Mustafaj: ″PD është më e rëndësishme se individi që e përfaqëson″ | Ballkani | DW | 27.11.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Mustafaj: "PD është më e rëndësishme se individi që e përfaqëson"

PD, partia më e madhe opozitare në Shqipëri ka humbur rolin e të bërit opozitë aktualisht, kritikon intelektuali e ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj. Dy kuvendet e PD ai i quan karikaturale.

Aktualisht Partia Demokratike është në krizë e po merret me luftën brenda vetes, në vend që të bëjë opozitë. Sa e ka dëmtuar kjo peshën e vërtetë që duhet të ketë opozita?

Praktikisht opozita është e shfokusuar komplet, është jashtë rolit të saj si opozitë politike ndaj një mazhorance arrogante dhe të korruptuar. Në këtë kuptim shoqëria ka humbur shumë nga kjo humbje e rolit të opozitës, që është një rol kushtetues, është rol politik, por edhe një rol moral për shoqërinë demokratike.

Rrezikon përçarjen e plotë Partia Demokratike?

Pjesa tjetër a e rrezikon përçarjen dhe çdo të japë ky debat i brendshëm i cili do të finalizohet me dy kuvende në mënyrë karikaturale, me thënë të drejtën, shpresoj shumë që kjo do të arrij një qëllim: që është rizgjimi i demokratëve, të cilët pas humbjes së 25 Prillit, ishin në gjendje traumatike masivisht, të dëshpëruar, gjendje depresive pa asnjë motivim të vërtetë për të bërë luftë politike.

Mendoni se mund të kemi dy parti pas 18 dhjetorit jo më një PD unike?

Unë konstatoj që Berisha po arrin të zgjojë bazën e Partisë Demokratike, masën e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, e ky është shërbim i madh që ai i bën PD-së. Pastaj prodhimi e rezultati institucional, si do të vazhdojë udhëheqja e drejtimi i Partisë Demokratike, a do të vazhdojë Lulzim Basha apo do të kemi zgjedhje të reja, ky është një problem që nuk e parashikoj dot me siguri, është një problem procedurial, një problem statutor, por edhe një problem që lidhet me karakteret e të dy liderëve edhe të Bashës edhe të Berishës, që sot faktikisht kanë shkuar në një pikë, ku unë nuk shoh asnjë mundësi kompromisi.

Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj në bisedë me gazetaren e DW, Lindita Arapi

Përplasja mes Bashës e Berishë tani është e ashpër, nuk shikoni mundësi dialogu pas kongresit të dytë të 18 dhjetorit?

Unë shpresoj që po, të shohim ndryshimet statutore, të cilat unë vetë i mendoj, se janë të drejta, ato që kërkon Berisha, dhe ekipi i tij. Ai ka tanimë mjaft ish-drejtues të Partisë Demokratike që i janë bashkuar, i është bashkuar Forumi Rinor, ka shkuar masivisht edhe Lidhja e Gruas Demokrate.

Berisha u shpall "person non grata” nga SHBA. Çfarë do i sillte PD-së një Berishë në krye me një përplasje të hapur me palën amerikane? Rrezikon izolimin PD?

Unë nuk jam nga ata pesimistë që mendojnë se ardhja e Berishës do shënonte një luftë mes PD dhe Shteteve të Bashkuara. E para Berisha e ka ndarë çështjen e vet me Departamentin e Shtetit nga dialogu me demokratët. Ka pasur flamuj amerikanë në të gjitha mitingjet e tij dhe ai e ka shpallur se e ka çështje private dhe do e zgjidhë me drejtësinë. Tjetra, diplomacia amerikane është pragmatiste dhe punon me ata që janë faktorë. Për mua nuk është Berisha zgjidhja më e mirë e mundshme në krye të PD-së, por as Basha nuk është një zgjidhje e mirë.

Megjithatë Basha është kryetari aktual i PD-së, dhe po e akuzon Berishën, se nuk do ta lejojë ta përdorë PD si mburojë për interesa personale...

Basha po e përdor për luftë politike këtë, por realiteti është ky, në asnjë miting Berisha nuk ka kërkuar mbrojtje të PD, dhe ka ndjekur rrugën e drejtësisë. Ju garantoj se gjendja në krye të PD nuk do përbënte asnjë mbrojtje për Berishën nëse ndaj tij hiqet imuniteti dhe hapen hetime. Nga ana tjetër çdo hetim është hetim kundër një individi jo kundër PD-së. PD është më e rëndësishme se individi që e përfaqëson.

Në takime të mia këto ditë e ndesha sërish, desha të preknim një fenomen që nuk u shua asnjëherë pas rënies së diktaturës, por këto vitet e fundit është bërë shumë më i ndjeshëm, largimi nga Shqipëria, me argumentin, se nuk ka shanse apo se ky vend nuk bëhet. Pse në 30 vjet vetëm ky fenomen nuk mori zgjidhje?

Konstatimi juaj është i drejtë. Unë jam dëshmitar i disa eksodeve të shqiptarëve, që nga viti 91. Mund të them se situata e sotme është më e rëndë, se në 91-n. Në 91-n ishte vetëm padurimi për të ndërtuar një jetë që i shtynte njerëzit të iknin, iknin se këtu do t'u duhej shumë kohë që Shqipëria ta merrte veten, që një qytetar shqiptar të bëhej i barabartë në nivelin e jetesës pak a shumë me një qytetar gjerman, italian apo francez. Sot është një situatë tjetër, shoqëria është në një depresion të madh. Konstatoj, se sot masivisht nuk duan të ikin medoemos më nevojtarët. Të jemi realistë sot nuk ka një situatë të tillë ekonomike që t'i detyrojë njerëzit të ikin. Ka vërtet shumë probleme ekonomike, por ka një nivel të caktuar jetese dhe ka një mundësi punësimi. Sot njerëzit nuk ndjehen më të lidhur me vendin e tyre dhe nuk janë më të varfrit e më hallexhinjtë. Nuk ndjehen të lidhur intelektualët, duan të ikin specialistët, ikin mjekët, inxhinierët, njerëzit e pasur. Kam mbi 10 dhjetë miq të mi me më shumë se 30 punëtorë, që kanë shitur bizneset dhe kanë ikur në Amerikë apo diku tjetër.

Pra nuk ka të bëjë atëherë vetëm me rrogat e ulta në vend. Si shpjegohet kjo?

Ky është një problem shumë i komplikuar. Unë besoj, se shumë përgjegjësi ka qeveria, e cila ka krijuar një frymë arrogance në qeverisje, ka krijuar bindjen e korrupsionit, që edhe problemet më të thjeshta zgjidhen përmes pagesës, për shembull marrje e një certifikate, ka një shkëputje totale ekipit qeverisës me problematikat e të përditshmes së njerëzve, ka një ligjërim shumë autoritar nga ana e kryeministrit, sidomos mandati i tretë i tij dhe mungesa e një opozite serioze që është gjeneruese shprese krijon një psikozë, sikur do plakemi nën Edi Ramën, si u plak brezi i prindërve nën Enver Hoxhën.

Po probleme e kriza politike ka kudo…

Të gjithë këta faktorë që përmendëm që janë perceptime apo fakte reale krijojnë një klimë dëshpërimi dhe nevoje për të ikur. Flisja me një mikun tim mjek që do të ikë në Gjermani. Ai do të merrte në Gjermani një pagë disa herë më të mirë se këtu, por të gjitha shpenzimet e tij do të ishin disa herë më të mëdha se sa këtu. Dhe nëse bëjmë atë llogarinë e të zotit të shtëpisë, në fund të muajit atij do t'i mbeteshin më pak në Gjermani, megjithatë ai donte të punonte në çfarëdolloj ambulance apo klinike në Gjermani dhe jo në Spitalin Universitar „Nënë Tereza" dhe si profesor. Në këtë kuptim njerëzit për të motivuar veten, bëjnë edhe llogaritë gabim, vetëm t'u dalë një llogari e caktuar, që të justifikohen brenda vetes vendimi i ishte i drejtë.

Zhgënjimi ndaj politikës është i vjetër, ashtu si edhe mungesa e besimit. Politika në Shqipëri ka një problem të madh me imazhin. Jo të gjithë politikanët janë të korruptuar, por imazhi i përgjithshëm që lidhin mjaft qytetarë me politikanin shqiptar është i ai të korruptuarit ose të paaftit. A është edhe ky një faktor që heq shpresën?

Ftohja e lidhjes së publikut me politikën nuk është një problem shqiptar, është universal. Në Shqipëri kjo ka specifikat e veta, por do të thosha, se një nga arsyet pse njerëzit në shumicë e perceptojnë politikanin si të korruptuar, lidhet me faktin, se vetë karriera politike tek ne edhe në sajë të ligjeve që janë miratuar në parlament është klienteliste. Kryetari i partisë ka të gjithë pushtetin për të zgjedhur të gjithë ekipin e deputetëve, kjo vazhdon pastaj edhe me emërimet në ekzekutiv e me radhë. Ky lloj klientelizmi i hap rrugën doemos korrupsionit, e disa të korruptuar bëhen imazhi i të gjithëve. Sepse vërtet ka shumë korrupsion, por ky nuk është i gjeneralizuar në trupin e politikës shqiptare. Ka shumë politikanë me integritet të plotë.

Një aspekt tjetër që vihet re është, se politika shqiptare merret kaq shumë me grindjet me veten, dhe i mungon vështrimi më global e perspektiv për vendin, ku qëndron sot e ku do të shkojë Shqipëria në të ardhmen, të duket një lloj qëndrimi dritëshkurtër, sa dëmton kjo?

Kjo lloj fryme ose qasjeje është në përgjithësi tek kombet numerikisht të vogla, të cilat janë nombriliste, kërthiza e tyre është qendra e botës, dhe njerëzit i mbyt halli i vet, por është edhe një kompleks inferioriteti do thosha unë, i ngulitur. Këto lloj problematikash në opinionin publik vijnë jo aq përmes politikës, se sa përmes shoqërisë civile dhe intelektualëve me autoritet. Në përgjithësi shoqëria civile shqiptare është shumë servile ndaj pushtetit. Kemi intelektualë të ditur, por shpesh nuk kanë guximin t'i japin të drejtë vetes të mendojnë edhe për problemet që nuk gjejnë zgjidhje në Shqipëri. Atëherë reduktohet i gjithë preokupimi i tyre intelektual në debatet e brendshme Rama-Basha, Berisha, Meta.

Ka një vonesë vitet e fundit integrimi i Shqipërisë në BE, e kjo ka të bëjë me shtyrjet radhazi të çeljes së negociatave. Ka një rënie të besimit të BE në Ballkan, si e shikoni këtë tek shqiptarët, më entuziastët e BE në Ballkan?

Nuk do thosha se ka rënë në mënyrë të ndjeshme, nuk do bjerë kurrë ndjeshëm. Shqipëria në historinë e saj ka qenë gjithmonë periferi perandorie. Periferi e perandorisë së Romës, të Bizantit, po aq e perandorisë osmane, dhe po aq e perandorisë sovjetike. Në këtë kuptim duke qenë kufi perandorie shqiptari në vete e ka parë gjithmonë kryeqytetin e vërtetë nga ku burojnë zgjidhjet për hallet e tij jashtë territorit të Shqipërisë, dikur në Stamboll, Moskë, tani është Brukseli ose Uashingtoni. Ngaqë Uashingtoni është shumë larg, do të mbetet Brukseli. Në qoftë se humbet besimi tek Brukseli, atëherë do kërkohet një kryeqytet tjetër. Shpresoj që kjo të mos ndodhë.

 

Shkrimtari e intelektuali Besnik Mustafaj ka qenë politikan i Partisë Demokratike, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë nën qeverinë e kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha. Para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, ai ishte anëtar i Komisionit që thirri Partia Demokratike për zgjedhjen e kandidaturave të deputetëve për parlamentin e ardhshëm shqiptar.

Bisedën e zhvilloi Lindita Arapi