaruar sasinë e naftës që ka importuar, apo të sasisë që merr nga nëntoka shqiptare. Pra ai ka punuar si biznesmen nafte duke marrë naftë pa doganë, për shkak se ai është një subjekt që nuk është licensuar nga Ministria e Ekonomisë, që të ketë një magazinë doganore, për ta futur mallin pa akcizë, për t'i shlyer ato në një kohë tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një evazion fiskal që shkon 70 deri në 80 milion euro sipas ekspertëve të fushës. Por dëmi më i madh është se ai ka krijuar pabarazi në treg.

DW: Pas asaj që ndodhi me ju a keni patur konktakte me autoritetet? Kam parasysh këtu prokurorinë e policinë?

Në momentet e para pas incidentit, kur kam qënë në spitalin ushtarak kanë ardhur aty disa inspektorë të policisë dhe të hetimit. Nuk jam shumë i qartë, por dikush aty ishte i mjekësisë ligjore, dikush i prokurorisë a policisë gjyqësore. Ata kanë marrë shpjegimet e mia dhe të kolegëve që më shoqëronin në lokal, të cilët ishin më të qartë për rrethanat e asaj që ndodhi. Kam patur kontakte me autoritetet policore në spital, të cilët nga një anë ishin në siklet. Pasi nga një anë më shoqëronin mua dhe nga ana tjetër duhet të linin takim më Rezart Taçin, se kur ai duhet të kishte kohë që të vinte në polici... Ishte një situatë shumë qesharake. Por policia në këtë rast është krejt e pafajshme, është profesioniste. Por urdhëri politik dominon mbi profesionalizmin e tyre dhe ata janë njerëz po aq në hall sa ç'jemi ne përballë këtyre kriminelëve.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi